Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi blen një biletë avioni për në Dubai, ku do të qëndrojë 6 ditë e pesë net. Udhëtim turistik është ky? Çfarë mund të bëjë ministrja kaq gjatë në Dubai?!
Për biletën e saj Evisi ka urdhëruar tenderin në datë 10 gusht 2023 në ora 12,30. Konkretisht, autoriteti kontraktor, që drejtohet nga titullarja e institucionit, ka zhvilluar procedurën e prokurimit për blerjen e biletave të transportit ajror ndërkombëtar me objekt: “Blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar me destinacion Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Bileta e porositur është vajtje ardhje, ku përcaktohen “Nisja: Tiranë – Dubai më 23.10.2023” dhe “Kthimi: Dubai – Tiranë më 28.10.2023”.
Biletat, sipas njoftimit për tender duhet të jenë me bagazh të plotë të përfshirë. Ndërkohë afati i dërgimit të dokumentave duhet bërë brenda 2 orëve nga momenti i njoftim fituesit. Tenderi është bërë në gusht, megjithëse udhëtimi është planifikuar të bëhet në tetor.
Ne kemi vetëm dokumentet e tenderit të porositur nga Kushi, por sipas VKM nr. 870, datë 14.12.2011, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”, në këtë rast bëhen edhe planifikime për shpenzime hoteli dhe dieta. Ndoshta, mbulimi i shpenzimeve bëhet nga pala pritëse, si darka e ministrave tek restoranti “Nusr-Et Steakhouse Dubai”, por nuk jemi në dijeni të axhendës së Kushit.
Ndërkohë tenderi mban statusin “shpallur fituesi”, por Evis Kushi nuk na tregon se sa kushtoi bileta dhe çfarë klasi do të ulet në avion.
Para se të nisë viti i ri shkollor, ministrja Kushi do të bëjë edhe një udhëtim në Gjenevë, Zvicër. Mësojmë se në të njëjtën ditë, në 10 gusht 2023, titullarja e Arsimit ka urdhëruar një tjetër tender për bileta avioni. Këtë radhë i duhet të udhëtojë për në Gjenevë!
Bileta e porositur është Tiranë- Gjenevë – Tiranë, ku përcaktohet se nisja do të jetë më 3 shtator dhe kthimi në 5 shtator 2023. I bën pak të gjata vizitat ministrja, por ia vlen, një rrugë e disa punë.
Ministrja Kushi nuk jep informacione në media për udhëtimet e punës jashtë shtetit (si ky i Dubait), por në një rast u detyrua ta bënte këtë për të mbrojtur kolegun Taulant Balla bga sulmet e opozitës. Kjo ndodhi në vitin 2018, kur deputeti Ervin Salianji nxori udhëtimet e Ballës me avion çarter me një trafikant drogë bazuar në të dhënat e sistemit TIMS.
Sipas Evis Kushit, në një nga datat e pretenduara, Balla kishte qenë bashkë me të në Bruksel, për një takim pune në BE.
Sa shpenzojnë ministritë për udhëtime?
Nga një kontroll në tabelat e planifikimit të shpenzimeve nga institucionet qendrore, zbulohet se 70.5 milionë lekë (të reja) ishin caktuar për blerjen e biletave ajrore nga Këshilli i Ministrave dhe 7 ministri përgjatë vitit 2023.
Ministria e Arsimit ka publikuar vlerën e tenderëve që parashikonte të zhvillonte për bileta avioni që është 3 milionë lekë të reja.
Shpenzimet më të larta për udhëtime me avion bën Ministria e Mbrojtjes, me 25 milionë lekë, ndërsa pas saj vijnë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me nga 12 milionë lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ajo e Brendshme dhe Këshilli i Ministrave parashikuan një fond limit prej 5 milionë lekë secili, ndërsa Ministria e Drejtësisë 3.5 milionë lekë.
Ndërkaq, ministritë që nuk e kanë bërë publik parashikimin për këto shpenzime janë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit.
Gjithsesi, për ministrinë e Jashtme kemi një të dhënë të tërthortë që vjen nga tenderi i zhvilluar në 3 mars 2023 për bileta avioni. Vlera e porositur është jo pak, por 170 milionë lekë. Sikur diplomacia jonë të ecte me hapat e shpenzimeve të Xhaçkës, tashmë do të ishin anëtarë të BE-së.
Kujtojmë se Xhaçka është e famshme për udhëtimet e saj ajrore. Në njërin që u diskutua gjatë, Xhaçka u shfaq duke zbritur nga helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes në Peshkopi, ku kishte një takim elektoral.
Theksojmë se, në shifrën prej 70.5 milionë lekë (të reja) përfshihen vetëm ministritë, dhe jo institucionet e varësisë, që gjithashtu planifikojnë miliona lekë shpenzime për udhëtime ajrore jashtë vendit. Po ashtu, në këtë vlerë nuk përfshihen bashkitë.
Dubai në gjeografinë e udhëtimeve të zyrtarëve
Edhe gjatë vitit 2022, institucionet shtetërore kishin të njëjtin trend me udhëtimet jashtë vendit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, nga data 18 mars deri të mërkurën e 6 prill 2022, institucionet blenë bileta avioni me destinacione të ndryshme që kapin vlerën e mbi 6.7 milionë lekëve ose e thënë ndryshe 55.5 mijë euro.
Në këtë shifër nuk përfshihen dietat ushqimore dhe rezervimet në hotele. Sipas të dhënave janë realizuar në total 45 fluturime, 12 prej tyre me itinerar Tiranë-Gjermani.
Nga këto, gjysma janë zhvilluar nga punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë dhe të tjerat nga Prokuroria e Posaçme.
Destinacioni i dytë më i preferuar nga autoritetet shtetërore është Italia, ku rezulton se janë kryer 8 fluturime kryesisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.
Zvicra është një tjetër destinacion i preferuar nga institucionet pasi vetëm bashkia e Tiranës ka blerë nëntë bileta me një kosto prej 526 mijë lekësh.
Udhëtimet e tjera të destinacioneve shtetërore gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar në Hungari, Poloni, Francë, Belgjikë dhe Austri. Por nuk mungojnë as fluturimet në Dubai drejt së cilit me 28 dhe 29 mars 2022, Korporata Elektroenergjetike ka blerë dy bileta me vlerë 350 mijë lekë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post