Lulzim Basha arriti sot që të konsolidojë pozitën e tij në PD-në zyrtare, ku përmes ndryshimeve në statutin, që u miratuan nga Kuvendi Kombëtar, të largojë Gazment Bardhin si kryetarin e Grupit Parlamentar, por edhe të ftojë demokratët, që ti bashkohen lëvizjes së tij.
Me ndryshimet e miratuara, Kryetari i partisë, nuk do të duhet të dorëhiqet në rastin e humbjes së zgjedhjeve, sikundër ai do të drejtojë Grupin Parlamentar, ose mund të emërojë një nga nënkryetarët për ta ushtruar këtë detyrë.
“Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar”, thuhet ne statutin që u miratua.
Ndërsa në nenin 48 theksohet se kur PD do të jetë një parti në qeverisje ky funksion do ti nënshtrohet votimit të fshehte dhe kandidati do të propozohet nga kryetari i PD-së.
Në nenin 48, parashikohet dhe mundësia e delegimit të këtij posti, por gjithmonë me pëlqimin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Nënkryetarët zgjidhen nga Këshilli Kombëtar, me propozimin e Kryetarit, i cili pavarësisht nga çfarë thuhet në fjalime zyrtare, me ndryshimet statutore, forcon pozitat e tij, pa kufizim mandate, edhe pse në anën tjetër kërkohet kufizimi i mandatit në kohë për Kryeministrin.
“Kufizimi i mandateve është në bazë të shëndoshjes së demokracisë. Ne duhet të sanksionojmë jo më shumë se dy mandate, në krye të qeverisë”, theksoi Basha në Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Ai u shpreh se do të reformojnë sistemin politik duke filluar me një kushtetutë të re, ku presidenti do të zgjidhjej nga populli.
“Një president nga populli i cili brenda kompetencave të kufizuara kushtetuese të mos i merrte dorën kryeministrit që e zgjedh me 71 vota me mbështetje aq të vogël, me shumicë të thjeshtë, për të firmosur këtë apo atë akt. Ne jemi për sanksionimin e parimit të listave të hapura të cilat do të zhbënin kryetarokracinë dhe kapjen e spektrit politik nga dy apo tre njerëz. Ne do ta rifunksionalizojmë garën demokratike përmes listave të hapura”, deklaroi Basha.
Një mesazh, Basha e kishte edhe për demokratët, që i ftoi të bashkohen në lëvizjen e tij, pavarësisht se sot mund të jenë të pozicionuar si mbështetës t ëish-Kryeministrit Sali Berisha apo grupimit të kryesuar nga Gazment Bardhi.
“Jeni të mirëpritur në çdo moment, do të krijojmë federatën e djathtë me çdo aleat. Parimi i kontributit dhe rezultatit do të jetë parimi ynë themelor. Askush nuk do të marrë pushtet pa rezultat, askush që ka rezultat nuk do të shmanget nga pushteti.
Kjo është pak por e sigurt në rrugën që kemi nisur për të ardhur në pushtet. Unë sot i bëj një thirrje miqve tanë të Foltores, anëtarëve të thjeshtë deri te strukturat e asaj lëvizje. Të gjithë kanë një vend në partinë e madhe demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe jo thjesht mes demokratëve por edhe me shoqërinë shqiptare. Partia Demokratike ka qënë dhe do të mbetet partia e parë e së djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton.
Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët. Ne do ta zgjerojmë këtë aleancë përtej këtyre partive.
Ne do ta zgjerojmë përmes Aleancës Qytetare për Demokracinë që do të sigurojë nesër shumicën e nevojshme për qeverisjen e vendit. i bëj thirrje nga ky podium, edhe në emrin tuaj, kujtdo që beson te Partia Demokratike, kushdo që beson te një e ardhme më tëmirë, kushdo që kërkon të japë kontribut për Shqipërinë, kushdo që beson te një politikë ndryshe dhe të moralshme, dyert e Partisë Demokratike do të jenë të hapura.
Pedagogë, ekspertë në fusha të ndryshëm, të rinj të talentuar që Shqipëria i ka me shumicë, gazetarë e artistë, apo intelektual publik, profesionistëdhe sipërmarrës të diasporës së mrekullueshme shqiptare, Partia Demokratike, e djathta shqiptare dhe Shqipëria ka nevojë për kontributin tuaj. Prandaj ne jemi të hapur, unë personalisht do të jem gjithmonë i gatshëm dhe në kërkim të mirëpres kontributin tuaj për të ndërtuar të ardhmen që shqiptarët meritojnë.”, tha Basha.
Discussion about this post