Nga Simona Carlugea REL
Ndeshja e së martës mes Kombëtares së Rumanisë dhe asaj të Kosovës u ndërpre për 50 minuta. Shkak u bë një pankartë që mbanin tifozët rumunë ku shkruhej “Kosova është Serbi”, por edhe hedhja e mjeteve piroteknike në fushën e gjelbër. Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka hapur një hetim për diskriminim dhe racizëm.
Shërbimi Rumun i Radios Evropa e Lirë ka intervistuar një prej pjesëtarëve të tifozëve që shpalosën pankartën.
“Pas ndeshjes në Prishtinë, himni ynë u fishkëllye për një kohë të gjatë nga i gjithë stadiumi, dhe tifozët rumunë ishin shënjestër e ofendimeve të vazhdueshme nga tifozët kosovarë – një pjesë e madhe e tifozëve u evakuuan, u arrestuan, u sulmuan dhe u gjobitën vetëm sepse pohuan një të vërtetë historike të theksuar edhe në nivel shtetëror, ka ardhur koha e kthimit”, njoftuan tifozët ultras të Kombëtares së Rumanisë, para ndeshjes të së martës, në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
Ndeshja në Arenën Kombëtare në Bukuresht nisi me thirrjet e ultrasve gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës. Këta tifozë radikalë thërrisnin “Serbi, Serbi”. Një pankartë e madhe ku shkruhej “Kosova është Serbi” u shfaq në pjesën jugore të stadiumit.
Në minutën e 18-të të ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, ultrasit ndezën edhe fishekzjarrë dhe loja u ndërpre nga gjyqtari francez. Lojtarët shkuan në dhomat e zhveshjes.
Pas negociatave mes policisë, lojtarëve të Kombëtares rumune dhe ultrasve, këta të fundit hoqën dorë nga pankarta dhe loja rifilloi. Ndeshja u mbyll me fitoren e rumunëve, por edhe me një skandal të ri që do të ketë efekte në futbollin rumun.
Me bluza të zeza apo edhe gjoks të zhveshur, tifozët ultras ishin sërish në shtypin e mbarë botës.
Por, ata janë mësuar të jenë në qendër të vëmendjes.
Të bashkuar për Rumaninë, me mesazhe ksenofobike dhe fishekzjarrë
Grupi “Uniti sub Tricolor” e përshkruan veten si “një grup ultras që mbështet në mënyrë të pavarur Kombëtaren e Rumanisë”.
I themeluar në vitin 2013, grupi mori vëmendjen e publikut disa vite më vonë shkaku i skandaleve të shkaktuara në stadiume dhe jashtë tyre.
Në të gjitha incidentet e dhunshme në të cilat u përfshi ky grup, shfaqet edhe emri i Andrei Preda, i njohur si Gogoasa, lideri i grupit “Peluza Sud” nga Krajova. Fotot e tij, me gjoks të zhveshur dhe plot tatuazhe, pushtuan mediat pas ndeshjes së mbrëmshme me Kosovën.
Shërbimi rumun i Radios Evropa e Lirë ka biseduar me Andrei Preda, me nofkën Gogoasa, për incidentet gjatë ndeshjes me Kosovën. Ai pretendoi se pankarta “Kosova është Serbi” përfaqëson vetë pozicionin e shtetit rumun, ndaj, siç tha ai, nuk ka asgjë të keqe. Rumania është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, ky grup, i njohur edhe me akronimin UST, ka një histori kundërthënëse.
Në një intervistë të dhënë Gazetës Sporturilor në vitin 2020, kreu i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR), George Simion, e pranoi se ishte një nga themeluesit e grupit, por mohoi të kishte qenë ndonjëherë lider i tij.
AUR është e vetmja parti e ekstremit të djthatë në Rumani, me 10 për qind të ulëseve në Parlament dhe, sipas sondazheve më të fundit, pritet të bëhet partia e dytë më e madhe në Rumani në zgjedhjet e vitit 2024.
“Unë kam marrë pjesë në themelimin e kësaj strukture sepse Kombëtarja nuk kishte mbështetje solide. Është për të ardhur keq. Kam ndihmuar edhe në krijimin e shalleve të para. Unë shkova me UST-në, me Kombëtaren e të rinjve, në Euro U21 në Itali, ku më në fund pash një ekip që më bëri ta dua sërish futbollin. Këndimi i fjalëve ‘Zgjohu, rumun’ në stadium në gjysmëfinale ma ktheu dëshirën dhe domethënien për këtë sport”, tha George Simion.
Në korrik të vitit 2015, mediat kanë raportuar se anëtarët e UST-së po përgatiteshin për ndeshjen kundër Hungarisë që do të zhvillohej në Budapest, së bashku me mbështetësit e disa skuadrave. Slogani i udhëtimit ishte: “Të gjithë në Budapest”.
Një vit më vonë, pikërisht në vjeshtën e vitit 2016, ky grup tërhoqi vëmendje për herë të parë me një mesazh politik të shkruar në një pankartë, të cilën donin ta merrnin në stadiumin e Jerevanit, dhe që i referohej mosnjohjes së gjenocidit ndaj armenëve nga otomanët turq në Luftën e Parë Botërore.
“1.5 milion kryqe shkëlqejnë në qiell. Të paktën ai thotë ‘Na fal!’ Dikush duhet të tentojë”, ishte shkruar në pankartë.
Fjala “dikush” ishte shkruar në formën e një gjysmëhëne turke.
Autoritetet në Armeni u ankuan për probleme me ultrasit rumunë edhe gjatë ndeshjes mes Kombëtares së Rumanisë dhe asaj të Armenisë.
Viti 2018 është viti në të cilin grupi i ultrasve u bë gjithnjë e më aktiv dhe njëkohësisht u shndërrua në yllin e ndeshjeve të Kombëtares rumune.
Por, 2018-ta u bë edhe viti në të cilin mesazhet e grupit shkonin përtej stadiumeve. Ultrasit morën pjesë në ngjarje të rëndësishme dhe shfaqën pankarta në vende të ndryshme të vendit – gjatë festimit të 100-vjetorit të pavarësisë, përvjetorit të Revolucionit rumun, etj.
Postimet në faqen e Facebook-ut kishin një kombinim të mesazheve nacionaliste, ksenofobike dhe atyre që kishin të bënin me ndeshjet e futbollit dhe të ekipit kombëtar.
Në shtator të vitit 2018 nisi një miqësi mes këtyre ultrasve dhe serbëve. Në stadiumin e Partizanit në Beograd, gjatë ndeshjes mes dy kombëtareve, tifozët rumunë brohoritën “Kosova është Serbi” dhe shfaqën pankarta ku shkruhej “Kosova është zemra e Serbisë”.
Në ndeshjen e kthimit të mbajtur në Bukuresht në tetor të vitit 2018, tifozët kënduan sërish “Kosova është Serbi” dhe “Basarabia është Rumani”. Mbështetësit serbë erdhën edhe me një pankartë ku shkruhej “Faleminderit vëllezërve tanë rumunë!”.
Në vitin 2020, ultrasit ishin në qendër të një tjetër skandali, por këtë herë të një natyre tjetër. Ata kundërshtuan natyralizimin e Mario Camoras në Kombëtaren rumune, në një postim të titulluar “Nuk ka të huaj në kombëtare”.
“Skuadra kombëtare, sipas doktrinës së saj, mund të përmbajë vetëm lojtarë rumunë sepse ky është qëllimi i saj dhe çdo implant i huaj e deformon plotësisht qëllimin e saj dhe e bën të duket si një ekip i ndonjë klubi, megjithëse këto koncepte janë krejtësisht të ndryshme. Siç sugjeron emri, një ekip kombëtar duhet të përbëhet nga lojtarë vendas, të vendit që përfaqësojnë. Përndryshe, nëse do të përfshinte lojtarë të huaj, ata pa dyshim mund ta quanin veten një ‘skuadër ndërkombëtare’”, kishte argumentuar atëbotë ky grup.
Incidenti i parë i madh i dhunshëm në të cilën u përfshinë tifozët e UST-së ndodhi në shtator të vitit 2022, në një ndeshje kundër Bosnje dhe Hercegovinës të zhvilluar në Bukuresht, kur ata u përleshën me tifozët boshnjakë.
Ndeshjet e para të Kombëtares rumune këtë vit, në Andorra dhe në shtëpi me Bjellorusinë, u përshkruan të dyja me incidente të shkaktuara nga ultrasit e UST-së. Konkretisht, pati rrahje në tribuna dhe mesazhe ksenofobike drejt hungarezëve.
Pas ndeshjes me Bjellorusinë në mars, UEFA vendosi ta sanksionojë Federatën e Futbollit të Rumanisë me 15 mijë euro dhe e detyroi atë t’i mbyllte disa sektorë të Stadiumit Kombëtar gjatë ndeshjeve të ardhshme të skuadrës rumune.
Në një ndeshje të zhvilluar në qershor, mes ekipeve të të rinjve të Rumanisë dhe Ukrainës, ultrasit shfaqën një pankartë kritike ndaj Ukrainës.
Po ashtu në qershor filloi “lufta” mes tifozëve të UST-së dhe Kombëtares së Kosovës. Në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, të mbajtur në Prishtinë, tifozët rumunë u larguan nga stadiumi pasi kishin brohoritur “Kosova është Serbi”.
Ata premtuan hakmarrje dhe një gjë e tillë ndodhi mbrëmjen e 12 shtatorit.
Ish-portieri i ekipit rumun FCU Craiova, Andrei Preda – i njohur me nofkën Gogoasa – u bë, pasi la sportin, lideri i tifozerisë së ekipit të tij.
Për shkak të sjelljes së tij të dhunshme, atij iu ndalua hyrja në stadium tre herë brenda një viti, por ndaj tij u ndërmorën edhe sanksione të tjera.
Ai u dënua, në shkallën e parë të gjyqësorit, me burgim pasi dyshohej se kishte rrahur dy persona në Krajovë. Pasi viktimat kishin tërhequr ankesat, ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Krajovë.
Në intervistën e dhënë për shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë, Gogoasa tha se gjithçka që ndodhi në ndeshjen kundër Kosovës në Bukuresht është “provokuar nga lojtarët kosovarë”, që sipas tij, kanë dashur që ndeshja të ndërpritet dhe të fitohet në tavolinë.
“Ndeshja u ndal për shkak të pankartës dhe për shkak se ne bërtitëm ‘Kosova është Serbi’ dhe lojtarët e ekipit shqiptar erdhën te ne dhe na shanë, na bënë shenja të turpshme. Aty nisi incidenti me fishekzjarrët”, tha Gogoasa.
Ai po ashtu pretendoi se veprimet e lojtarëve ishin të paramenduara sepse, sipas tij, lojtarët e Kosovës kishin pritur mesazhe të tilla në stadium.
“Domethënë… t’i shajmë, t’i shajmë dhe të bërtasim ‘Kosova është Serbi’, se këtë gjë e kanë pritur, madje e kanë paramenduar këtë gjë për të na futur në kurth. Ata ndoshta donin ta fitonin ndeshjen në tavolinë”.
Ai gjithashtu tha se mesazhi që u brohorit të martën tifozët e grupit të tij nuk përfaqëson gjë tjetër veçse qëndrimin e shtetit rumun. Sipas Gogoasas, policët i kishin parë pjesëtarët e grupit të tij kur kishin hyrë në stadium me atë pankartë dhe i kishin lënë të kalonin.
“Nëse shteti rumun ku jetoj unë thotë ‘Kosova është Serbi’, ne u lejuam me pankartën e Xhandarmërisë, na lanë rojet. Është problemi i atyre nga UEFA. Kjo ndeshje nuk duhej të luhej. Shteti rumun nuk e njeh këtë ekip”, shtoi ai.
UST-ja nuk i është përgjigjur deri më tani kërkesës së Radios Evropa e Lirë për ta komentuar incidentin.
Komunikimi i parë pas incidenteve në ndeshjen e së martës ka ardhur nga Xhandarmëria e kryeqytetit rumun, e cila ka shpjeguar se si ka ndërhyrë për ta qetësuar situatën, por edhe për ta shmangur humbjen e Kombëtares rumune në tavolinë.
“Pas konsultimeve me përfaqësuesit e UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Rumanisë, u vendos me marrëveshje reciproke që organet ligjzbatuese ta menaxhojnë këtë situatë me dialog, pa pasur nevojë për evakuimin e njerëzve dhe nuk ka asnjë kërkesë nga të dy forumet në këtë aspekt. Pas vlerësimit të situatës dhe marrjes së garancive nga tifozët se një sjellje e tillë nuk do të përsëritet, ndeshja u rifillua në mënyrë të sigurt, pa asnjë incident dhune”, u tha nga Xhandarmëria e Bukureshtit.
Xhandarmëria gjobiti 17 persona me 8.000 lei dhe ngriti tre padi penale për posedim të lëndëve piroteknike.
Dhe Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF) reagoi, e dënoi incidentin dhe i quajti ultrasit huliganë. Ndërsa, Federata e Futbollit e Kosovës reagoi duke e dënuar incidentin dhe duke paralajmëruar se do të dorëzojë padi për të në UEFA dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
“Para së gjithash, ritheksojmë parimin sipas të cilit qeveriset futbolli në Rumani, përkatësisht mosndërhyrja e politikës në aktin sportiv. Revizionizmi nuk pranohet në futboll dhe FRF-ja dënon ashpër mesazhet provokuese të natyrës politike, ideologjike, fetare apo fyese, të cilat janë kategorikisht të ndaluara në stadiume”, u tha në reagimin e Federatës rumune.
Gazeta Sporturilur raportoi se UEFA tashmë ka vendosur të hapë një hetim për diskriminim dhe racizëm pasi lojtarët kosovarë u larguan nga fusha dhe ndeshja e së martës u ndërpre përkohësisht.
Gazetarët e po të njëjtit medium raportuan se Federata rumune rrezikon ta luajë të paktën një lojë me tribuna pjesërisht të mbyllura, por ndëshkimi mund të jetë edhe më i madh.
Discussion about this post