Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe aleatët e tij do të njoftojnë këtë të shtunë gjatë samitit të G20-ës për një plan për një korridor të transportit detar dhe hekurudhor, i cili do ta lidhte Indinë me Lindjen e Mesme dhe Evropën – i cili pritet ta ndryshojë tregtinë globale.
Projekti do t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera në G20, tha Jon Finer, zëvendëskëshilltari për Siguri Kombëtare i Bidenit.
Biden, kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të njoftojnë për këtë projekt si pjesë e Partneritetit për Investime në Infrastrukturën Globale.
Korridori i transportit detar dhe hekurudhor do të mundësonte tregti më të madhe mes vendeve, përfshirë të produkteve të energjisë.
Ai mund të jetë, po ashtu, njëri prej projekteve më ambicioze kundër programit masiv të Kinës për infrastrukturën, përmes të cilit ajo ka synuar t’i lidhë më shumë pjesë të botës me ekonominë e vet.
Finer i nënvizoi tri pikat kryesore të projektit. Ai tha se e para është rritja e prosperitetit që projekti do ta ofronte për vendet e përfshira në të, duke e rritur rrjedhën e energjisë dhe komunikimeve digjitale. E dyta, projekti do të ndihmonte në adresimin e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për rritje në vendet me të hyra të vogla dhe të mesme. Dhe e treta, Finer tha, projekti do të ndihmonte “në uljen e temperaturës” së “pasigurisë dhe trazirave” që vijnë nga Lindja e Mesme.
Von der Leyen pritet ta përshkruajë projektin si “as më shumë e as më pak se historik”, dhe si një “korridor ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë” i cili do ta përshpejtojnë tregtinë mes Indisë dhe Evropës për 40 për qind, sipas një drafti të fjalimit të përgatitur të saj.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka qenë i pranishëm vazhdimisht në samitet ndërkombëtare, përfshirë në atë të G20-ës vitin e kaluar në Indonezi, qëkur Rusia e pushtoi vendin e tij para më shumë se 18 muajve, nuk u ftua nga qeveria e Mondit për tubimin e këtij viti.
Zelensky i ka përdorur tubimet e nivelit të lartë për të argumentuar për mbështetjen e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake për vendin e tij. India është ndër aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuar që ka qëndruar kryesisht e heshtur rreth luftës dhe madje e ka rritur dukshëm blerjen e naftës ruse.
Finer tha se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë bënë trysni për përfshirjen e Zelenskyt në samit.
Shtëpia e Bardhë është duke tentuar ta forcojë G20-ën si forum ndërkombëtar, derisa presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë vendosur të mos marrin pjesë.
Prapëseprapë, Kina dhe Rusia janë të përfaqësuara në këtë samit dhe kjo do ta bëjë të vështirë për G20-ën të bëjë deklaratë të përbashkët për luftën në Ukrainë./REL
Discussion about this post