Sot shënohet 113-vjetori i lindjes së Shën Terezës.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – e njohur gjerësisht si Nënë Tereza e Kalkutës, por me prejardhje shqiptare, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Në moshën 18-vjeçare, ajo u shpërngul nga Maqedonia e Veriut për në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel” për Paqe.
“Me gjak unë jam shqiptare. Me kombësi, indiane. Me besim jam një murgeshë katolike. Si thonë të gjithë, unë i përkas botës. Me zemër unë e ndiej që i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”- këto janë disa nga fjalët e thëna nga Nënë Tereza në fjalimin e mbajtur gjatë marrjes së çmimit “Nobel”.
Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”- ishte porosia e Nënë Terezës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Përpjekjet e shenjtores shqiptare për të shtrirë misionin bamirësisë edhe në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit nëpërmjet letrave dhe dokumenteve, ishin të gjata. Por gjithçka u bë e mundur vetëm në vitin 1991.
Discussion about this post