Sulmi me raketa i Hamasit mbi Izrael ka provokuar nisjen e luftës mes dy vendeve, teksa situata sa vjen e rëndohet, me autoritetet që raportojnë dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur.
Mbi 5 mijë raketa u hodhën mëngjesin e të shtunës mbi Izrael, teksa sulmin e mori përsipër Hamasi, në atë që po cilësohet si një dështim spektakolar të shërbimeve inteligjente izraelite.
Izraeli po organizohet për t’u kundërpërgjigjur dhe vënë situatën nën kontroll, teksa kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi është zyrtarisht në luftë.
Në këto kushte, është vënë në pikëpyetje të madhe edhe zhvillimi i ndeshjes Izrael-Zvicër, i planifikuar për t’u luajtur mbrëmjen e 12 tetorit në Tel Aviv, një nga qytetet objektiv i sulmit me raketa.
Federata e Zvicrës ka deklaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me homologët e saj në Izrael dhe UEFA-n, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me zhvillimin ose jo të ndeshjes.
Natyrisht situate është alarmante dhe në këto kushte është e vështirë që Izraeli të marrë përsipër organizimin e ndeshjes. Vlen të theksohet se për momentin nuk ka asnjë dyshim mbi organizimin e ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit, e planifikuar për t’u luajtur më 15 tetor në Prishtinë.
Discussion about this post