Policia e Shtetit njoftoi sot mbi një operacion të gjerë anti-drogë, i shtrirë në disa qytete, ku më pas u njoftua se u shkatërruan 23 grupe kriminale dhe u arrestuan 233 persona. Policia gjithashtu tha se kishte sekuestruar disa lloje armësh zjarri dhe të ftohta, si dhe doza lëngësh narkotike, gati për shitje.
Operacioni dukiet se ka goditur rrjete shpërndarësish droge në disa qytete të vendit. E veçanta e këtij operacioni ishte fakti se shpërndarësit u goditën njëherësh në disa qytete, madje si rrallë herë u shfaqën edhe pamjet e fluturimeve me helikopterë të forcave policore, përtej qindar makinave policore që u angazhuan nga toka.
Ndoshta është rastësi, por ky megaoperacion policor për kapjen e shpërndarësve të drogës, ka përkuar me takimin e Ministrave të Brendshëm të vendeve të BE dhe atyre të Ballkanit që u mirëpritën në Tiranë nga Taulant Balla.
Madje me aq shumë bujë u përçua ky operacion nga toka e ajri, sa duket se është synuar t’I tërhiqet vëmendja çdo ministri i Brendshëm, apo zyrtari të BE-së, të fushës së sigurisë dhe luftës ndaj krimit, që ndodhej sot në Tiranë.
Dhe duket se Taulant Balla duke përdorur deri diku Policinë e Shtetit, qoftë edhe rastësisht, ka arritur që të marrë disa përgëzime nga një prej zyrtarëve të BE, Johannes Luchner, zv.drejtor i Përgjithshëm i DG HOME, i cili e ka përgëzuar për operacionin.
Luchner, u shpreh se “lufta kundër krimit të organizuar është dhe do të vijojë të jetë përparësi për BE”, ndërsa ka theksuar më tej se “partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor janë aleatë tejet të rëndësishëm në këtë fushë”.
“Gjatë Ministerialit, si unë dhe kolegë e mi përgëzuam Shqipërinë dhe të gjithë kolegët ministrin Balla për arritjet, sepse sigurisht është gjë e mirë që të jemi në një konferencë dhe ti diskutojmë këto çështje, por është akoma më mirë kur ne shohim rezultatet e punës që bëjmë.
Lufta kundër krimit të organizuar jo vetëm është por do të vijojë të jetë përparësi për BE, që do të thotë do të mbetet në qendër të programit politik të BE.
Partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor janë aleatë tejet të rëndësishëm në fushën e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar”, u shpreh përfaqësuesi i lartë i Komisionit Europian.
Discussion about this post