Në gusht, Moldavia i përzuri 35 diplomatë rusë dhe anëtarë të Ambasadës, duke u thirrur mbi frikën se Moska po bën përpjekje për ta “destabilizuar” vendin, pasi hulumtimet e mediave gjetën një numër “të tepërt” të antenave në kulmin ndërtesës së ambasadës.
Por, diplomatët e lidhur me inteligjencën ruse janë në mesin e stafit të zvogëluar që ka mbetur në Ambasadën e Rusisë në Moldavi, pas përjashtimeve masive, ka gjetur një hulumtim i ri i Shërbimit moldavian të Radios Evropa e Lirë.
Së paku dy nga këta diplomatë mbajnë lidhje me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), agjencisë së fuqishme ruse të inteligjencës së brendshme, ndërsa dy të tjerë ndërlidhen me adresat e drejtorisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë në Moskë. E njohur si GRU, kjo organizatë është përfshirë në helmime dhe sabotime nëpër Evropë, sipas të dhënave të regjistrave qeveritarë, të cilat i ka rishikuar REL-i.
Këto regjistra vijnë nga një varg bazash i të të dhënave zyrtare të publikuara online falë tregut rus për publikimin e të dhënave, i cili ka ndihmuar në demaskimin e të dyshuarve në një sërë operacionesh të inteligjencës ruse në vitet e fundit. Ato përfshijnë automjete, punësime, pasaporta dhe kartela kreditore ruse që datojnë para një dekade.
Diplomatët rusë në Ambasadën në Kishinjev të lidhur me FSB-në përfshijnë dy sekretarët e parë – zyrtarë të lartë rusë në rank diplomatik – ndërsa atasheu ushtarak dhe ndihmësi i tij janë regjistruar në adresa të përdorura nga GRU-ja, sipas regjistrave që rrodhën.
Gjetjet e hulumtimit të REL-it tregojnë sesi Rusia po vazhdon të emërojë në ambasadat e veta evropiane personel me të kaluar të inteligjencës, me gjithë përpjekjet e shteteve të BE-së për ta zvogëluar numrin e spiunëve rusë që punojnë nën mburojën diplomatike, pas pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë nga presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt 2022.
Një hulumtim i REL-it në mars gjeti se, së paku tre diplomatë rusë, të cilët ishin përjashtuar apo ishin futur në listën e zezë nga shtetet anëtare të BE-së, disa prej të cilëve përmendën spiunazhin nga të dërguarit e pezulluar, u rishfaqën si diplomatë rusë të akredituar në Serbi.
E pyetur për gjetjet e REL-it, Ministria e Jashtme e Moldavisë tha më 5 shtator se Qeveria ka ndërmarrë “disa hapa të fuqishëm dhe nevojshëm për t’i luftuar veprimet destabilizuese të Federatës Ruse kundër vendit tonë”, përfshirë duke e kufizuar praninë diplomatike të Moskës si përgjigje ndaj “veprimeve jomiqësore…përfshirë në kontekst të dyshimeve në lidhje me veprimet e mundshme të spiunimit”.
Ambasada e Rusisë në Kishinjev nuk i është përgjigjur pyetjeve rreth gjetjeve të hulumtimit të REL-it deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi.
Që nga pavarësimi i Moldavisë nga Bashkimi Sovjetik më 1991, Moska ka vazhduar të ushtojë ndikim të madh në vendin e vogël me një popullsi prej 2.6 milionë, posaçërisht duke e shfrytëzuar varësinë tradicionale të Moldavisë në energjinë ruse. Që nga pushtimi i Ukrainës më 2022, Moldavia ka bërë lëvizje për ta dobësuar varësinë në gazin rus dhe e ka dënuar vazhdimisht agresionin e Kremlinit, duke i pranuar më shumë se 100 mijë refugjatë ukrainas.
Moska i ka ende edhe 1.000 trupa të vendosura në rajonin e shkëputur nga Moldavia, Transnjestër, gjoja si paqeruajtës pasi separatistët e mbështetur nga Kishinjevi dhe Rusia bënë një luftë të shkurtër por të përgjakshme në vitin 1992, që u shndërrua në një konflikt të ngrirë pas ndërhyrjes së Rusisë në anën e kryengritësve./REL
Discussion about this post