Gjashtë bashki vendosën tarifa ose taksa të përkohshme për të përmirësuar infrastrukturën arsimore, përfshirë bashkia e kryeqytetit, e cila dështoi të realizonte gati gjysmën e investimeve nëpërmjet skemës se Partneritetit Publik Privat.
Më 11 shtator, me rastin e ditës së parë të shkollës, kryebashkiaku Erion Veliaj iu drejtua me një letër të hapur nxënësve, ku u bënte një pasqyrë të investimeve të bashkisë së Tiranës për infrastrukturën arsimore në kryeqytet, duke theksuar se kishte ndërtuar 40 shkolla të reja.
“Jam i bindur edhe për krenarinë që duhet të keni ndjerë kur, bashkë me mysafirët nga jashtë, ju ka rënë rruga përpara shkollave tuaja, sidomos të rejat, me klasa të bollshme, me salla bibliotekash, palestra, laboratorë dhe fusha sportive,” shkruante Veliaj, ndërsa shtonte se tashmë nuk ka asnjë dallim midis nxënësve shqiptarë dhe bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë.
Një pjesë e shkollave të reja në Tiranë u ndërtuan nëpërmjet një programi të financuar nga një taksë për infrastrukturën arsimore, e cila u prezantua fillimisht si një zgjidhje e përkohshme për të mbledhur para nga familjet dhe biznesi me qëllim shmangien e mbingarkesës dhe mësimit me turne të nxënësve.
Në “fazën e parë” të taksimit të përkohshëm për 7 vitet e kaluara, Bashkia Tiranë mblodhi rreth 4.8 miliardë lekë ose gati 45 milionë euro. Megjithëse ajo e shtyu afatin për të mbledhur më shumë para edhe për 3 vite të tjera, rezulton se dështoi të realizonte objektivin për ndërtimin e 17 shkollave, përmes një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP).
Ekspertët e qeverisjes vendore ankohen se ka mungesë transparence nga bashkia e Tiranës mbi mënyrën e shpenzimit të të ardhurave nga taksa për infrastrukturën e arsimore.
“Bashkia duhet të bëjë transparencë për familjarët dhe bizneset që e paguajnë këtë taksë, pse nuk u realizua plani fillestar. Të sqarojë ndikimet financiare të cilat e kanë shtyrë ta zgjasë taksën dhe për tre vite të tjera,” tha Aida Cacaj, eksperte e pushtetit vendor në Institutin për Bashkitë e Shqipërisë.
Shembulli i bashkisë së Tiranës për të shtuar të ardhurat për infrastrukturën arsimore është ndjekur nga të paktën 5 bashki të tjera. Bashkitë Kamëz, Kavajë, Dimal dhe Berat i vjelin të ardhurat nëpërmjet tarifave, ndërsa bashkia e Gramshit nëpërmjet një takse të përkohshme.
Ngjashëm me bashkinë e kryeqytetit, edhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore nuk bëjnë transparencë për shpenzimet e të ardhurave që vijnë nga tarifa ose taksa e infrastrukturës arsimore.
Taksa e përkohshme?
Në vitin shkollor 2022/23, Shqipëria kishte të regjistruar në sistemin arsimor parauniversitar 416 mijë nxënës, nga të cilët 366 mijë u arsimuan në shkollat publike dhe 50 mijë të tjerë në ato private.
Sistemi arsimor publik e ka ndarë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e mësimit në dy nivele. Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) është përgjegjëse për programin mësimor dhe stafin pedagogjik, ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore menaxhojnë ndërtesat e kopshteve, të shkollave 9- vjeçare dhe gjimnazeve.
Tirana ka numrin më të madh të institucioneve të arsimit parauniversitar publik dhe privat. Sipas Ministrisë së Arsimit, Tirana zë 15% të shkollave të të gjithë vendit. Në sfidën për të përballuar shpenzimet për mirëmbajtjen e ndërtesave ekzistuese dhe ndërtimin e godinave të rejave, Bashkia e Tiranës solli skemën e një takse të përkohshme.
Në fund të vitit 2015, në Këshillin Bashkiak të Tiranës u miratua “taksa mbi infrastrukturën arsimore”, e cila u cilësua si e përkohshme, edhe pse me një afat 7 vjeçar që shtrihej në vitet 2016-2022.
Çdo familje në Tiranë paguan 1,800 lekë në vit, ndërsa bizneset, organizatat jo-fitimprurëse, institucionet, profesionet e lira dhe sektori i transportit e kishin taksimin progresiv nga 4 mijë lekë deri në 37 mijë lekë në vit.
Miratimi i taksës përmes vendimit numër 59 të Këshillit Bashkiak Tiranë, më 30 dhjetor 2015, i hapi rrugën një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP), që ishte pjesë e vizionit politik të kryebashkiakut Erion Veliaj për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
Gati një vit më vonë, në nëntor 2016, u paraqit studimi i fizibilitetit me titull, “Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës”.
Teksa analizonte ndër shumë rreshta situatën e rënduar në shkollat e kryeqytetit, mishëruar në mësimin me dy turne, studimi propozoi si skemën më të mirë ndërtimin e shkollave nga kompanitë private dhe pagimin e tyre përmes kësteve, me burim kryesor taksën arsimore që do të mblidhej.
Studimi i fizibilitetit i vitit 2016 gjeti se në Bashkinë Tiranës ishin në total 191 shkolla publike, nga të cilat 17 shkolla të mesme të veçanta, 13 të mesme të bashkuara, 40 të ciklit të ulët dhe 121 shkolla 9-vjeçare.
“Nga llogaritjet e bëra për këtë studim fizibiliteti rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal, nga të cilat 10 janë të mesme të veçanta, 2 janë të mesme të bashkuara dhe 49 janë 9-vjeçare. 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne…”, shkruante studimi i fizibilitetit.
“Një kopsht në kryeqytet u shërben mesatarisht 198 fëmijëve, ndërsa një shkollë ka mesatarisht 819 nxënës, ndërkohë që në rang vendi ky raport është 44 fëmijë për kopsht dhe 276 nxënës për çdo shkollë”, shpjegonte më tej studimi i fizibilitetit.
Studimi parashikonte ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të ngriheshin nga koncensionarët, të cilët do të likujdoheshin brenda 7 viteve nga dorëzimi i shkollës dhe do i paguhej shtesë një interes vjetor 6.28 përqind e kostos së ndërtimit.
Nga analizimi i listës së investimeve që Bashkia Tiranë dërgoi përmes një kërkese për Informacion, rezulton se nëpërmjet skemës PPP janë ndërtuar 9 shkolla, nga 17 që ishin parashikuar, të cilat kanë përfunduar të gjitha në vitin 2022, kur mbaroi edhe afati [i parë] i taksës së përkohshme.
Bashkia e Tiranës vitin e kaluar vendosi që ta shtrinte taksimin e përkohshëm, por kësaj radhe duke përcaktuar një afat 3 vjeçar (2023-2025), të cilin e dikton ligji i vitit 2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Edhe pse taksa e përkohshme arsimore në bashkinë e Tiranës dhe njësi të tjera të qeverisjes vendore ka sjellë investime shtesë gjatë viteve të fundit, mungesa e transparencës i bënë ato vështirë të matshme sipas Aida Cacajt.
“Mbetet e vështirë të kuptohet sesa këto përmirësime i atribuohen taksës së përkohshme, kjo kryesisht për shkak të mangësive të raportimit të bashkive, jo vetëm raportimeve institucionale, por dhe atyre ndaj komuniteteve të tyre,” tha ajo.
Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, taksa e përkohshme e vendosur nga bashkia e Tiranës i ka tejkaluar afatet ligjore dhe mund të jetë gjithashtu më e lartë se sa parashikon ligji.
“Ekziston ligji për Vetëqeverisjen Vendore, që thotë se një taksë që është e përkohshme nuk mund të jetë më shumë se tre vjet,” tha Jaka. “Ka edhe një pikë tjetër, taksa nuk mund të jetë më shumë se 35% e vlerës së taksës së ndërtesës,” shtoi ai.
Rezultate të përziera
Pak minuta larg rrethrrotullimit në sheshin ‘Shqiponja” në hyrje të Tiranës është ngritur shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”, brenda së cilës është integruar edhe kopshti. E parashikuar në studimin e fizibilitetit të vitit 2015 si sheshi “11/2”, ajo u ndërtua përmes skemës së PPP-së dhe i shërben kryesisht zonës së “Laprakës”.
Nga ana tjetër e sheshit “Shqiponja”, edhe zonës së “Astirit” ishte parashikuar që përmes “sheshit 6/6”, t’i shtohej një shkollë 9-vjeçare. Por nga vëzhgimi i BIRN zbulohet se ajo është një nga 7 shkollat që ende nuk janë ndërtuar dhe në sheshin në pronësi private përbri lumit Lana, mund të gjesh vetëm automjete të parkuara.
“Zona që unë jetoj është zona e Astirit, kjo zonë nuk ka pasur asnjë ndryshim, nuk ka asnjë shkollë të ndërtuar për më tepër,” thotë Suela Koçibellinj, nënë e dy fëmijëve që mësojnë në ciklin e arsimit 9-vjeçar.
“Nuk ka asnjë lloj impakti një taksë e tillë, këtu ka biznese sa të duash që kanë paguar. Aktualisht unë për arsye se në zonën e Astirit nuk ka një shkollë shtetërore, jam e detyruar t’i çoj në shkollë private. Nëse do kishte variant nuk do t’i çoja në shkollë private,” shtoi Koçibellinj.
Bashkia e Tiranës arriti që të finalizonte vetëm gjysmën e shkollave të planifikuara përmes skemës së PPP-ve, të cilës i shërbente kryesisht edhe taksa “ekstra” e arsimit. Nga 10 shkolla 9-vjeçare të parashikuara janë ndërtuar vetëm 6 dhe nga 7 gjimnaze të planifikuara, janë ndërtuar 3.
Për vitin 2022, Bashkia Tiranë arkëtoi nga taksa 759 milionë lëkë ose gati 7.2 milionë euro, 60% e së cilës arkëtohet nga biznesi.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u akua se ka mungesë transparence për investimet që kryehen me këtë taksë dhe se Dhoma e Tregtisë nuk ishte përfshirë në takimet informuese.
“Është e rëndësishme që taksat të miratohen në përputhje me ligjin dhe në kontekstin e planit të investimeve, i cili duhet të jetë transparent, duke organizuar më parë dëgjesa publike,” shpjegoi Jaka.
Nga analizimi i koncensioneve të formës “PPP” për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë, rezulton se ato janë shpallur dhe janë anuluar në të paktën 4 raste, me arsyetimin se ofertat e paraqitura nuk përputheshin me kërkesat teknike.
Kostoja e parashikuar për koncensionin e parë dhe të dytë PPP – për të cilin u lidhën kontratat, është gati 3.7 miliardë lekë ose gati 35 milionë euro. Ndërsa të ardhurat nga taksa në shtatë vitet e kaluara ishin gati 45 milion euro. Në dy koncensionet e para janë përfunduar vetëm 9 shkolla, duke dëshmuar se skema e taksimit në fazën e parë nuk ishte e mjaftueshme për ndërtimin e të 7 shkollave të tjera ose kostot e ndërtimit kanë qenë përtej parashikimeve të bashkisë.
Bashkia e Tiranës nuk identifikoi për BIRN investimet specifike që kishte realizuar përmes mbledhjes së takës dhe në listën e investimeve në vitet 2015-2020 renditi të gjitha ndërtimet dhe rikonstruksionet e ndërtesave arsimore, përfshirë investime me financim nga donatorë të huaj dhe nga fondet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019.
Jaka i bëri apel bashkisë të publikonte informacione dhe të shtonte transparencën për destinacionin e përdorimit të taksës, shoqëruar me listën e objekteve ku është investuar, ndërsa theksoi se përmirësimet e infrastrukturës janë rezultat edhe i faktorëve të tjerë.
“Duhet të sqarojmë se përveç fondit të njësive të qeverisjes vendore, përmirësimi i kësaj infrastrukture lidhet gjithashtu ngushtësisht edhe me dy instrumente të rëndësishme financiare pas tërmetit 2019”, tha ai, duke listuar programin e rindërtimit të financuar nga buxheti i shtetit, si dhe programi “EU4Schools”, i zbatuar nga UNOPS dhe i financuar nga Bashkimi Europian.
Taksa dhe tarifa për arsimin
Kur Bashkia e Tiranës e aplikoi “taksën mbi infrastrukturën arsimore” në vitin 2015, ligji e njihte si të drejtë për ta vendosur por nuk jepte detaje teknike për procesin. Në vitin 2017, pas miratimit të Ligjit Nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, ky boshllëk ligjor u plotësua.
Pas bashkisë së Tiranës, një numër njësish të qeverisjes vendore vendosën taksa ose tarifa për investimet në infrastrukturën arsimore.
Bashkia Kavajë së bashku me Kamzën vendosën ta mbledhin këtë të ardhur në formën e tarifës. Përveç tyre, BIRN identifikoi se tarifa u vendosën edhe nga Bashkitë e Beratit dhe Dimalit, ndërsa ajo e Gramshit e aplikoi si taksë.
Bashkitë e vogla përmes mbledhjes së këtyre të ardhurave si “tarifë” dhe jo “taksë” i shmangen disa procedurave të detajuara, që Ligji Nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dikton në rastin e vendosjes së taksave të përkohshme.
“Ligji për Financat Vendore është ezaurues përsa i përket afatit gjatë të cilit mund të vendoset një taksë e përkohshme, afati është deri në 3 vjet dhe nuk parashikohen raste kur ky afat mund të shtyhet apo të mos caktohet,” tha Aida Cacaj nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.
Bashkia Kamëz e vendosi tarifën në vitin 2018 dhe rezulton që deri në vitin 2022, të ketë mbledhur 77 milionë lekë ose gati 728 mijë euro. Tarifën në bashkinë Kamëz e paguajnë çdo vit 22.179 familje me një vlerë 500 lekë dhe 3,144 biznese, që sipas xhiros vjetore paguajnë nga 2 mijë lekë deri në 10 mijë lekë.
Në përgjigje të një kërkesë për informacion, Bashkia Kamëz i tha BIRN se ka parashikuar ta zgjasë këtë tarifë për një kohë të pacaktuar, por ajo nuk vendosi në dispozicion listën e investimeve të realizuara përmes kësaj tarife.
Sipas Aida Cacajt, në përkufizimin ligjor tarifa vendore lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me një shërbim që bashkitë ofrojnë apo për një të drejtë që u jepet individëve, personave fizikë dhe/ose juridikë dhe është e paqartë se çfarë përfitojnë bizneset në Kamëz nga tarifa e infrastrukturës arsimore.
Bashkia Kavajë në përgjigjen e saj zyrtare sqaroi se në territorin e saj numëron 31 shkolla 9-vjeçare, 1 gjimnaz dhe 1 shkollë të mesme profesionale.
Ajo e vendosi tarifën për 7 vite, nga viti 2017 në vitin 2023 dhe arriti të mblidhte 21 milionë lekë ose 200 mijë euro. Bashkia Kavajë sqaroi për BIRN se tarifën e paguajnë vetëm familjarët, kategori e cila numëron 12.116 taksapagues.
Aktivistë vendorë theksojnë se kjo tarifë nuk ka shkuar për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Kavajë.
“Çfarë është bërë në Bashkinë Kavajë dhe në katër njësitë administrative është bërë nga programet e donatorëve,” tha Mirjan Reçi, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës.
“Nuk e mendoj se është bërë nga rikthimi i tarifës në shërbim të publikut,” shtoi ajo.
Reçi kërkoi që bashkia Kavajë të bëjë transparente mënyrën e shpërndarjes së kësaj tarife, teksa theksoi se janë shfaqur probleme serioze të administrimit financiar në këtë njësi të qeverisjes vendore.
“Bashkia e Kavajës vitin e kaluar, bashkë me Bashkinë e Vorës kanë qenë në vetë-falimentim, qeveria shqiptare i shpalli ato si bashki të falimentuara, me argumentin se nuk kanë mbledhur taksa mjaftueshëm dhe se do t’i kalonte në administrim të qeverisë,” shpjegoi ajo.
Bashkia e Beratit në vitin 2020 e vendosi tarifën me qëllim mbledhjen e parave për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe nuk realizoi ndonjë vlerësim paraprak për situatën dhe investimet e nevojshme.
“Nuk ka studim për fizibilitetin e kësaj tarife. Nuk ka pasur diskutime për vendosjen e kësaj tarife,” u përgjigj zyrtarisht Bashkia Berat për BIRN.
Përveç mungesës së studimit të fizibilitetit, Namir Lapardhaja, ish-anëtar i opozitës në Këshillin Bashkiak të Beratit, i tha BIRN se vendosja e kësaj tarife nuk u shoqërua “as atëherë dhe as në vitet në vijim,” me një relacion konkret dhe me zëra të përcaktuar se përse do të investohet kjo tarifë.
Me një eksperiencë të gjatë në arsim, ai theksoi se investimet e Bashkisë Berat mbeten në nivelet e mëparshme, të fokusuara tek mirëmbajtja dhe se investimet kryesore i përkasin qeverisë shqiptare.
“Ndonëse bashkia mund të mburret dhe të justifikojë rritjen e tarifave vendore, qoftë edhe vendosjen e tarifës së arsimit me këtë investim, vlen të theksohet se investimi i qeverisë shqiptare nuk ndikon dhe nuk justifikon rritjen dhe vendosjen e tarifave të reja vendore,” tregoi Lapardhaja.
Nga 2300 biznese dhe 27.569 familje, Bashkia Berat raportoi se në tre vite ka arritur të mbledhë përmes tarifës 24.5 milionë lekë ose rreth 231 mijë euro.
“Kohëzgjatja e kësaj tarife do të jetë në funksion të gjendjes se institucioneve arsimore të Bashkisë Berat”, shpjegoi bashkia Berat nëpërmjet një përgjigje zyrtare.
Bashkia Dimal, gjithashtu pjesë e qarkut të Beratit, ka aplikuar një tarifë të ngjashme dhe në dallim nga çdo bashki tjetër ka përfshirë në detyrimin për të paguar edhe shtresat në nevojë.
Rreth 66 kilometra larg nga Berati, bashkia e Gramshit gjithashtu nisi të mblidhte para për arsimin, por duke e aplikuar si taksë dhe jo si tarifë. Bashkia e vendosi taksën për 3 vite, me shtrirje në periudhën 2020-2022. Ajo vendosi që taksën të mos e aplikonte për familjet, por vetëm për bizneset, përfshirë hidrocentralet e zonës dhe në total për tre vite kishte mbledhur 3.5 milionë lekë ose 33 mijë euro.
Ekspertët shprehin shqetësimin se mungesa e identifikimit të investimeve specifike nga njësitë e qeverisjes vendore krijon paqartësi për mënyrën e menaxhimit të taksës ose tarifës për infrastrukturën arsimore.
“Në mendimin tim, arsyeja është mosplanifikimi paraprak i ndërhyrjeve që është jo vetëm mungesë e eficensës në parashikimin e investimeve, por mungesë e transparencës ndaj taksapaguesve të tyre, situatë që është pa dyshim në shkelje të Ligjit për Financat Vendore”, tha Aida Cacaj.
Bashkia Tiranës vendosi që ta zgjaste shtrirjen e mbledhjes së “Taksës mbi infrastrukturën arsimore” edhe me 3 vite të tjera përmes vendimit nr. 139 të Këshillit Bashkiak Tiranë të datës 23 dhjetor 2022.
Tarifat mbetën të pandryshuara, përveç ndarjes së nivelit të pagesës për bizneset, profesionet e lira dhe subjektet e transportit në dy kategori; me xhiro deri në 2 milionë lekë dhe për ato me xhiro 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë. /Reporter.al/
Discussion about this post