Prokuroria Speciale dyshon se Mond Bego ka dhënë deklarime kontradiktore, kur është pyetur për vilën që dyshohet se është në pronësi të Arben Ahmetaj në kompleksin “Green Coast”, në Palasë, të ndërtuar nga biznesmeni Samir Mane.
Bego është një personazh shumë i njohur në kronikën e zezë dhe për lidhjet me politikanë të fuqishëm shqiptarë. Vite më parë, Edmond (Mond) Bego është dënuar si anëtar i bandës kriminale të Aldo Bares, një prej grupimeve më të egra të viteve 1997-2000.
Pasi mbylli hesapet me drejtësinë, Mond Bego rikthehet si biznesmen. Jo vetëm kaq. Ai konsiderohet edhe si një prej miqve më të ngushtë të socialistit të rëndësishëm, Taulant Balla, i emëruar së fundmi Ministër i Brendshëm. Balla e ka pranuar vetë publikisht miqësinë familjare me Mond Begon, por ka deklaruar se nuk ka ndërhyrë aspak me pushtetin e tij që ai të zhvillojë bizneset private.
Mond Bego zotëron disa kompani private, mes të cilave “Inerte Ekspres”, me të cilën kryen punime nënkontraktorë për investitorë të ndryshëm, përfshirë edhe Samir Manen.
Të dhënat e siguruara nga SPAK-u gjatë hetimeve për ish.zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, kanë identifikuar Begon si porositësin e një vile, të emëruar me numër 73, në kompleksin “Green Coast”, për të cilën prokurorët specialë dyshojnë se është pasuri e fshehur nga Arben Ahmetaj dhe ish-bashkëshortja e tij, Albina Mançka.
Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, rezulton se kompania “Inerte Ekspres” ka nënshkruar kontratë me “Mane/TCI” të Samir Manes, për blerjen e dy vilave në kompleksin “Green Coast” në Palasë, e konkretisht me numër 72 dhe 73, për një vlerë totale 373 mijë euro. Ndërkohë, për vilën 73, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë siguruar të dhëna të konsiderueshme, si edhe dëshmi, të cilat u kanë forcuar dyshimet se ajo është në pronësi të Albina Mançka.
Bego në SPAK
Ndryshe nga kontrata e siguruar nga BKH, e cila flet për porositjen e dy vilave nga Bego në Palasë, ky i fundit ka deklaruar para hetuesve se, raporti i tij me Samir Manen është që të marrë 6 vila, në këmbim të punimeve ndërtimore në kompleks. Ky është detaji i parë kundërthënës që kanë identifikuar prokurorët. Por kundërthëniet vijojnë me tej.
Mond Bego ka deklaruar se diku rreth vitit 2020, ka nënshkruar një kontratë porosie për shitjen e vilës 73 në favor të Elda Dine (shoqja e ngushtë e Albina Mançka). Bego deklaron gjithashtu se nuk e ka takuar personalisht shtetasin Elda Dine dhe se, ai ka vendosur firmën për kontratën në zyrën e noterin Alket Mançka (vëllai i Albina Mançka).
Pra, sipas tij, ai ka shitur vilën nr.73 Elda Dines, por kontrata përfundimtare nuk është nënshkruar, pasi kompania e Begos dhe ajo e investitorit “Mane/TCI” ende nuk kanë rakorduar përfundimin e punimeve të plota, bazuar në marrëveshjen mes tyre.
SPAK: Vila dyshohet e Ahmetaj
Ndërkohë, një seri e gjatë të dhënash të siguruara nga SPAK-u, e kanë bindur këtë të fundit se pronarja reale e vilës 73 është Albina Mançka dhe ish-bashkëshorti i saj, Arben Ahmetaj, të cilët janë divorcuar zyrtarisht në vitin 2022, pra dy vjet pas transaksioneve për apartamentin në Palasë.
SPAK ka pyetur persona të ndryshëm që lidhen me rregullimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e vilës në Palasë, nga ku pjesë më e madhe e tyre kanë pasur kontakt të vazhdueshëm me shtetasen Albina Mançka. Në këtë listë personash përfshihen arkitektë që kanë projektuar arredimin e shtëpisë, mobilierë e të tjerë.
Po ashtu, disa prej personave të mirëmbajtjes së vilës në kompleksin “Green Coast” kanë regjistruar si kontakt për vilën 73 shtetasen Albina Mançka. SPAK ka zbuluar disa komunikime telefonike, ku Mançka i sugjeronte arreduesve projekte të ndryshme për dhomat e vilës, të cilat i identifikonte me emrat e vajzave të saj, si “dhoma e K…”, apo “dhoma e L…”.
Ahmetaj nga arratia: Merruni me fondet e inceneratorëve, jo me 1,8 mln eurot
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post