Nga Arbjona Çibuku
Dy Termocentralet (TEC) lundruese në Vlorë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” prej më shumë se një viti po lundrojnë në gjirin e Vlorës ende pa prodhuar energji. Fillimisht, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, u shpreh se ato do të nisnin prodhimin e energjisë në janar, për të “shpëtuar” kështu vendin “nga kriza energjitike”, e cila nuk ndodhi.
Sot kanë kaluar 9 muaj nga ky premtim dhe TEC-et nuk kanë nisur ende prodhimin, pasi janë në fazë testimi sipas Korporatës Energjitike Shqiptare (KESH), e cila në një përgjigje për Citizens Channel tha se prodhimi makineritë do të vihen në punë deri më 15 Nëntor.
Sa i përket pagesës prej 46 milionë dollarësh për qiranë e dy anijeve, KESH tha: “zbatimi i kontratës mes palëve, për periudhën 2 vjeçare, fillon vetëm pas realizimit me sukses të komisionimit të njësive gjeneruese, moment ky nga i cili fillojnë edhe detyrimet financiare për palën KESH sh.a”. KESH theksoi se aktualisht nuk është realizuar asnjë pagesë për qira e mirëmbajtje”.
Pak ditë më parë u shpall fituesi i tenderit për depozitimin dhe ngarkimin e lëndës djegëse, që kushton 765 milionë lekë.
Pas shpalljes së fituesit të tenderit, KESH publikoi një fond për blerjen e lëndës djegëse HFO. Fillimisht vlera ishte 10 miliardë lekë dhe më pas u dyfishua.
Sipas dokumentave të APP, KESH ka programuar që tenderi të zhvillohen në dhjetor të këtij viti. Në një reagim për Citizens Channel, KESH sqaroi se dyfishimi u bë pasi u shty kohëzgjatja e tenderit me dy vite.
“Fondi i publikuar për blerjen e lëndës djegëse HFO është parashikuar për të gjithë kohëzgjatjen e 2- vjeçare të kontratës”, u shpreh KESH.
“Sa shërbejnë TEC-et?”
Nëse këto dy TEC-e nisin prodhimin e energjisë sipas deklaratës së KESH, mbetet për t‘i dhënë përgjigje dy pyetjeve. Sa do kushtojë prodhimi i energjisë dhe sa do të ndotje do të shkaktojnë ato?
Së pari, ekspertët e shohin me dyshim që TEC-et të nisin në 15 nëntor, pasi ende nuk ka përfunduar blerja e lëndës djegëse. Kjo pasi tenderi hapet në dhjetor.
Inxhinieri elektrik Azmer Duleviç thotë se prodhimi i 1 MWh mund të shkojë nga 170-200 dollarë.
“Kosto e lëndës djegëse e llogaritur nga KESH bëhet referuar konsumit për MWh energji të gjeneruar, e cila është 220 kg/MWh. Referuar çmimeve të lëndës djegëse HFO(Heavy Fuel Oil) për vitin 2023 janë afërsisht rreth 121,550 $ dollarë për Megavat”, thotë Duleviç. Sipas kësaj përllogaritje thotë ai, prodhimi i 1 MWh do të kushtojë 121 dollarë, por përfshirë edhe kostot e qirasë dhe mirëmbajtjes mund të kushtojë deri në 200 dollarë.
Eksperti shprehet se në të tilla kushte vendit i kushton më pak nëse e blen energjinë.
Ai merr si referencë Bursën Hungareze Hupx, ku sot çmimi i 1 MWh varion nga 80-118 Euro/MWh.
“Sot që flasim na del më lirë ta blejmë energjinë në bursë sesa ta prodhojmë nga këto dy tecet lundruese (pa marrë parasysh ndotjen që do të shkaktojnë) nga ana ekonomike këto Tec-e nuk do të jenë gjë tjetër veçse një dështim i radhës në sektorin energjetik”, u shpreh Duleviç.
Lënda djegëse që KESH po blen për prodhimin e energjisë është HFO, që cilësohet si naftë e rëndë.
HFO është një kategori karburanti e rëndë që ngjason me katranin, i njohur gjithashtu si karburanti bunker. Ky preparat gjenerohet nga mbetjet në procesin e distilimit të naftës, për këtë arsye është i kontaminuar me përbërës si squfuri dhe azotit, të cilat i bëjnë emetimet nga djegia më ndotëse se karburantet e tjerë.
Ambientalistët e shohin me shqetësim ndikimin në mjedis që do të ketë nëse këto dy Tec-e nisin prodhimin. Ata kanë mbajtur dhe protesta për të kundërshtuar ardhjen e dy Tec-eve në brigjet e Vlorës.
“Sasitë kolosale të ujit për ftohje të motorëve do të shkarkohen në det, duke shtuar me mbi 14 grade celcius temperaturën e detit, duke shkatërruar faunën detare në një hapësire të gjerë”, shprehet Lavdosh Ferruni.
Ai shton se do të ketë efekt më të gjerë në mjedis. “Bloza e sedimentuar në tokë së pari do të shkatërrojë pyllin e sodës dhe do nxjerrë jashtë përdorimit për konsum prodhimet bujqësore, për të paktën në një rreze deri 5 km”, thotë Ferruni duke shtuar se gjallesat në Lagunën e Nartës rrezikohen të asgjësohen, përfshi largimin e shpendëve migrator nga zona.
Anijet pritet të djegin deri në 600 ton naftë në ditë me një ndikim të madh në mjedis.
Aktivistët kanë denoncuar se këto anije kanë mbërritur nga Bangladeshi dhe janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion, duke shtuar kështu më tepër ndotjen. /Citizens Channel
Discussion about this post