“Eco Tirana” po bëhet një vrimë të zezë e parave të buxhetit të bashkisë Tiranë. Shoqëria, që varet nga kryebashkiaku Erion Veliaj, është në pronësi të përbashkët të Bashkisë Tiranë dhe të biznesmenëve italianë të dyshuar për lidhje mafioze me Ndragetën.
Lidhur me këtë shoqëri, Gijotina.com ka publikuar disa tenderë abuzivë me vlera të mëdha, por gjithçka mbetet pa reagim për shkak të garancive që u jep kryebashkiaku Veliaj administratorëve që keqpërdorin paratë e taksapaguesve kryeqytetas.
Së fundmi, “Eco Tirana” ka regjistruar aferën e radhës me tenderin me objekt “Blerje pjesë këmbimi për mjete”. Po blihen aq shumë pjesë këmbimi sa duket sikur “Eco Tirana” është ndonjë kompani e tregtisë me shumicë.
Në listën e publikuar shohim se do të blihen këmbë kamioni, makina, gomina, balestra. Këto mund të sigurohen nga kompania që riparon makinat kur kanë defekte, ndërkohë që kjo shoqëri i ka shumicën e mjeteve të reja dhe brenda garancive. Por, si gjithmonë njerëzit e kryebashkiakut Veliaj shpikin prokurime me fonde marramendëse me qëllime përfitimi.
Kjo aferë ka nisur me anashkalimin e rregullave kryesore të Prokurimeve Publike, ku si çdo herë bëhet fjalë për mungesën e konkurrencës. Në kontratën e publikuar vëmë re se janë paraqitur 3 oferta të ndryshme. Ashtu siç është bërë e zakonshme, njerëzit e kryebashkiakut Veliaj kanë skualifikuar ofertat më të lira dhe lanë në proces vetëm kompaninë “Poëer Industries” shpk.
Kjo kompani, në mungesë të konkurrencës u shpall fituese, duke përfituar jo pak, por 400 milionë lekë. Ne nuk e dimë sesa fiton Lali Eri nga ky tender, por duke qenë pronar i 51 përqind të aksioneve, kuptojmë qëllimin pse zgjidhet oferta më e shtrenjtë.
Për riskun e lartë të korrupsionit me fondin e prokuruar, tenderi është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”.
Kjo skemë ndiqet në çdo tender, ku Veliaj përdor shoqërinë “Eco Tirana” për të kënaqur miqtë e tij dhe për të pastruar para. Ndërkohë vlen të përmendet se “Poëer Industries” shpk është një firmë që po përfshihet gjithmonë e më shumë në tenderë me shkelje. Në muajt e fundit ka përfituar tenderë nga bashkia Lushnje, Elbasan, Durrës dhe Kavajë.
Në këtë listë veçojmë tenderët e përvitshëm që përfiton nga Bashkia Tiranë për kapakët e pusetave. Çdo vit këtë tender e merr kjo kompani pa garë dhe me vlerë që rritet.
Pse u fshehën pronarët e vërtetë të kompanisë fituese?
Andi Marku është bërë pronar i kompanisë “Poëer Industries” pasi ia kaluan aksionet e tyre Maksim Shena dhe Olta Xhaferri. Ata u bënë “të famshëm” për një tender të veçantë në vitin 2021. Tridhjetë e pesë mijë USD do të shpenzoheshin për riparimin e makinës së blinduar, me të cilën lëviz kryeministri Edi Rama, për arsye sigurie. Tenderi me objekt “Riparim i automjetit blind” është zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, një strukturë kjo që kujdeset për rehatinë dhe luksin e kryeministrit. Pjesa më e madhe e parave do të investoheshin tek gomat e makinës së blinduar, të cilat duhet të jenë të cilësisë më të lartë, duke ofruar siguri maksimale për Ramën.
Në garë për riparimin e makinës së blinduar qeveritare në atë kohë kanë marrë pjesë “Bushi-Servis”, “Alstezo” dhe “Kadiu”, të cilat kanë paraqitur oferta më të ulëta. Por, fituese është shpallur “Power Industries”, me ofertën më të lartë.
Pas “Power Industries” në fakt janë dy klientë të pushtetit, të cilët kanë bërë kërdinë në buxhetin e shtetit, me tenderë të dyshimtë. Ata janë Maksim Shena dhe Olta Xhaferi. Dyshja kishte marrë vitet e fundit rreth 150 tenderë, shumica në mënyrë abuzive. Për të maskuar pronësinë e kompanisë ata ia kaluan aksionet të 100% administratorit Marku.
Lidhjet mafioze të pronarëve të “Eco Albania”
Më 22 Qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”. “Kjo kompani është në bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%). Aktualisht kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit. Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të saj zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25%. Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga biznesmeni Andrea Miglioranzi dhe është kompani private e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës. Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane të cilat janë hetuar nga prokuroria italiane për lidhje me organizatën ‘Ndragheta’. Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i ish-kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi. Ky i fundit nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën ‘Ndragheta’, u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me Antonio Giardini-n, i cili konsiderohet si pjesëtar i organizatës mafioze.
Ndryshimet e pronësisë dhe fshehja e aksionerëve
AGSM AIM S.P.A është një shoqëri me seli ligjore në Verona, Lungadice Galtarossa nr. 8, cap 37133, regjistruar në Regjistrin e Shoqërive në Verona, me kod fiscal dhe partita IVA nr. 00215120239, përfaqësuar nga Z. Giampietro Cigolini, shtetas italian. (Sipas aktit të themelimit të shoqërisë aksionare “AGSM Holding ALBANIA” shpk, datë 20.04.2016). Shoqëria në 28.01.2021 ka bërë ndryshimin e emrit nga AGSM Verona S.P.A ne AGSM AIM S.P.A.
AMIA Verona s.p.a është një shoqëri me seli ligjore në Verona, Bartolomeo Avesani n. 31, cap 37135, regjistruar në Regjistrin e Shoqërive në Verona, me kod fiskal dhe partita IVA nr. 02737960233, përfaqësuar nga Z. Andrea Miglioranzi, shtetas italian. (Sipas aktit të themelimit të shoqërisë aksionare “AGSM Holding ALBANIA” shpk, datë 20.04.2016).
Theksojmë se kjo shoqëri ka thyer ligjin për regjistrimin e të dhënave në QKB, ku subjektet detyrohen të tregojnë pronarët përfitues. Deri tani, megjithëse ka kaluar afati, AMIA nuk ka regjistruar të dhëna në regjistrin e pronarëve përfitues RPP.
Shoqëria bijë “Eco Tirana” ka të regjistruar si administratorë Renato Guarnieri, Frederico Berto, Andrea Benati, Taulant Tusha, Diego Testi, Mirco Caliari. “AGSM Holding ALBANIA” sha zotëron 49% të aksioneve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post