Me zemër të thyer, anglezi George Gannon 61-vjeç, babai i Rebecca Gannon e cila humbi jetën 11 muaj më parë duke u zhytur në Sarandë, tregon për “Top Channel”, kalvarin e gjatë në gjetjen drejtësi për vajzën. Ai sjell për herë të parë detaje të panjohura për mbytjen e së bijës, duke theksuar se gjithçka ndodhi nga neglizhenca e kompanisë ku kishte rezervuar për Scuba Diving.
Muhamed Veliu: Si ka qenë kjo periudhë gati një vjeçare për familjen tuaj pa Rebekën?
George Gannon: Siç edhe mund ta imagjinoni, ne jemi të shkatërruar nga kjo, si unë me bashkëshorten dhe fëmijët tanë. Në tetorin e vitit të shkuar erdha në Sarandë, në kërkim të së vërtetës, se çfarë i ndodhi vajzës tonë dhe motrës të fëmijëve tanë. Jemi të shkatërruar, njësoj si gjithë-kush tjetër kur humb një fëmijë. Asnjë prind, nuk e meriton të jetë në funeralin e fëmijës së vet. Paçka se jemi të shkatërruar, nuk do ta ndalim betejën për të ditur çfarë i ndodhi asaj.
Muhamed Veliu: Cila është pikëpamja juaj për prokurorinë e Sarandës, e cila nuk i është përgjigjur ende kërkesës suaj për të mësuar në çfarë faze është hetimi?
George Gannon: Kam shpenzuar shumë muaj në Shqipëri pas funeralit të vajzës. Larg familjes, për t’i përcjellë atyre e shumë miqve të Rebekës që kishte në të gjithë botën, lajme se çfarë realisht kishte ndodhur. Unë besoj se policia, prokuroria dhe Mjekësia Ligjore në Shqipëri, po mundohen të fshehin diçka, duke mos na u përgjigjur e treguar për rrethanat si humbi jetën vajza jonë. Pas gjithë këtyre muajve, unë mendoj se ata mbas mendojnë ta vendosin këtë çështje nën tapet dhe sa më shumë ta vonojnë problemi do të shuhet. Por s’ka për t’u shuar. Unë do ta vijoj betejën.
Muhamed Veliu: Ju jeni zhvendosur nga Anglia për në Sarandë. Çfarë keni mundur të mësoni gjatë kësaj kohe?
George Gannon: Gjatë të gjithë dimrit qëndrova në Sarandë për të gjetur drejtësi për vajzën time. Askush nuk fliste me mua por munda të lidhem me një oficer policie, i cili ishte në dijeni të asaj çfarë i ndodhi vajzës sime. Pas shumë muajsh ai u vendos në anën e përpjekjeve të mia, por u transferua në një qytet tjetër. Kam humbur kontaktet. Nuk e kam parë më, pas disa muajsh punë bashkërisht. Ai u zhduk nga jeta ime. Nga qëndrimi im në Shqipëri mund t’ju them, se vërejta një tendencë për t’i vënë kapak asaj që ndodhi me Rebekën.
Muhamed Veliu: Nga kërkimet tuaja për rrethanat e humbjes së jetës të Rebekës, kjo tragjedi mund të evitohej?
George Gannon: Absolutisht! Vajza ime dhe partneri rezervuan Scuba Diving, që kur ishin në Angli. Rebecca ishte një zhytëse profesioniste bashkë më partnerin. Kishin bërë zhytje në Zelandën e Re, Australi, dhe Amerikën e Jugut. Janë profesionistë. Por a mund të ishte evituar kjo? Kompania që përgatiti zhytjen e vajzës Sime reklamonte në të gjithë botën përmes rrjeteve sociale, se ishte e vetmja kompani në Shqipëri e licencuar nga qeveria. Kjo kompani reklamonte duke thënë, mos i besoni zhytje kompanive të tjera. Bazuar në këtë, vajza ime bëri rezervimin por humbi jetën nga neglizhenca e kësaj kompanie. Nuk po sugjeroj se donin ta vrisnin atë por humbi jetën, prej neglizhencës së tyre.
Muhamed Veliu: Çfarë kemi parasysh kur flisni për neglizhencë?
George Gannon: Flas për pajisje me defekt. Kur Rebecca ishte mbi anije përpara se të humbte jetën zbuloi se jeleku me oksigjen që vishet në zhytje dhe kur jeni në rrezik shtypet një buton nuk fryhej. Ajo ia tha këtë të pronarit të kompanisë, se jeleku nuk punonte. Ai e tundi jelekun dhe tha se punonte. Pra, u zhyt më pas me një jelek me probleme. Besoj se kishte probleme edhe bombola e oksigjenit. Një ditë më parë zhytja ishte anuluar pasi në det vizibiliteti nën ujë ishte 30%. Ditën kur Rebecca humbi jetën paçka se vizibiliteti nën ujë ishte prapë 30%, u lejua zhytja. Ishin dy instruktorë. Një në fillim e një në fund, duke zhytur dyfishin e numrit të njerëzve.
Muhamed Veliu: Krahas të bërit drejtësi për vajzën tuaj, doni të ndryshoni edhe ligjin në Shqipëri për zhytjet. Si do ta bëni këtë?
George Gannon: Qëllimi im, është gjetja e disa përgjigjeve për vajzën që humbëm. Krahas kësaj do të kontaktoj ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, për të kuptuar se përse në Shqipëri ndodhin të tilla gjëra. Këto nuk ndodhin në Evropë pasi ka rregulla strikte sigurie, legjislacion i duhur e shumë masa siguruese. Falë këtyre rregullave vajzës sime nuk i ndodhi asnjë, në shumë vende të botës, ku ka qenë për zhytje. Në Shqipëri ka mungesë legjislacioni për këtë. Kushdo me një anije merr njerëz e i çon për Scuba Diving. Unë dua që ata të tjerë turistë që do të vinë në Shqipëri, të mos i ndodhë ajo që i ndodhi si pasojë e neglizhencës. Dua të ndryshoj gjërat për ata, që në ardhmen do të vizitojnë Shqipërinë. / TCH/
Discussion about this post