Përmes një dokumenti të mbëritur në prokurorinë e posaçme, SPAK nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, hetuesit kanë zbuluar një seri pronash në Shqipëri, të regjistruara në emër të Ilir Rrapajt, pronarit të koncesionit të sterilizimit të paisjeve kirugjikale dhe shokut të tij të ngushtë, Klodian Rjepaj.
Dokumenti tregon se Rrapaj është përqëndruar në investime në apartamente në bregdet, Tiranë. Ndërsa miku i tij, shoku i klasës dhe njëherësh ish-zv/ministër i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, zotëron tre pasuri të paluajtshme në zonën e Kasharit.
Nga ana tjetër, njëherësh disa kompani janë hapur rishtazi nga Ilir Rrapaj, fill pas fitimit të koncesionit të sterilizimit, duke sjellë arkëtimin e miliarda lekëve.
Sipas SPAK, ka rezultuar se Klodian Rjepaj ka në bashkëpronësi tre pasuri të paluajtshmë me sipërfaqe totale prej 32 mijë m2. Rjepaj nuk është pronar i vetëm në këtë sipërfaqe toke, pasi bashkë me të rezultojnë pronarë Sokol Muça, Griselda Belshi, Brunilde Gjinali, Suela Sallavaci, Arjan Nervaj, Arsen Kurti, Anila Meço, Henrieta Kallushi, Dorian Bardhi, Arjan Haxhi, Daniel Shaw, Bujar Veshi.
Arjan Nervaj, është vëllai i Altin Nervaj, administratorit që zotëron 50 për qind të aksioneve në kompaninë “Alba Light”, e cila ka transaksione për shërbime me koncesionin objekt hetimi.
Tre pasuritë ku Klodian Rjepaj është pronar me shtetasit e sipërcituar, figurojnë në fshatin Mazrek në Kashar dhe janë të llojit arë, me sipërfaqe, përkatësisht 10 mijë m2, 7 mijë m2 dhe 15 mijë m2, të regjistruara në emër të bashkëpronarëve përkatësisht në datat 4 gusht 2011, 8 korrik 2013 dhe 2 maj 2012.
Ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në datën 18 qershor 2018 ka themeluar NIPT-in fizik me emrin tregtar “Health Protection International”, ku objekti është: ”…konsulencë, shërbime në lidhje me mbrojtjen e shëndetit, shërbime mjekësore. Import-eksport të aksesorëve në lidhje me fushën e shëndetit. Akreditim, certifikim i institucioneve shëndetësore dhe jo shëndetësore, publike dhe private. Programe trajnimesh në fushën e shëndetit, mjedisit dhe në fushën sociale…”.
Gjithashtu biznes laboratorësh ka hapur dhe Gentiana Rjepaj, bashkëshortja e ish-zv/ministrit të shëndetësisë Klodian Rjepaj.
Nga ana tjëtër, miku i këtij të fundit, vlonjati Ilir Rrapaj është pronari kryesor me 40 për qind të aksioneve të kompanisë konçesionare “Sani Service”, që ka si objekt sterilizimin e paisjeve kirurgjikale në të gjitha spitalet e Shqipërisë.
Rrapaj ka depërtuar në këtë koncesion përmes kompanisë “Investitial” të regjistruar në Prishtinë, një kompani kjo që merret me ndërtim të mureve dekorative në Itali dhe Kosovë.
Sipas dokumentave të siguruara, në emër të Ilir Rrapaj është regjistruar kompania “Globalsher” me objekt të përgjithshëm kooperimi, që padyshim nuk mungon dhe biznesni i materialeve kirurgjikale dhe produktet e kozmetikës.
Rrapaj rezulton 100 për qind aksioner i kësaj kompanie ndërsa administrator të saj ka vendosur të besuarin e tij, nipin Bledar Rrokaj, i cili ka shërbyer si administratori i parë i shoqërisë koncesionare “Sani Service”.
“Globalsher” ka fatura të librit të shitjeve gjithsej në vlerën 1.857.516.760 lekë. Nga totali i shitjeve, me koncensionarin “Sani Service”, nëpërmjet 521 faturave të shitjes ka vlerën 1.767.955.091 lek nga muaji nëntor 2016 deri në muajin dhjetor 2021.
Kjo vlerë është sa 95.2 për qind e të gjitha shitjeve të kryera nga “Globalsher”. Nga kjo shumë, vetëm për shërbimin e mirëmbajtjes, mirëmbajtjes “Full Risk” dhe asistencë teknike ndaj koncensionarit “Sani Service”, faturat fizike shkojnë në shifrën 696.752.500 lekë dhe 321.811 euro.
Një tjetër kompani e Ilir Rrapaj është “Albamed 2014” në të cilën ai zotëron 60 për qind të aksioneve ndërsa 40 për qind zotëron Drejtoresha e konçesionit, italiania Elisabetta Anzanello. Kjo e fundit është gruaja e Umbro Staccini, një tjetër pronar i kompanisë koncesionare “Sani Service”.
“Albamed 2014” ka të deklaruara fatura shitje në vlerën gjithsej në vlerën 38.659.793 lekë. Nga këto shitje i ka bërë vetëm me “SaniService”. Ky subjekt ka bërë blerje në një total në vlerën 54.872.150 lekë, kryesisht nga “Newster Systems srl” shoqëri italiane, në vlerën 8.424.906 lekë nga muaji prill 2017 deri në mars 2019. Nga “Tecnosanimed srl” shoqëri italiane, në vlerën 25.1563519 lekë nga muaji qershor 2016 deri në muajin janar 2019. Nga “Geonet Sistemi srl” shoqëri italiane, në vlerën 17.933.512 lekë në muajin dhjetor 2016.
Një tjetër pasuri e Ilir Rrapaj është një ndërtese me sipërfaqe 117 m2 e rregjistruar në 5 prill 2016, të cilin ai e ka blerë në Vlorë. Sipas dokumentave, ndërtesa në pronësi të Rrapaj, ngrihet mbi pasurinë me Nr.3/242 volumi 42, faqja 88.
Gjithashtu në emër të Ilir Rrapaj ekziston dhe një pasuri ndërtesë dhe truall në Berat me sipërfaqe prej 41 metra katrorë. Kjo pasuri është marë prej tij dhe Gëzim Rrapaj në 26 qershor 2014.
Mes pasurive të paluajtshme në emër të Ilir Rrapaj ndodhet dhe një apartament me sipërfaqe 105 metra katror. Prona ndodhet në zonën e Saukut dhe është blerë me vlerën fillestare prej 60 mijë euro.
Këto janë vetëm disa nga pasuritë e Ilir Rrapaj, pa llogaritur këtu gjendjen e parave në llogaritë bankare, vlerën e automjeteve që disponon dhe pasuritë që gëzon jashtë shtetit në Itali dhe Kosovë./ORA
Discussion about this post