Akademiku Artan Fuga ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLP dhe KLGJ, dy institucioneve që konsiderohen si shtyllat e “drejtësisë së re”, ndërsa thekson se Akademia e Shkencave nuk ka lidhje fare me këtë proces, pasi funksionin e saj kryesor të njohur nga ligja për të promovuar vlerat e shkencës dhe kërkimit shkencor në vend.
Akademia e Shkencave përfaqësohet në komisionin e pavarur ad hoc për zgjedhjen e anëtarëve të rinj me anëtarët Shaban Murati dhe Ardian Civici, ky i fundit në rolin e zëvendësuesit.
E ndërsa thekson se si anëtar i ASH nuk i ka deleguar asnjë vullnet z.Murati për ta përfaqësuar në komisionin ad hoc, Fuga thekson se problemi është se ky nënfunksion e politizon Akademinë e Shkencave sepse kuptohet që agjenci, forca politike, qeveria, a kushdo tjetër mund të ushtrojnë presione duke supozuar se kanë interes që Akademia e Shkencave të dërgojë ata anëtarë në komision që mund të çojnë vullnetet e dëshiruara dhe që mund të kontrollohen.
“Unë nuk e di se çfarë dhe cilët do të përfaqësojë z. Shaban Murati në atë komision. Vullnetin e përgjithshëm të kombit, sikurse e kërkon ndërtimi i sistemit të drejtësisë, vullnetin e Asamblesë të Akademisë së Shkencave? Vullnetitn e Kryesisë të saj me anëtarë dhe Kryetari pa mandat? Vullnetin e vet personal? Apo cilin vullnet? Sinqerisht është krejt në ajër çdo legjitimitet i supozuar nga ana e tij. Për të mos thënë më gjatë se në Asamblenë e Akademisë së Shkencave nuk ka më shumë se një ose dy juristë. Të tjerët, ne të tjerët, nuk kemi asnjë kompetencë akademike për të pasur legjitimitet për të ndikuar me influencën tonë në zgjedhjen e personave që do ta drejtojnë sistemin e së drejtës në Republikën tonë.
Dhe vërtet, çfarë lidhje dhe kompetencë morale apo logjike ofron nanoteknologjia, siszmologjia, imunologjia apo gërmimet në Butrint për të ndikuar në formësimin e komisionin ad hoc për verifikimin dhe seleksionimin e kandidaturave për në KLGJ dhe KLP?
Cfarë përfaqëson Akademia e Shkencave veç opinionit jo kompetent në fushë të neve tridhjet a më shumë anëtarëve të asamblesë ?”, shkruan Fuga në një letër të hapur drejtuar Avokates së Popullit.
Postimi nga Artan Fuga
Zonja avokate e Popullit,
unë nuk i kam deleguar asnjë vullnet z. Shaban Murati për të më përfaqësuar në komisionin e pavarur ad hoc për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLGJ dhe KLP!
Nga media publiku merr vesh se kanë filluar procedurat për caktimin e anëtarëve të komisionit të pavarur ad hoc që do të propozojë kandidaturat për anëtarë të KLGJ dhe KLP, pra për vendet vakante.
Kuptohet që janë dy struktura të Pallatit të Drejtësisë me shumë rëndësi për funksionimin si duhet të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Kuadri ligjor në fuqi parashikon që edhe Akademia e Shkencave ftohet për të dërguar një anëtar në këtë komision ad hoc me kaq rëndësi për fatet e dhënies të drejtësisë në Republikën tonë.
Merret vesh që Akademia e Shkencave paska dërguar si anëtar i këtij komisioni z. Shaban Murati, dhe zëvendësues z. Ardian Civici!
Me cilësinë e anëtari të Akademisë së Shkencave deklaroj publikisht se për sa më takon nuk i kam dhënë asnjë mandat përfaqësimi z. Shaban Murati për të qenë anëtar i këtij komisioni. Aq më pak zëvëndësuesit. Sigurisht duke thënë këto, nuk është rasti as të jap konsiderata pozitive dhe as negative për të dy zotërinjtë e lartpërmendur, thjesht gjykoj në planin institucional.
La ta sqaroj qendrimin tim që po e bëj publik me shqetësimin qytetar për një funksionim si duhet të sistemit të drejtësisë në vend.
Mbi të gjitha kjo kompetencë që i jepet Akademisë së Shkencave përbën një nënfunksion të saj që nuk ka asnjë lidhje me funksionin e saj kryesor të njohur nga ligja për të promovuar vlerat e shkencës dhe kërkimit shkencor në vend.
Problemi është se ky nënfunksion e politizon Akademinë e Shkencave sepse kuptohet që agjenci, forca politike, qeveria, a kushdo tjetër mund të ushtrojnë presione duke supozuar se kanë interes që Akademia e Shkencave të dërgojë ata anëtarë në komision që mund të çojnë vullnetet e dëshiruara dhe që mund të kontrollohen.
Këtu nuk paragjykoj askënd, as akuzoj, por konstatoj faktin se ky nënfunksion krijon të gjitha pistat e mundëshme që të krijohen ndërvarësi midis politikës dhe shkencës, dhe që sigurisht hapin të gjitha shtigjet për ta politizuar Akademinë e Shkencave dhe kërkimin shkencor.
Unë kam të drejtë të supozoj se mos të gjitha ato presione politike të ardhura nga shumica parlamentare për të ndërhyrë në procesin e zgjedhjes të organeve drejtuese në Akademinë e Shkencave paskan lidhje pikërisht me këtë nën-funksion të dytë të Akademisë.
Projekligji Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj u kalua me votim në orën pesë të mëngjesit, me nxitim, urgjencë, dhe me shkelje të rënda proceduriale. Mos tani kuptohet se përse paska ndodhur kjo?
Dikush mund të thotë se kështu e ka ligja. Sigurisht, por asnjë qytetar nuk mund të privohet nga e drejta për të dhënë mendime për përmirësime të mëtejshme të kuadrit ligjor të reformës në drejtësi.
Ndërkaq, edhe nëse ligja e parashikon sa më sipër, kandidaturat e Akademisë së Shkencave duhet të shprehin vullnetin e Asamblesë të Akademisë së Shkencave. Më së paku.
Asnjë vullnet nuk ka shprehur kjo asamble që të caktojë delegimin te z. Shaban Murati dhe të zëvendësuesit të tij Unë mendoj se pa shprehjen e këtij vullneti nga ana e akademikëve mandati i z. Shaban Murati dhe i zëvendësuesit të tij janë pa vlerë, të paqënë, dhe jo legjitim.
Aq më tepër, ndonëse nuk e di se kush e ka përcjellë shkresën, me ç’firmë ka ardhur te avokati i popullit nga Akademia e Shkencave, informoj se për shkak se zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë penguar, marrë peng, uzurpuar për interesat personale, në shkelje të ligjit dhe të statutit të Akademisë së Shkencave, Kryesia dhe drejtuesi i saj është me mandat të përfunduar. Ndryshe thënë aktualisht është pa mandat. Si i tillë nuk mund t’i japë mandat përfaqësimi z. Shaban Murati të përfaqësojë me mandat Akademinë e Shkencave në komision.
Pa paragjykuar z. Shaban Murati dhe as zëvëndësuesin e tij, unë personalisht nuk shoh as se përse është gjykuar që ai të përfaqësojë vullnetin e akademikëve. Nëse do të duhej të shprehej ky vullnet, duhej hapur konkurs publik, duheshin analizuar kandidaturat, duheshin dëgjuar ato nga asambleja e Akademisë së Shkencave, etj.
Ndryshe i hapen rrugë të gjitha tjetërsimeve të vullnetit akademik që duhej të ishte shprehur me votë për këto detyra me rëndësi jetike për fatet e drejtësisë shqiptare dhe të reformimit të saj.
Aq më shumë se z. Shaban Murati nuk është fare anëtar i Akademisë së Shkencave dhe nuk ka asnjë lidhje funksionale apo institucionale me të.
Unë nuk e di se çfarë dhe cilët do të përfaqësojë z. Shaban Murati në atë komision. Vullnetin e përgjithshëm të kombit, sikurse e kërkon ndërtimi i sistemit të drejtësisë, vullnetin e Asamblesë të Akademisë së Shkencave? Vullnetitn e Kryesisë të saj me anëtarë dhe Kryetari pa mandat? Vullnetin e vet personal? Apo cilin vullnet? Sinqerisht është krejt në ajër çdo legjitimitet i supozuar nga ana e tij. Për të mos thënë më gjatë se në Asamblenë e Akademisë së Shkencave nuk ka më shumë se një ose dy juristë. Të tjerët, ne të tjerët, nuk kemi asnjë kompetencë akademike për të pasur legjitimitet për të ndikuar me influencën tonë në zgjedhjen e personave që do ta drejtojnë sistemin e së drejtës në Republikën tonë.
Dhe vërtet, çfarë lidhje dhe kompetencë morale apo logjike ofron nanoteknologjia, siszmologjia, imunologjia apo gërmimet në Butrint për të ndikuar në formësimin e komisionin ad hoc për verifikimin dhe seleksionimin e kandidaturave për në KLGJ dhe KLP?
Cfarë përfaqëson Akademia e Shkencave veç opinionit jo kompetent në fushë të neve tridhjet a më shumë anëtarëve të asamblesë ?
Aq më pak e ka atë z. Shaban Murati që mesa di unë as nuk është jurist, as nuk ka tituj shkencorë, as nuk ka pasur ndonjë karrierë shkencore institucionalisht.
Me ndërgjegje të plotë qytetare dhe atë akademike, zonja Avokate e Popullit, lutem verifikoni procedurat, sikurse i bëj thirrje z. Shaban Murati të mos ushtrojë një kompetencë jo të legjitimuar, mos përcjellë një mandat që nuk është i bazuar, i padeleguar institucionalisht nga anëtarët e Asamblesë të Akademisë së Shkencave.
Me respekt,
Artan Fuga
Discussion about this post