Torbjorn Pedersen, globalist i njohur danez nisi udhëtimin e jetës në tetor 2013 dhe vendosi tre rregulla strikte për t’u ndjekur gjatë aventurës epike.
Rregullat e tij ishin: të kalonte të paktën 24 orë në secilin vend, të jetonte me një buxhet prej rreth 20 dollarë në ditë dhe t’i përmbaheh kthimit në shtëpi derisa sfida të përfundojë plotësisht.
Dhe vetëm pak muaj më parë (24 maj), më në fund erdhi ajo ditë fatale kur, pas një dekade udhëtimi të palodhur, 44-vjeçari shënoi vendin e tij të 203-të dhe të fundit nga lista.
Pedersen, i cili udhëtoi si ambasador i vullnetit të mirë për Kryqin e Kuq Danez, tani mund të thotë me krenari se ka një rekord mbresëlënës udhëtimi. Gjatë 3576 ditëve, danezi udhëtoi me 379 anije me kontejnerë, 158 trena, 351 autobusë, 219 taksi, etj., duke përshkuar gjithsej 359 mijë kilometra të pabesueshëm.
Duke folur për projektin 10-vjeçar, Pedersen tha për CNN se ai e filloi udhëtimin me një mendim veçanërisht frymëzues: “Një person i panjohur është një mik që nuk e keni takuar kurrë”.
“Më është vërtetuar shumë herë se kjo është e vërtetë. Nëse bie në kontakt me njerëz, ata zakonisht janë gati për këtë,” shtoi ai.
Pedersen zbuloi se ai qëndroi në shtëpitë e “shumë, shumë të huajve” gjatë udhëtimit.
“Kam kaluar nëpër çdo vend në botë, edhe te ato me konflikte të armatosura, edhe te ato me shpërthime virusesh – pa lëndime,” shpjegoi ai. “Ose unë jam njeriu më me fat në botë, ose bota është në gjendje shumë më të mirë nga sa mendojnë shumica e njerëzve për shkak të lajmeve të frikshme dhe dramatike në mediat sociale dhe televizion.”
Ndërsa shumica e përvojave ishin “të mrekullueshme” dhe “të veçanta”, pati disa pengesa gjatë rrugës.
Pengesa më e madhe ishte pandemia e COVID-19 në fillim të vitit 2020, nga e cila mbeti i bllokuar në Hong Kong për dy vjet të plota.
“Kur shikoj prapa në Hong Kong, është një lloj paradoksi,” tha ai. “Ishte koha më e keqe dhe në të njëjtën kohë koha më e mirë e jetës sime, në një farë mënyre. Më duhej të përballesha me atë situate ku ishte kaq e vështirë të vendosje nëse duhet ta ndërprisje projektin.
E ndërsa prisja që bota të hapej, krijova një jetë për veten time në Hong Kong dhe bëra shumë marrëdhënie të veçanta,” tha ai.
Udhëtari së fundmi u kthye në shtëpi në Danimarkë javën e kaluar (26 korrik) dhe më në fund po shijon komoditetet e shtëpisë pas plot 10 vitesh larg.
“Të kthehesh në shtëpi është diçka në të cilën jam fokusuar, diçka që kam dashur të bëj për një kohë të gjatë. Por unë jam ende duke e përpunuar që udhëtimi ka përfunduar dhe duke u përpjekur të kuptoj se çfarë do të ndodhë më pas,” tha ai.
Pedersen tani po planifikon me kënaqësi të krijojë një familje me gruan e tij Le dhe po bashkëpunon me regjisorin kanadez Mike Douglas në dokumentarin “Udhëtimi i pamundur”.
Ai gjithashtu planifikon të shkruajë një libër për udhëtimin e tij. Kjo do të ishte letërsi interesante për t’u lexuar./Tema
Discussion about this post