Adrian Çela u largua nga drejtimi i OSHEE-së, por ka lënë pas një tufë me kontrata dhe borxhe të papaguara. Vetëm nga marrja me qira e zyrave, OSHEE nxjerr çdo muaj nga arka rreth 300 milionë lekë. Qiramarrja në OSHEE SHA justifikohet për të siguruar ambiente për akomodimin e punonjësve, kryesisht të qendrave të kujdesit ndaj klientit, punonjësit e administratës qendrore dhe lokale të drejtorive rajonale dhe njësive përkatëse, por edhe ambiente për të magazinuar materialet e mirëmbajtjes dhe të investimeve.
Raporti i KLSH i publikuar në korrik 2023, që përfshin periudhën e viteve 2020-2023, pasi verifikon praktikat e ndjekura për marrje me qira të ambienteve, çmimet e lidhjes së kontratave në proporcion me sipërfaqen dhe bën krahasimin me çmimet e tregut në faqet web të agjencive imobiliare apo gazetat që operojnë në këtë fushë, konstaton se çmimet e negociuara nga OSHEE SHA për lidhje kontratash qiraje, janë më të larta se çmimet e tregut.
Kontratat janë bërë të tilla që të vjelin para me shpejtësi nga arka e OSHEE-së. Nga auditimi i kontratave të qirasë konstatohet se në kontratat e qiramarrjes, parashikohet mbajtja e penalitetit. Konkretisht: “nëse ndonjë nga pagesat e qirasë mujore ose ndonjë pagesë tjetër sipas kësaj kontrate mbetet e papaguar pas 15 ditësh nga afati i pagesës së saj, ndaj
qiramarrësit do të aplikohet një penalitet në masën 0.05% të shumës së prapambetur. Penaliteti do të fillojë aplikohet pas ditës të 15-të nga momenti i përfundimit të afatit të pagesës”, nënvizohet në një nga nenet e kontratës tip.
Shoqëria OSHEE SHA shpenzon mesatarisht në muaj 28,358,125.3 lekë për pagesat e qirave, një shumë kjo e konsiderueshme, nisur dhe nga fakti se shërbimin e arkëtimit për shoqërinë, prej disa vitesh e ofrojnë edhe bankat e nivelit të dytë, shoqëritë e licencuara për operacione financiare, etj.
Ky shpenzim në vit kap vlerën prej 340,237,624 lekë. Procesi i qiramarrjes në OSHEE SHA kalon në këto hapa: Evidentohet nevoja e qiramarrjes në strukturat e OSHEE SHA me shkresë zyrtare, me email, me njoftim nga strukturat e ndryshme në shoqëri. Në shumicën e rasteve bashkë me kërkesën nga Drejtoritë Rajonale apo strukturat përkatëse, vjen dhe një propozim bashkëlidhur shkresës, për të cilin DR/DTL ka marrë të gjitha të dhënat ligjore dhe fizike të pronës dhe i përcjell në dispozicion të Drejtorisë të Shërbimeve Mbështetëse në qendër. Këtu hyn në lojë Administratori që ngre një grup të punës për vlerësimin e ambienteve me qira.
Pas kësaj pronari i objektit thirret në zyrat qendrore për të negociuar kushtet e përgjithshme të kontratës si vlera afati punimet e nevojshme etj. Duke qenë se OSHEE SHA “ka një nevojë të lartë qiramarrje”, si dhe një numër të lartë kontratash qiramarrje, kjo ka bërë që të ketë një data bazë të mirëfilltë kontratash me të dhëna për çdo rreth të Shqipërisë me vlera, çmime etj.
Në procesin e negocimit Grupi Negociator bazohet në këto referenca për të negociuar çmimin përfundimtar të kontratës së qirasë. Nëse shihet e nevojshme mund te merren edhe oferta nga njësi te tjera tregtare për të ndihmuar ne proces. Rol të veçantë në negocimin e çmimit përfundimtar të kontratës luajnë kërkesat specifike që OSHEE SHA mund të këtë për përshtatjen e objektit sipas kërkesave të saj.
Si u rrit numri i kontratave dhe çmimi i qirave në OSHEE
Në periudhën Korrik – Dhjetor 2020 kanë qenë aktive 135 kontrata qiraje me një vlerë të përgjithshme vjetore prej 147,656,247 lekësh. Tabela më poshtë tregon shpërndarjen e numrit të këtyre kontratave sipas Drejtorive Rajonale dhe shoqërive të OSHEE Group SHA. Viti 2020 ka nisur me 139 kontrata aktive dhe është mbyllur me 135 duke ndërprere 4 kontrata qiraje me një vlerë vjetore prej 11,663,040 lekësh.
Përgjatë vitit 2021 numri i kontratave të qirasë ka shkuar në 146 dhe vlera e tyre është 340,237,625 lekë. Gjatë këtij viti kanë përfunduar 5 kontrata qiraje dhe janë lidhur 17 kontrata të reja në shumicën e tyre për shoqërinë OSSH SHA për nevojat e saj në sipërfaqe magazinimi, zyra te grupeve operative dhe zyra administrate. Me përzgjedhje rastësore, grupi i KLSH ka audituar 10 kontrata qiramarrje (pra 58% e kontratave). Tabela më poshtë tregon shpërndarjen e numrit të këtyre kontratave sipas Drejtorive Rajonale dhe shoqërive te OSHEE Group SHA.
Përgjatë vitit 2022 numri i kontratave të qirasë ka arritur në 148 duke pasur një shtesë prej 2 kontratash, me vlerë totale 351,419,758 Lekë. Gjatë këtij viti kanë përfunduar 5 kontrata qiraje dhe janë lidhur 7 kontrata të reja.
Në vlerën totale te kostos se qiramarrjes ka pasur një rritje në vlerë vjetore prej 10,5 milionë lekësh. Tabela më poshtë tregon shpërndarjen e numrit të këtyre kontratave sipas Drejtorive Rajonale dhe shoqërive te OSHEE Group SHA.
OSHEE nuk e di ku i ka pronat
Ndërkohë që Çela merrte me qira këtë perandori zyrash, nuk ka regjistër të saktë të pronave të OSHEE-së. Kjo u bë edhe shkak që një zyrë private auditimi të mos firmoste pasqyrat financiare të shoqërisë. Rezultati financiar i shoqërisë OSSH sh.a., për periudhën 2021 shënoi një humbje prej 26 miliardë lekë. Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve e OSHEE GROUP sh.a., nuk ka miratuar pasqyrat financiare të periudhave 2020 dhe 2021, me arsyetimin e mos aprovimit nga refuzimi i dhënies së opinionit nga audituesit ligjorë. Kështu, do të vendosej riauditim nga auditues të tjerë për verifikimin e mos përputhjeve të gjetura në refuzimin e opinionit.
Me datë 28.06.2021, audituesit ligjor në raportin e tyre janë shprehur për “Refuzim opinioni”, bazuar në konstatimet se shoqëria nuk ka finalizuar regjistrin e aseteve si dhe nuk
ka marrë titujt e pronësisë për pronat e paluajtshme që ka në përdorim.
Situata debitore e OSHEE Group në fund të periudhës 2022 është përkeqësuar në krahasim me vitin 2020, duke u rritur me 13,997,171 mijë lekë dhe që arrin në një total prej 139,653,687 mijë lekë.
Plani i investimeve për vitin 2021për rreth 13.4 miliard lekë
është realizuar në vlerën 11 miliard lekë, pavarësisht se nga OSSH sh.a prej muajit Tetor me vendim të Qeverisë së Shqipërisë, investimet në rrjet u ndërprenë. Në atë kohë që kryeministri Rama tallej me njerëzit duke u kërkuar të kursenin energjinë, Administratori Adrian Çela vazhdonte “planet” e tij të shpërdorimit të parave të OSHEE-së. Adrian Çela është larguar nga drejtimi i OSHEE pas mbarimit të mandatit të tij më 22 qershor 2023, ndërsa Administratori i ri i OSHEE Group, është vendosur Enea Karakaçi.
Lexo edhe: Ardian Çela vjedh familjet shqiptare/ Ja si manipulon faturat e energjisë elektrike
Discussion about this post