Një anketë e kryer në 14 vende në të dyja anët e Atlantikut, vë në pah se ndryshimet klimatike dhe imigracioni janë në krye të shqetësimeve të sigurisë së evropianëve dhe amerikanëve të veriut, ndërsa Kina po garon për t’u konkurruar Shteteve të Bashkuara në ndikimin global në vitet e ardhshme.
I publikuar të martën, raporti i Fondit Gjerman Marshall për vitin 2023 mbi Trendet Transatlantike, gjen gjithashtu mbështetje të fortë të vazhdueshme publike për NATO-n dhe për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën transatlantike dhe në Bashkimin Evropian, me gjithë paralajmërimet e disa ekspertëve.
Të anketuarit në të dyja anët e Atlantikut, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, disa vende të Bashkimit Evropian si dhe Britaninë dhe Turqinë, duan gjithashtu që qeveritë e tyre të bashkëpunojnë më shumë me Kinën. Të anketuarit më të rinj kanë më shumë gjasa ta shohin më negativisht ndikimin e Shteteve të Bashkuara dhe më pozitivisht atë të Rusisë dhe Kinës.
“Duket se periudha e transatlantizmit të zjarrtë ka përfunduar. Ne gjithashtu shohim një rend botëror që ndryshon me shpejtësi dhe publiku është i vetëdijshëm për këtë”, tha Gesine Weber, një bashkëpunëtore e Fondit Marshall, duke folur për gjetjet që tregojnë një ‘status quo’ në lidhjet transatlantike, ndërsa më pak të anketuar sesa në anketën e vitit të kaluar besojnë se ato lidhje do të përmirësohen.
“Përfundimi që do të nxirrja” shtoi zonja Weber, “është se (qeveritë) në të dy anët e Atlantikut duhet të mendojnë se si mund të krijojnë një agjendë që është më kuptimplotë për qytetarët dhe e përshtatur më mirë me këtë rend botëror”.
Kur flitet për ndryshimet klimatike, për shembull, shumica e të anketuarve besojnë se komuniteti shkencor, dhe jo qeveritë, po bën më shumë për të trajtuar problemin.
Pikëpamjet transatlantike, megjithatë, vështirë se janë uniforme. Ndërsa një e katërta dhe një e treta e atyre që jetojnë në Kanada, Francë, Itali dhe Portugali i shohin ndryshimet e klimës si një sfidë kryesore të sigurisë, për shembull, vetëm 14 për qind e të anketuarve amerikanë pajtohen me këtë vlerësim, megjithëse çështja ende qëndron në krye të shqetësimeve të përgjithshme të sigurisë së amerikanëve.
Dhe ndërsa migrimi zë vendin e dytë si një sfidë kryesore globale këtë vit, duke zëvendësuar luftën në Ukrainë nga raporti i vitit të kaluar, Rusia mbetet shqetësimi numër një i sigurisë për të anketuarit në Lituani dhe Poloni.
Pikëpamjet publike mbi Kinën janë të përziera, sipas studimit. Ndërsa gjashtë në 10 të anketuar në përgjithësi e shohin Pekinin negativisht dhe një e katërta besojnë se Kina nuk po bën asgjë për të luftuar ndryshimet klimatike, pjesë të konsiderueshme të të anketuarve të rinj të moshës ndërmjet 18 dhe 24 vjeç në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, kanë pikëpamje pozitive për Kinën.
Shumica e të anketuarve në të dyja anët e Atlantikut duan gjithashtu më shumë bashkëpunim me Kinën në fusha të tilla si tregtia, energjia dhe teknologjia. Por shumë duan gjithashtu një qasje më të ashpër ndaj saj lidhur me të drejtat e njeriut. Një numër mbresëlënës prej 30 për qind e shohin Kinën si aktorin global më me ndikim global në pesë vjet, ndërsa 37 për qind i shohin të tilla Shtetet e Bashkuara.
Mësimi për qeveritë e kujdesshme, tha zonja Weber, janë politikat që theksojnë “uljen e rrezikut” me Kinën, një qasje e shfrytëzuar nga Bashkimi Evropian, ndër të tjera, për të ulur rreziqet e mundshme në marrëdhëniet në fusha si tregtia dhe investimet, në vend të ndërprerjes së lidhjeve me Pekinin. Mësimi tjetër tha ajo është; “pranoni rolin e Kinës në çështjet ndërkombëtare dhe bëni më shumë përpjekje për të punuar me Kinën për çështje si klima”.
Tregues të tjerë sipas anketës, lënë të kuptohet se qeveritë nuk janë në një vijë me popullsitë e tyre. Ndërsa evropianët dhe amerikanët e veriut mbështesin fuqishëm NATO-n, të anketuarit më të moshuar janë më entuziastë për aleancën mbrojtëse. Shumica e të anketuarve duan gjithashtu që Bashkimi Evropian të investojë më shumë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Rëndësia e demokracisë nuk është gjithmonë në rendin e parë, me shumicën në vende të ndryshme si Shtetet e Bashkuara, Lituania dhe Rumania, ndër të tjerë, që e konsiderojnë qëndrueshmërinë më të rëndësishme.
Të rinjtë në veçanti, thotë zonja Weber, janë më të rezervuar ndaj vlerësimeve të udhëheqësve si presidenti amerikan Joe Biden mbi rëndësinë e demokracisë kundrejt autokracisë në lidhje me Kinën, për shembull.
“Është diçka që gjenerata Z nuk e pranon domosdoshmërisht”, tha zonja Weber. “Kur mendoj për kujtesën politike të kësaj gjenerate, ata i kanë këto pamjet e ‘luftërave të përhershme’ në Irak dhe Afganistan… dhe gjithashtu të sulmit në Kapitol dhe dhunës kundër njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara”.
Kina, nga ana tjetër, “ofron një kundër rrëfim të fuqishëm”, tha ajo.
Një tjetër grackë e mundshme është mbështetja afatgjatë për Ukrainën. Gjetjet e studimit tregojnë se mbështetja mbetet e fortë për t’i ofruar Kievit anëtarësimin e mundshëm në BE dhe NATO, si dhe për financimin e rindërtimit të pasluftës.
Por, kjo ndjenjë mund të zbehet, paralajmëron zonja Weber, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, të cilat përballen me zgjedhjet vitin e ardhshëm dhe ku anketat tregojnë tkurrjen e entuziazmit republikan për ndihmën ndaj Ukrainës. por edhe në Evropë, ku mbështetësit e ekstremit të djathtë në vende si Franca dhe Gjermania, po rriten gjithashtu.
“Mbështetja afatgjatë është vërtetë çështje thelbësore, dhe aspak e lehtë për evropianët”, tha zonja Weber, sidomos nëse zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara sjellin një administratë më pak të gatshme për dërgimin e më shumë ndihmave në Ukrainë, dukë i lënë Evropës të bëjë “pjesën e luanit”.
Qeveritë evropiane duhet të “fillojnë të ndërtojnë masa mbrojtëse” tani, tha ajo duke theksuar buxhetimin e ndihmës afatgjatë për Ukrainën dhe komunikimin më të mirë mbi rëndësinë e një mbështetjeje të tillë. “Dhe kjo do të jetë sfiduese”, tha zonja Weber./VOA
Discussion about this post