Më shumë se gjysma e refugjatëve janë të punësuar gjashtë vjet pas mbërritjes në Gjermani, tregon një studim i ri. Si është gjendja aktuale?
Për Herbert Bricker, rezultati i hulumtimit është jashtëzakonisht pozitiv: më shumë se gjysma e refugjatëve të intervistuar nga ai dhe kolegët e tij ishin të punësuar në vitin 2021. Bricker është drejtor i kërkimit në Institutin për Hulumtimin e Tregut të Punës dhe Punësimit (IAB), një institucion që funksionon si pjesë e Agjencisë Federale të Punësimit në Nuremberg. Që nga viti 2016, integrimi i emigrantëve në tregun gjerman të punës është analizuar rregullisht atje.
“Në vitin 2015 kemi menduar: nëse pas pesë apo gjashtë vitesh arrijmë një normë punësimi prej 50 për qind, do të jemi shumë mirë. Ndërsa në vitin 2021, ne ishim në 54 për qind, pavarësisht pandemisë i tejkaluam pritshmëritë”, thotë Bricker, i cili është edhe drejtor i Institutit për Integrim Empirik dhe Kërkime të Migracionit në Berlin, në një intervistë për DW.
Dhe sa më gjatë të qëndrojnë refugjatët në Gjermani, aq më shumë punësohen: “Për njerëzit që janë këtu për shtatë apo tetë vjet, ne kemi një normë punësimi prej 62 për qind. Kjo është shumë mirë. Kjo është vetëm dhjetë, dymbëdhjetë pikë përqindjeje më pak se vetë popullsia gjermane”.
Sipas rezultateve të studimit të IAB, shkalla e punësimit u rrit me dhjetë pikë përqindjeje në krahasim me vitin pandemik 2020 – kjo u lehtësua nga rimëkëmbja e ekonomisë gjermane në kohën pas bllokimit të rreptë në vitin 2020.
Studimi afatgjatë
Të dhënat e studiuesve të IAB bazohen në deklaratat e atyre që kërkuan mbrojtje në Gjermani, të cilët erdhën në këtë vend midis 2013 dhe 2019. “Mostra e përgjithshme tani përfshin 10.111 të rritur që janë intervistuar një herë ose deri në gjashtë herë. Bëhet fjalë për 8.799 refugjatë në moshë pune (nga 18 deri në 64 vjeç) që kanë ardhur në Gjermani që nga viti 2013.
Pyetësori përmban rreth 400 pyetje. Ndërsa rreth 100 pyetje kanë të bëjnë “ndër të tjera edhe me të dhënat e detajuara mbi biografinë e refugjatëve dhe migracionin, arsimin dhe trajnimin, statusin e punësimit, marrjen e ndihmës shtetërore dhe pjesëmarrjen në programet e arsimit, trajnimit, gjuhës dhe integrimit”.
Niveli i shkollimit po rritet
Siç tregon studimi, krahas punësimit, në vitin 2021 u rrit edhe niveli i shkollimit të refugjatëve. Gjithnjë e më shumë refugjatë u angazhuan në profesione që kërkonin një kualifikim më të lartë. Sipas studimit, gjashtë vjet pas mbërritjes në Gjermani, një në tre të rritur ndoqi shkolla dhe universitete, ose përfundoi trajnime dhe ndonjë shkollim të mëtejshëm. 70 për qind e refugjatëve të punësuar, siç u shprehën ata vetë, kishin një punë të kualifikuar që kërkonte një kualifikim profesional ose akademik, e 41 për qind e të anketuarve që kishin qenë në Gjermani për gjashtë vjet deklaruan se kryenin punë më të këqija se ato që punonin në vendlindjet e tyre. Ndërsa 12 për qind kryenin punë më të mira në Gjermani sesa në vendin prej nga vijnë.
Bashkautorja e studimit Julija Kosjakova beson se ky është një potencial i rëndësishëm, duke marrë parasysh mungesën e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani: “Ata janë këtu, janë në dispozicion dhe janë shumë të motivuar”, tha Kosjakova për agjencinë e lajmeve Reuters.
Më pak fitime
Pothuajse dy të tretat (65 për qind) e refugjatëve të punësuar që kanë qenë në Gjermani për gjashtë vjet, punonin me orar të plotë në 2021. Paga mesatare mujore bruto e refugjatëve të punësuar me kontratë të përhershme u rrit nga 1.660 euro në dy vitet e para pas mbërritjes në Gjermani në 2.037 euro në vitin e gjashtë.
“Të moshuarit fitojnë shumë më tepër para në tregun gjerman të punës sesa të rinjtë. Kur bëhet fjalë për refugjatët, të moshës 18 deri në 25 vjeç, të ardhurat e tyre ishin 25 për qind më pak se të ardhurat e kolegëve të tyre gjermanë të së njëjtës moshë. Por diferenca nuk është aq e madhe dhe do të barazohet me kalimin e kohës. Megjithatë akoma ka shumë vend për përmirësim”, thotë Bricker, i cili drejtoi studimin.
Gratë do të punonin, por nuk ka kush të kujdeset për fëmijët
Hendeku midis gjinive është veçanërisht i habitshëm kur bëhet fjalë për integrimin në tregun e punës. Ndërsa 67 për qind e refugjatëve meshkuj kishin një punë në vitin 2021, vetëm 23 për qind e grave ishin të punësuara. Një rol të madh në këtë luan kujdesi ndaj fëmijëve, edukimi dhe përvoja profesionale në vendin e origjinës, si dhe pjesëmarrja në kurse gjuhësore dhe programe të tregut të punës.
“Gjashtëdhjetë deri në shtatëdhjetë për qind e grave kanë fëmijë. E ato që kanë fëmijë, mesatarisht kanë tre fëmijë”, shpjegon Bricker për DW. Si rregull, gratë emigrante kanë fëmijë të vegjël dhe punësimi në këto raste është më i ulët, sikur edhe tek popullata gjermane. Mungesa e ofertave të kujdesit për fëmijët luajnë një rol qendror në këtë, thotë Bricker.
Ka edhe dallime në përvojën e punës midis burrave dhe grave. “Ka një numër dukshëm më të vogël të grave që sjellin përvojë profesionale nga vendet e tyre të origjinës. E një rol të veçantë luan edhe fakti që gratë futen shumë më vonë sesa burrat në programet e integrimit dhe në kurset e gjuhës në Gjermani”, thekson Bricker.
Me kalimin e kohës, numri i grave emigrante që janë të punësuara rritet: tetë vjet pas mbërritjes në Gjermani, shkalla e punësimit të femrave është rritur në 39 për qind, thuhet në studimin e Institutit për Kërkimin e Tregut të Punës dhe Punësimit (IAB).
Fakti që refugjatët fitojnë shumë më pak se popullsia mesatare nuk është vetëm për shkak të moshës më të re të emigrantëve. Studimi tregon se shumica e refugjatëve “janë ende të punësuar në sektorin me paga të ulëta”.
Fakti që pak më shumë se gjysma e të anketuarve në vitin 2021 kishin një punë do të thotë gjithashtu se një përqindje e lartë e refugjatëve gjashtë vjet pas mbërritjes në Gjermani ende jetojnë nga ndihmat sociale.
“Gjashtë vjet pas mbërritjes në Gjermani, 46 për qind e refugjatëve marrin ndihma sociale nga shteti ose janë pjesë e komunitetit që ka nevojë për ndihmë”, thuhet në studimin e IAB. Pas shtatë ose më shumë vitesh, ky numër bie në 40 për qind./DW
Discussion about this post