Struga luan këtë të martë ndeshjen e kthimit ndaj lituanezëve të Zhalgiris, teksa synon kalimin në turin e dytë të UEFA Champions League. Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, ia doli që të siguronte një barazim pa gola në ndeshjen e parë.
Vetë tekniku, pavarësisht rezultatit pozitiv në transfertë, është shprehur se nuk e sheh ekipin e tij si favorit, pasi ka përballë një kundërshtar me më shumë histori në Europë se sa debutuesit, por ai mbetet optimist për kalimin e turit.
“Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje të mirë, mund të them gjithashtu se edhe rezultati ishte i pranueshëm, kishim mundësinë të merrnim më shumë. Por unë e kam thënë që pas përfundimit të ndeshjes së parë, se janë dy ndeshje për t’u luajtur dhe për t’u interpretuar, kështu që përqendrimi është te loja e ditës së nesërme. Është çdo gjë e hapur pavarësisht avantazhit të rezultatit që kishim në ndeshjen e parë, po them se çdo gjë do të jetë e hapur.
Ne si ekip nuk fluturojmë shumë, madje jemi shumë modestë në të gjitha aspektet dhe në të gjitha pikëpamjet, si në aspekt të drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe futbollistëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm që pavarësisht paraqitjes së mirë dhe rezultatit pozitiv, çdo gjë është e hapur.
Në këtë aspekt e dimë se kundërshtari ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në ndeshjet evropiane. Por i dimë mirë edhe futbollistët, që sigurisht gjatë gjithë kohës këtë javë janë duke i zbatuar këto ide, që kjo ndeshje është histori tjetër, është ndeshje tjetër.
Nuk duam ta mendojmë ndeshjen në Zhalgiris, kjo është një ndeshje tjetër që duhet luajtur, duhet interpretuar dhe për të marrë në fund maksimumin. Nuk ka asnjë lloj doze euforie, vetëm seriozitet dhe përqendrim maksimal.
Sigurisht, unë e kam thënë edhe para zhvillimit të ndeshjes së parë, që për shumë faktorë Zhalgirisi është favorit ndaj nesh, si nga eksperienca, përvoja, buxheti, që mund të them se është 20 herë më shumë se Struga.
Ndërsa këtë e dëshmoi edhe gjatë sezonit të kaluar, duke shkuar deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke eliminuar skuadra si Malmo, Ballkanin, etj.
Por e thashë në futboll, sidomos ndeshja e parë, tregoi që nuk kishte shumë diferencë në fushën e lojës. Shpresoj edhe kjo ndeshje të jetë interpretimi i atillë, që i gëzon këto favore që ka kundërshtari.
Shpresoj që stadiumi të jetë i mbushur, për aq sa na lejon rregullorja. Ne i kemi vuajtur gjatë kampionatit, pasi jemi skuadër e re. Megjithatë nesër them se stadiumi do të jetë i mbushur dhe në përkrahje të skuadrës”, tha Duro para gazetarëve./PanoramaSport
Discussion about this post