Kriza energjetike me çmimet stratosferike tanimë është drejt zhdukjes, por KESH vijon të blejë energji më shtrenjtë sesa në bursë.
Edhe pse e gjithë pranvera e këtij viti ka qenë e lagësht dhe me reshje të shumta, çka solli mbushje maksimale të hidrocentraleve, KESH ka blerë energji në sasi të mëdha në muajin korrik, ndërsa në qershor shiti atë me çmim tepër të ulët.
Një situatë e tillë vë në pikëpyetje të madhe menaxhimin e kaskadës nga KESH, pasi prodhimi i energjisë këtë vit ka qenë i lartë për shkak të reshjeve të shumta.
KESH, blen energji dyfish më shtrenjtë se në bursë
Koha kur çmimi i energjisë në bursë arriti deri në 1000 euro për megavat, duket shumë e largët nëse shohim çmimet aktuale të bursës ku një megavat ka arritur të shitet me 40-45 euro, aq sa ishte përpara krizës së energjisë.
Por për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, të dhënat e bursës nuk përbëjnë rëndësi, pasi çmimi me të cilin blihet energjia është disa herë më e lartë sesa të dhënat në bursë.
Për të ilustruar këtë situatë shqetësuese të përdorimit të taksave tona, Gijotina ka analizuar vlerat me të cilat është blerë energjia dhe çmimet që kanë pasur në bursë.
Konkretisht KESH ka zhvilluar një ankand për blerje energjie për datat 15-16 korrik, duke siguruar 9600 megavat energji me çmim 83.63 euro/megavat. Por në bursa çmimet ishin shumë herë më lirë, dhe varionte nga 45 deri në rreth 54 euro një megavat.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tenderin tjetër për të blerë energji për datat 22-30 korrik, ku KESH ka blerë 51.775 megavat energji me çmime që varionin nga 111 euro/megavat deri në 124 euro për megavat. Por e kundërta është panorama me çmimet në bursën hungareze HUPX. Në këto data çmimet në bursë ishin në shifrat 62 euro deri në 96 euro një megavat.
Abuzimi i radhës është në tenderin për të blerë energji për datat 31-6 gusht, ku janë siguruar 38.850 megavat me çmime nga 92 euro në 106 euro për megavat. Ndërsa në bursë çmimet varionin për këto data në vlerat 50 euro deri në 76 euro.
Të gjitha këto prova tregojnë se ka një keqmenaxhim të situatës duke shkaktuar humbje financiare në kurriz të qytetarëve, që mesa duket energjia po ju kushton çdo ditë e më shumë pavarësisht se bursa është stabilizuar.
KESH shpërdoron 8 mln euro
Bazuar në të dhënat e publikuara nga KESH, rezulton se përgjatë muajit korrik janë blerë në total 215.225 megavat energji elektrike, me vlerë plot 23.722.880 euro.
Por çfarë ndodh nëse KESH do të kishte studiuar çmimet, dhe do i kishte përdorur fondet me kujdes?
Nëse sasia e energjisë së blerë prej mbi 215 mijë megavat do të ishte importuar me çmimet reale të bursës, kostoja e tyre do të ishte vetëm 15.728.643 euro, dhe KESH do të kishte kursyer 7.994.237 euro. Vetëm në këtë rast mund të flitet për mirëmenaxhim të importeve të energjisë.
Tabela e mëposhtme do të tregojë diferencat me të cilat është blerë energjia në bursë. Sipas përllogaritjeve rezulton se një megavat është importuar nga KESH me vlerë përafërsisht 106.24 Euro, ndërkohë që çmimi mesatar në bursë për këto data është mesatarisht 73.08 euro, pra është blerë me 33.16 euro më shumë.
KESH shet energji më lirë se në bursë
Keqmenaxhimi i situatës me importet dhe eksportet e energjisë, mbetet shqetësuese, dhe vetë njoftimet e ankandeve e konfirmojnë këtë gjë. KESH në sezon veror kur dihet që shirat janë më të pakta, dhe kërkesa për konsum rritet për shkak të temperaturave të larta, ka vendosur të shesë energji.
Korporata ka shitur 25.704 megavat energji në datat 19, 20 dhe 23 qershor me çmime qesharake në raport me ato që ishin në bursë.
Konkretisht KESH ka shitur në 19 qershor 1704 megavat energji me çmim 85.63 euro/Megavat, ndërkohë që në bursë çmimi ishte 119.90 euro/megavat. Po ashtu në datat 20-23 qershor janë shitur 24 mijë megavat me çmim 77.31 euro, ndërkohë që bursa ishte 115 euro deri në 123.31 euro.
Nga shitja e energjisë KESH ka fituar në total 2.172.687 euro, por nëse energjia do të ishte shitur me çmimet që kishte aso kohe në bursë buxheti do të kishte siguruar 3.072.142 euro, dhe do ishim me fitim në vlerën e 899.455 euro.
Edhe gjatë vitit të kaluar kur kriza e energjisë ishte në kulmin e saj, dhe vështirësitë e financimit të ekonomisë ishin të mëdha për shkak të çmimeve të paparashikueshme, përsëri KESH, nuk arriti të mirëmenaxhonte situatën, fakt ky i konfirmuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili evidentonte faktin që nuk ishte studiuar tregu se kur ishte orari më i mirë për të blerë energjinë. Për pasojë janë rritur kostot për buxhetin e shtetit. E njëjta gjë vijon edhe këtë vit.
Nga ana tjetër është shqetësues edhe fakti që Shqipëria duhet t’i reduktonte importet, përsa kohë në Vlorë u instaluan TEC-et lundruese, të marra me qira që i kushtojnë buxhetit të shtetit 94.500 dollarë dita.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post