Një 31-vjeçar nga Serbia është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Morinë.
Policia thotë se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Austria për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri kanë nisur procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.
Njoftimi i policisë
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet e Austrisë, për trafikim të narkotikëve, arrestohet me qëllim ekstradimin, 31-vjeçari nga Serbia.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Vjenës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht D. S., 31 vjeç, banues në Serbi.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Vjena, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Austrisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.
Discussion about this post