Mesdheu Qëndror përbën më shumë se gjysmën e kalimeve të migrantëve të parregullt në Bashkimin Europian, njoftoi të premten Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.
Sipas raportit, numri i kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian u rrit 13% në shtatë muajt e parë të vitit 2023 në rreth 176100, shifra më e lartë për periudhën janar-korrik që nga viti 2016.
Sipas FRONTEX-it rritja u ndikua tërësisht nga numri i mbërritjeve përmes Mesdheut Qendror, i cili mbetet rruga kryesore e migracionit në Bashkimin Europian dhe përbën më shumë se gjysmën e të gjitha zbulimeve në kufijtë e BE-së.
Mesdheu Qëndror kishte 89000 kalime të parregullta të migrantëve të raportuara nga autoritetet kombëtare, në shtatë muajt e parë të 2023, totali më i lartë në këtë rrugë për këtë periudhë që nga viti 2017, me nje rritje mbi 115%.
“Rritja e numrit të migrantëve në këtë rrugë mund të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm me kontrabandistët që ofrojnë çmime më të ulëta për migrantët që nisen nga Libia dhe Tunizia në mes të konkurrencës së ashpër midis grupeve kriminale”, vlerëson raporti i FRONTEX-it.
Fatkeqësisht, kalimet detare mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme, thotë raporti.
Raporti i referohet të dhënave të Organizatës Botërore për Migracionin IOM, ku thuhet se më shumë se 2060 migrantë u zhdukën në Mesdhe, midis janarit dhe korrikut, me shumicën dërrmuese në rrugën e Mesdheut Qendror.
Mbërritjet e migrantëve në të gjitha rrugët e tjera migratore shënuan rënie nga një vit më parë, duke filluar nga 2% në Mesdheun Perëndimor deri në 29% në rrugën e Mesdheut Lindor.
Gjatë periudhës janar-korrik, rruga e Ballkanit Perëndimor, rruga e dytë më aktive me më shumë se 52200 kalime migrantësh të parregullt , pësoi një rënie prej 26%, kryesisht për shkak të politikave më të shtrënguara të vizave, thotë FRONTEX-i.
Siaps raportit të FRONTEX-it rreth 2800 oficerë të trupave këmbësore dhe staf janë të përfshirë në operacione të ndryshme që mbështesin shtetet anëtare dhe vendet fqinje në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europain dhe luftimin e krimit ndërkufitar.
Shqipëria vijon të njohë prurjet e migrantëve të parregullt nga Greqia
Shqipëria si pjesë e Rruëgs Ballkanike të kalimit të migranëtve të parregullt vijon të njohë prurje sidomos nga kufiri grek.
Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti në territorin e Shqipërisë janë identifikuar sipas policisë kufitare shqiptare rreth 3 600 migrantë të parregullt, prej të cilëve mbi 1500 kanë hyrë përmes pikës kufitare të Qafë Botës në kufirin greko shqiptar.
Në korrik autoritetet vunë në shërbim Qendrën e Regjistrimit dhe Strehimit të Përkohshëm për migrantët në pikë kufitare duke e parë si nevojë për akomodimin prej fluksit të shtuar të migrantëve të parregullt që hyjnë në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër nga Greqia.
Kjo është qendra e tretë e përkohshme që ngrihet në Shqipëri për migranët e parregullt, pas asaj të hapur në Grehot të Gjirokastrës në vitin 2017 dhe asaj në pikën kufitare të Kapshticës në vitin 2019.
Këtë vit janë shtuar incidentet me kontrabandistët e migrantëve ku janë zhvilluar sipas të dhënave policore rreth 68 operacione me bllokimin e qindra migrantëve të parregullt dhe ndalimin e dhjetëra kontrabandistëve.
Rrjete e organizimit të transportit të migrantëve nga hetimet policore rezultojnë se veprojnë në të dy anët e kufirit shqiptaro- grek.
Kundrejt shumave të mëdha finaciare që variojnë nga 500 deri në 1000 dollarë për çdo emigrant këto rrjete realizojnë kalimin e migranëtve nga kufiri jugor dhe juglindor shqiptar me Greqinë drejt kufijve veriorë të Shqipërisë me Malin e Zi dhe Kosvën ku migrantët vijojnë rrugën drejt vendeve europiane. /Voa/
Discussion about this post