Prokuroria e Posaçme e Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 23 persona të rikthyer nga Siria dhe të tjerë, për fatin e të cilëve nuk dihet ende asgjë me akuzën për pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Në dosjen që ka siguruar gazetarja, Anila Hoxha zbulohen dhe arsyet pse këta persona kanë udhëtuar në Siri dhe i janë bashkuar luftës së ISIS-it duke përfshirë në këtë vendim edhe familjarë, fëmijë miq dhe të njohur.
Nga dosja që disponon Top Channel, shihet qartë se informacioni për rekrutimet dhe të ikurit në Siri merrej kryesisht në xhamitë që këta persona frekuentonin.
Përgjithësisht, të parët që shkonin në Siri ishin burrat të cilëve më pas u bashkoheshin gratë dhe fëmijët. Detyra e burrave ishte të luftonin, ndërsa e grave t’u shërbenin burrave luftëtarë, të shtonin popullsinë e organizatës dhe të indoktrinonin dhe edukonin fëmijët me ideologjinë e organizatës.
Në dosjen hetimore që disponon Top Channel (po publikojmë sot disa fashikuj), e pandehura Brunilda Koçollari, tregon se gjatë qëndrimit në Raka çdo grua kishte në ambjentet ku banonin nga një armë për çdo rast emergjent që mund t’iu shfaqej pasi ishin kohëra të trazuara dhe mund të ndodhte çdo gjë. Ajo sqaron se vetë ka pasur një shotgun, të cilin ia kishte mësuar me detyrim bashkëshorti për ta përdorur.
Bashkëshorti i Brunilda Koçollarit, Artur Koçollari është vrarë në luftën me ISIS, dhe për vdekjen e bashkëshortit Brunilda thotë se është paguar 800 dollarë amerikanë. Pas vdekjes së bashkëshortit ajo ka menduar të largohej dhe të kthehej në Shqipëri, por ka qëndruar në Siri dhe është martuar me një luftëtar tjetër të ISIS-it.
Ndërkohë një tjetër i pandehur, Etion Zani ka udhëtuar në Siri duke iu përgjigjur thirrjes së organizatës terroriste ISIS, kundrejt pagesës. Përveç pjesëmarrjes Zani është përfshirë edhe në veprime luftarake duke qenë luftëtar i organizatës ISIS. Bashkëshortja e tij Klotilda Zani ka udhëtuar bashkë me bashkëshortin në Siri dhe i është bashkuar organizatës terroriste ISIS duke pranuar pagesa prej kësaj organizate dhe duke pranuar të qëndrojë në organizatë dhe t’i shërbejë bashkëshortit.
Sipas dëshmive të familjarëve, konkretisht kunatit të Etion Zanit, nga komunikimet që Florian Cami kishte pasur me të motrën Klotilda, nga Siria kishte mësuar se çifti ishte sistemuar mirë pasi shteti islamik ju kishte dhënë shtëpi. Klotilda tregon se është marrë me kujdesin e fëmijëve dhe i ka shërbyer bashkëshortit të saj, i cili ishte luftëtar i shtetit islamik ISIS si në Siri dhe në Irak dhe se paguheshin rregullisht për shkak të shërbimeve që bënte bashkëshorti i saj Etion Zani.
Etioni kishte udhëtuar në Siri bashkë me të vëllain Arbër Zani dhe sipas dëshmive dy vëllezërit ishin larguar për në tokën e shamit e cila përfshinte Sirinë, Irakun, Jordaninë dhe Palestinën. Të dy ishin praktikant të fesë islame te Xhamia në Unazë. Etioni kishte marrë në Siri emrin fetar Ebu Musab.
Një tjetër i pandehur, Erdet Korro është larguar drejt Sirisë duke i thënë nënës se do të shkonte atje për studime fetare. Ditën kur është larguar nga shtëpia i ka thënë të ëmës më jep bekimin se do të shkoj në Siri. Nga dëshmia e të vëllait mësohet se e nëna i ka thënë: “Nëse shkon në Siri për studime fetare ta jap bekimin nëse shkon për punë të këqija në Siri nuk ta jap bekimin”.
Sipas rrëfimit të vëllait, Erdeti kishte mbaruar ushtrinë në Zall Herr. Pas ushtrisë ai ishte marrë më blegtori dhe ka filluar në këtë kohë të frekuentojë xhaminë në Këlcyrë. Pas pak kohe ka lënë mjekër dhe ka filluar të ndjekë ritet fetare. Për më shumë se një vit ai ka jetuar në Tiranë në shtëpinë e vajzës së hallës e cila bënte kurse të gjuhës arabe dhe ishte besimtare. Në Tiranë punonte si kujdestar i xhamisë “Dine Hoxha”.
“Kur vinte në Këlcyrë, rrëfen i vëllai, ai shpërndante libra fetare. Në një nga ardhjet e tij nga Tirana në Këlcyrë ai ka debatuar me të atin, pasi ky e kishte porositur që t’i sillte nga Tirana verë, por Erdeti nuk ia kishte sjellë sepse nuk ia lejonte feja”, rrëfen i vëllai.
Pas largimit drejt Sirisë Erdeti ka komunikuar me të motrën që jeton në Greqi dhe asaj i ka treguar se ishte martuar atje dhe kishte edhe fëmijë. Motra komunikonte me të në rrjetet sociale në Facebook ku ai ishte aktiv për një farë kohe. Prej vitit 2018 motra nuk ka komunikuar më me të.
Bashkëshortja e Shyqyri Kacës, Lavdie Kaca ka treguar takimin me djalin e saj, Saimirin në Siri. Gjatë qëndrimit, Lavdie u bë dëshmitare e vrasjes së djalit të Zejdit, ndërsa Saimiri u martua dhe lindi një vajzë, Esma Kacën. Sipas saj, në Siri ka jetuar me paratë që kishte marrë nga Shqipëria.
Një tjetër grua e rekrutuar, Entela Vladi ka zbuluar se Shyqyri Kacën, me emrin fetar Shukri, e ka takuar në Raka, Setfaruk, Mesleme dhe Shafe. Sipas saj, Shyqyriu ndodhej në Siri bashkë me gruan, Lavdijen, dhe fëmijët Saimir, Enes, Unesja dhe Esmën. “Shyqyriu nuk shkonte në luftë, pasi ishte sëmurë”, ka treguar Entela. Saimiri shkonte në punë dhe vinte, por nuk tregonte se çfarë bënte, Enes Kaca rrinte në shtëpi, ndërsa Zejdi Kaca ka qenë në luftë dhe është vrarë në luftimet në Tapka, sipas saj.
Nga provat e Prokurorisë, provohet se Shyqyri, Saimir, Enes Kaca kanë udhëtuar në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS, në këmbim të pagesës. Ata janë përfshirë në veprime luftarake, duke qenë luftëtarë të ISIS, punë për të cilën paguheshin. Si rrjedhojë, ndaj tyre rëndojnë akuzat “pjesëmarrje në organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.
Ndërsa Lavdie Kaca, që ka shkuar t’i shërbejë bashkëshortit dhe djemve që luftonin për ISIS, ka pranuar se me dashje me vullnetin e saj të lirë ka pranuar të jetë pjesë e kësaj organizate. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrje në organizate terroriste”.
Të 23 të pandehurit për të cilët kërkohet gjykimi për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj janë; Shyqyri Kaca, Saimir Kaca, Enes Kaca, Ditar Bala, Bajram Sulaj, Fatbardh Taushani, Ali Balliu, Arbër Stafasani, Usejd Stafasani, Eltion Zani, Nertil Hysenllari, Ledio Mehmeti, Erion Luto dhe Erdet Korro, për të cilët është vendosur masë sigurimi “arrest me burg”.
Ndërsa nëntë gra po hetohet nën masën “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit: Lavdie Kaca detyrim paraqitje, Entela Vladi detyrim paraqitje, Ruzhdie Balliu, Etleva Stafasani, Stela Stafasani, Klotilda Zani, Almira Kastrati, Floresha Rasha, Brunilda Koçollari.
Discussion about this post