Skandal me trajtimin e të sëmurëve me kancer në Spitalin Onkologjik në Tiranë dhe shpërdorim i fondeve për sëmundjet tumorale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Jo vetëm që nuk garantohet shërbim i denjë, por nuk ka statistika për numrin e pacientëve. Të dhënat tronditëse dalin nga raporti i performancës së këtij shërbimi të audituar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kështu, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk raporton të dhëna të njëjta me ministrinë për rastet e reja me kancer.
Të dhënat për mortalitetin përpunohen nga Instituti i Statistikave dhe nuk integrohen në Regjistrin Kombëtar të Kancerit në administrim të Institutit të Shëndetit Publik, duke mos dhënë shifra reale mbi prevalencën e sëmundjes dhe të mortalitetit.
Ndërkohë, Spitalit Onkologjik, ka mbajtur shpenzime financiare në gjendjen stabël, në mungesë të burimeve njerëzore me staf mjekësor (infermierë dhe teknikë mjekësor), ngarkesë të lartë të volumit të punës të mjekëve onkologë, mungesë me shtretër spitalorë për realizimin e seancave të kimioterapisë dhe radioterapisë, mos dhënie e shërbimit me kujdes paliativ si dhe rritje të numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumorale për çdo vit. Kjo tregon se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën 2021-2023 nuk ka efektivitet të plotë, duke cenuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.
Konstatohet se Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza”, nuk ka mundur të sigurojë pajisjen mjekësore të Brankiterapisë, të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike), nuk ka realizuar në kohë rehabilitimin e ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit si dhe lënë pa trajtuar pacientët që kanë nevojë për to.
Gjithashtu, mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve duke ulur besimin për një shërbim spitalor të denjë dhe të pastër. Nga ana tjetër, njësitë e kimioterapisë pranë spitaleve rajonale funksionojnë me kapacitete minimale, nuk kanë kapacitete spitalore të plota me burime njerëzore mjekë onkologë, pajisje dhe materiale mjekësore, shtretër të dedikuar.
Ulen shpenzimet, edhe pse shtohen pacienët!
Analiza e shpenzimeve financiare në total, për vitet (2020-2022), zbulon se shpenzimet për trajtimin e sëmundjes erdhën në ulje, ndërsa numri i pacientëve të trajtuar u rrit.
Sipas tabelës së mësipërme, shpenzimet financiare për vitin 2020 janë më të larta krahasuar me dy vitet pasardhës në një vlerë prej 517,304,175 lekë, ndonëse numri i rasteve për vitin 2020 është 17,912, më i vogël se dy vitet (2021-2022). Në vitin 20222 shpenzimet u ulën katërfish ndërsa numri i pacientëve nga 17 912 arriti në 18 575.
Vlera e shpenzimeve financiare që përfshin barna, ekzaminime dhe imazheri, materiale mjekësore, transfuzion gjaku, ushqime dieta, lavanderi, e përllogaritur nga QSUNT, mbështetur në bazë të numrit të rasteve për trajtim mjekësor. Nëse do të shohim tenderët me qindra milionë lekë që firmos drejtoresha Albana Fico, do të shohim, nevojat e të sëmurëve të Onkologjikut nuk janë në listën e saj.
Abuzimi me fondet e depistimit të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës
Shpenzimet e nevojshme për zbatimin e Planit të Veprimit Kontrollit të Kancerit për fushatat sensibilizuese dhe depistimet për kancerin e gjirit, kancerin e qafës së mitrës, janë bërë objekt abuzimi.
Për vitin 2022 janë depistuar për kancerin e gjirit 26,464 gra ndërsa targetet e përcaktuara në Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2030 kanë qenë parashikuar 50,000 gra në vit e cituar si objektiv të tij për periudhën 2022-2025-2030 në numër 30,000-40,000-50,000 gra në vit. Për vitin 2022 janë depistuar për kancerin e qafës së mitrës 10,421 gra ndërsa targetet e përcaktuara kanë qenë 20,000 gra në vit.
MSHMS ka kryer shpenzime buxhetore për të realizuar fushatat sensibilizuese dhe depistimet për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës, sipas tabelës më poshtë:
Për sa më sipër vihet re që kostoja mesatare e një depistimi për kancerin e gjirit ka kushtuar 1,097 lekë në vitin 2020, në vitin 2021 ka kushtuar 70 lekë për një depistim, në vitin 2022 – 468 lekë për një depistim. Kosto mesatare e një depistimi për tre vitet është 508,9 lekë.
Për vitin 2020 janë depistuar për kancerin e gjirit 8,463 gra me një vlerë shpenzimi prej 9,285 mijë lekë ndërsa për vitin 2021 janë depistuar për kancerin e gjirit 18,666 gra me vlerë shpenzimi prej 1,298 mijë lekë. E thënë ndryshe: për një dyfishim të numrit të grave të depistuara në 2021, kosto e shpenzimeve është 7 herë më e vogël. Këto diferenca janë të paargumentuara nga Ministria e Shëndetësisë
Kostoja mesatare e një depistimi për kancerin e qafës së mitrës ka kushtuar 6 lekë në vitin 2020, në vitin 2021 ka kushtuar 2,010 lekë për një depistim dhe në vitin 2022 ka kushtuar 1,450 lekë për një depistim. Kosto mesatare për tre vitet 1,097.8 lekë për një depistim. Për kancerin e qafës së mitrës, për vitin 2020 janë depistuar 10,218 gra me vlerë shpenzime prej 63 mijë lekë, ndërsa për vitin 2021 janë depistuar për kancerin e qafës së mitrës 8,208 gra me vlerë shpenzimesh prej 16,498 mijë lekë. Ose e thënë ndryshe për një numër shumë më të vogël të grave të depistuara për vitin 2021 në raport me vitin 2020, kosto e shpenzimeve rritet me 261 herë, shifra këto të paargumentuara dhe të pa justifikuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Mungojnë mjekët onkologë
Në Shqipëri punojnë gjithsej 55 mjekë onkologë, nga të cilët 24 onkologë japin kontributet e tyre pranë Spitalit Onkologjik, 13 mjekë onkologë pranë Spitaleve Rajonale ku janë ngritur njësitë e kimioterapive, 3 onkologë pranë Spitalit Universitar ”Shefqet Ndroqi” dhe 15 mjekë onkologë janë të shpërndarë pranë spitaleve në rrethe dhe në qendrat shëndetësore në vend.
Nga analiza e ngarkesës së stafit mjekësor në ditë në disa pavijone konstatohet se: Pavioni i Kirurgjisë Onkologjike realizon 36 vizita konsulta ditore (këtu nuk janë përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale), stafi është i përbërë nga 6 mjekë onkologë; Pavijoni i Kimioterapisë realizon 75-80 pacientë trajtim me kimioterapi në ditë si dhe 48 vizitat ambulatore për dhënien e skemës së trajtimit me kimioterapi të pacientëve pranë Spitaleve Rajonale, stafi është i përbërë nga 9 mjekë onkologë; Pavijoni i Radioterapisë realizon 22 vizita ambulatore trajtime me radioterapi në ditë, stafi përbëhet nga 6 mjekë onkologë; Pavijoni i Gjinekologjisë realizon 18 vizita konsulta ambulatore në ditë, stafi përbëhet nga 3 mjekë onkologë.
Këto të dhëna tregojnë, për volume të punës së mjekëve, për shkak të numrit të lartë të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumorale dhe agresivitetin që kanë këto sëmundje.
Sipas OBSH-së dhe standardeve të saj, 1 mjek duhet të ofrojë shërbim për 10 – 15 pacientë në ditë.
Kimioterapia e mbingarkuar
Njësia e kimioterapisë, përbëhet nga 9 mjekë onkologë, të cilët janë pjesë e stafit multidisiplinor. Në këtë njësi, për periudhën 2020-2022, në ditë trajtohen 75-80 pacientë me kimioterapi. Një seancë me kimioterapi zgjat 2-4 orë trajtim, kjo në varësi të stadit të sëmundjes, të skemës së trajtimit të sëmundjes, të patologjive të tjera shoqëruese të secilit pacient, etj.
Ky shërbim merret duke qëndruar në poltron “shtrat virtuale, i cili përdoret në ditë nga 4 deri në 5 pacientë. Për periudhën në auditim, spitali onkologjik ka pasur vetëm 19 poltrona, ndërsa numri i pacientëve është i shtuar nga viti në vit, si vijon:
Sa më sipër, për periudhën 2020-2022 me kimioterapi ditore, janë trajtuar 3,877 pacientë, ose e shprehur në 51,845 numër rastesh, duke shfrytëzuar vetëm 19 poltrona, ndonëse aktiviteti spitalor rezultoi në rritje nga viti në vit për trajtim me kimioterapi ditore.
Në mënyrë të vazhdueshme nga Drejtoria e Onkologjisë është kërkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të QSUNT, për rritjen e numrit të poltronave me 10 (dhjetë) të tjerë, pasi sasia prej 19 poltrona është i pamjaftueshëm për trajtimin në kohë dhe me cilësi për personat në nevojë.
Shërbimi i radioterapisë trajton rreth 90% të pacientëve me sëmundje tumorale. Tabela më poshtë tregon ngarkesën e pajisjeve të spitalit:
Mjekët onkologë të njësisë së radioterapisë, referojnë se jo të gjithë pacientet trajtohen edhe me Brakiterapi, por shumica e rasteve, gati 200 pacienteve në vit, duhet të mjekohen me këtë pajisje me radioterapi. Trajtimi me Brakiterapi (Kyriterapi) nuk ka qenë funksional, për periudhën trevjeçare të kontrolluar, për shkak të mungesës së burimit radioaktiv Iridium. Mungesa e Brankiterapisë, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit.
Infrastruktura e mjeruar e Onkologjikut
Spitali Onkologjik është ndërtesë 4- katesh, me sipërfaqe totale prej 3443,3 m2, e cila është ndërtuar që në vitin 1968, ku herë pas herë ka pësuar rikonstruksione. Grupi i auditimit verifikoi ambientet në Spitalin Onkologjik, duke vërejtur se kati i III i godinës me sipërfaqe prej 687,3 m2, në njësinë e radioterapisë, ku në disa nga dhomat e pacientëve kishte prani të lagështirës në tavan, ilustruar me foton e mëposhtme.
Në infrastrukturën e ndërtesës së Spitalit Onkologjik vazhdon të mbetet problem sistemi i ftohjes gjatë verës, për shkak të problemeve teknike në sistemin chiller. Kati nëntokë me sipërfaqe prej 490,9 m 2 është i papërdorshëm dhe është kthyer në një ambient ku mbizotëron lagështia, është i papastër, mbushur me pajisje mjekësore të papërdorshme, rafte, tavolina, ku pamjet flasin për një situatë kaotike, e cila përbën një risk potencial për infektimin e ambienteve më sipër, nga ekzistenca e brejtësve dhe mikrobeve të ndryshme që mund të jenë në katin nëntokë.
Shifra kaotike për rastet me tumor
QSUNT ka raportuar vetëm 1 herë pranë ISHP për vitet 2020 dhe 2021, ku rezulton se për vitin 2020 janë 3024 raste të reja me sëmundje tumorale, për vitin 2021 kanë rezultuar 3559 raste të reja me kancer, ndërsa për vitin 2022 kanë rezultuar 3806 raste të reja, të cilat ende nuk janë raportuar në ISHP.
Mënyra e raportimit pranë ISHP, për përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Kancerit, nuk është në vijimësi për secilin vit, por është raportuar me shumë vonesë.
Skeda e raportimit për rastet me kancer përmban emër mbiemër, datëlindjen, vendbanimin, diagnozën, lokalizimin e kancerit, stadifikimin TNM (Tumor, Nodul, Metastazë) dhe përgjigjen e biopsisë.
Nga vëzhgimi në terren në Spitalin Onkologjik pranë zyrës së statistikës të këtij institucioni u konstatua se, raportimi i të dhënave (lidhur me numrin e pacientëve që vuajnë me kancer) bëhet si numër total rastesh(një pacient mund të paraqitet disa here gjatë një viti), duke vështirësuar llogaritjen në kohë reale të numrit të pacientëve që trajtohen.
Në referim të kësaj mund të përmendim që për vitin 2020 kanë marrë kimioterapi 1202 pacientë, për të cilët sistemi nuk jep informacion mbi ndarjen e tyre sipas qarqeve/rretheve, ku ata banojnë.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë raporton të dhëna në formë tabele mbi rastet e reja me kancer si dhe incidenca në Shqipëri sipas Regjistrit Kombëtar të Kancerit për vitet 2019 2021, ndërsa të dhënat për vitin 2022 nuk janë paraqitur, pasi janë ende në proces përpunimi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Nga të dhënat e mësipërme incidenca jepet për 100,000 mijë banorë, duke rezultuar 156.5 për vitin 2020 dhe 214.7 për vitin 2021.
Të dhënat e raportuara pranë PAI-Spitali Onkologjik janë si më poshtë vijon:
Nëse krahasojmë të dhënat e rasteve të reja sipas Ministrisë për vitet e raportuara 2020-2021, nuk janë të njëjta me numrin e rasteve të reja të konfirmuara në QSUNT-së, si vijon:
Në referim të tabelës së mësipërme, Ministria raporton të dhëna 37% më shumë se QSUNT. Këto të dhëna tregojnë se, për vitet në auditim 2020-2021, raportimet midis MSHMS si institucioni qendror me institucionet e saj të varësisë QSUNT dhe ISHP, nuk janë të sakta dhe nuk përputhen, duke treguar monitorim jo të plotë mbi ecurinë e të dhënave të Regjistrit
Kombëtar të Kancerit.
Duke qenë që në faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik nuk ka të dhëna për vdekshmërinë e popullatës nga kanceri për vitet 2020-2022, periudhë që i përket auditimit të KLSH-së, u
shfrytëzuan të dhënat e marra nga faqja zyrtare e INSTAT. Ndërkohë edhe INSTAT ka të dhëna për vdekshmërinë vetëm për vitin 2021. Për vitin 2020 dhe vitin 2022, INSTAT nuk ka të dhëna në faqen e vet zyrtare në lidhje me vdekshmërinë e popullatës nga kanceri.
Nga të dhënat e përftuara ne faqen e INSTAT-it, rezulton që nga grup sëmundja “Tumore” për vitin 2021 kanë vdekur 3430 persona ose 4% me pak se viti 2020, kjo do të thotë që për vitin 2020 kanë vdekur 3,567 persona nga sëmundjet tumorale. Vdekjet nga tumoret për vitin 2021 zënë 11,2 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i katërt referuar shkakut të vdekjes.
U morën të dhënat e publikuara nga INSTAT për statistikat e popullsisë ku rezulton që me 1 Janar 2022 popullsia në Shqipëri ka qenë 2,793,592 banorë. Duke qenë që për vitin
2021 kanë rezultuar 3430 vdekje nga kanceri në Shqipëri rezulton që incidenca është 122,78 vdekje nga kanceri për 100,000 banorë.
Në disa spitale (Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë ) raportuan se i mbledhin të gjithë formularët për vdekjet 1 herë në vit dhe i dërgojnë pranë Njësive vendore të kujdesit shëndetësor NJVKSH, ndërsa për SR të Durrësit këta formularë përcillen tek kryeinfermieri. Këto struktura nuk kanë informacione mbi “fatin e formularëve”.
Pasi kemi parë këtë situatë trajtimit të tmerrshëm që u bëhet pacientëve me tumor, të cilët as si statistika nuk vlejnë për qeverinë, i lutemi Zotit t\i mëshirojë shqiptarët!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post