Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka zgjedhur sërisht të mos nxjerrë dekret edhe për ligjin e 3-të, atë që ka të bëjë me Akademinë e Shkencave, një nga vendimmarrjet e kontestuara nga opozita, por edhe akademiku Artan Fuga.
Ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave u miratuan në seancën e 20 korrikut, ashtu si edhe ligji për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, apo ai për trajtimin e studentëve të Mjekësisë, që është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.
Ligji për mjekët e rinj i detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në pesë vite në Shqipëri, përpara se të marrin diplomën, ose në të kundërt do të duhet të paguajnë tarifat e studimeve. Përmes një vale protestash, studentët e Mjekësisë e kundërshtuan këtë ligj si diskriminues dhe të pakonsultuar.
Me kërkesën që të mos dekretonte ligjin, studentët u pritën më 25 korrik në një seancë dëgjimore nga presidenti Begaj, i cili, sipas zyrës së shtypit, “dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre”.
“Presidenti siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese,” njoftoi pas takimit zyra e shtypit.
E ndërsa pritej një reagim nga Presidenti lidhur me ligjin për Akademinë e Shkencave, sërisht Begaj ka zgjedhur të mos shprehet me dekret, duke i çelur rrugën hyrjes në fuqi të ligjit të miratuar me shumicën e votave të deputetëve socialist.
Qëndrimi i Presidentit është në vijim të sjelljes së tij në raport me Qeverinë, duke mos krijuar kontestime dhe përplasje. Nga momenti që ka hyrë në zyrën e Presidentit, Bajram Begaj ka kthyer vetëm një ligj, atë për dekoratët, që janë një nga kompetencat e Kreut të Shtetit.
Gjithsesi në rastin e ligjit për Akademinë e Shkencave kishte një pritshmëri të lartë mbi reagimin e Kreut të Shtetit, veçanërisht pasi dy deputete të PD-së, Ina Zhupa dhe Flutura Açka, të paktën publikisht kishin shfaqur besim të tepruar te Presidenti, për të mos dekretuar ndryshimet.
Deputetja Açka iu drejtua Presidentit me një kërkesë ku kërkonte kthimin e ligjit në Kuvend për ri-shqyrtim, ndërsa evidentonte të gjitha shkeljet përsa i takon procedurave parlamentare që u ndoqën për paraqitjen, shqyrtimin dhe më pas miratimin e ligjit. Açka e cilësonte ligjin si një “puç institucional” duke shprehur besimin se Presidenti apo stafi i tij i këshilltarëve dhe ndihmësve do të evidentonin shkeljet.
Po kështu Ina Zhupa, pas një takimi me Kreun e Shtetit, u shpreh besimplotë se Presidenti Begaj do të shqyrtonte me objektivitet të gjitha shkeljet e prezantuara.
Ligji për Akademinë e Shkencave shkel kushtetutën, pasi është ligj i qepur si kostum për Gjinushin. I kam kërkuar presidentit që të mos dekretojë ligjin për Akademinë e Shkencave.
Shprehu interes për të dëgjuar dhe për të shqyrtuar shkeljet e konstatuara. Për mua është me rëndësi që procesi të shikohet si proces që nuk ka të bëjë vetëm me akademinë e Shkencave, por gjëra që lidhen drejtpërdrejtë me qeverinë.
E vlerësova presidentin për takimin që organizoi dhe për dëgjesën me mua. Mendoj se presidenti do të respektojë kushtetutën e vendit dhe do të qëndroj në mbrojtje të kushtetutës”, tha deputetja Zhupa.
Përtej qëndrimeve, komenteve dhe pritshmërive, Presidenti zgjodhi të heshtë, pra të mos nxjerrë dekret as për kthimin e ligjit apo miratimin e tij. Kjo heshtje e Kreut të Shtetit për 3 nga ligjet më të kontestuara, pavarësisht se mund të interpretohen si një lloj kundërshtie e tij, nuk pengojnë aspak Qeverinë apo mazhorancën në projektet e tyre, madje as nuk i vonojnë, pasi ligjet hyjnë automatikisht në fuqi.
Të vetmet që mund të jenë zhgënjyer nga Presidenti janë deputetet e opozitës, studentët e Mjekësisë që shpresonin te një rikthim i ligjit, apo ata që shpresonin se Kreu i Shtetit do ti vendoste një pengesë, qoftë edhe formale, legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial.
Discussion about this post