Shqipëria u rreshtua pa hezitim në krah të Izraelit, në konfliktin e nisur prej të shtunës së kaluar, kur u sulmua nga terroristët e Hamas.
Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita, janë shprehur në mbështetje të Izraelit, i cili ka nisur një ofensivë ndaj Hamas, duke iu kundërpërgjigjur edhe sulmeve nga Hezbollah që po përdorin territorin libian për të gjuajtur me raketa.
Deri më tani numërohen disa qindra viktima si pasojë e luftimeve dhe sulmeve dhe mijëra të plagosur. Në krah të Izraelit janë rreshtuar gjithashtu SHBA dhe BE.
Por si po trajtohet konflikti Izrael-Hamas nga opinionistët shqiptarë?
Ben Blushi
Në shkrimin “Hamasi, Izraeli dhe Kosova”, Ben Blushi nuk përdor logjikën e rreshtimit me më të fortin kur thotë se shqiptarët nuk duhet të justifikojnë Hamasin. Blushi e fton lexuesin të kapërcejë ndjeshmëritë fetare dhe të dënojë terroristët e Hamasit, njëkohësisht duke e quajtur legjitime rezistencën e palestinezëve.
“Të jesh kundër Hamasit nuk do të thotë detyrimisht të jesh pro Izraelit” shkruan Blushi “Mund të jesh kundër të dyjave sic nuk mund të jesh kurrë pro të dyjave. Ndërkohë, të jesh kundër terrorizmit nuk do të thotë të jesh kundër të drejtës së Palestinës për të egzistuar. Nga ana tjetër, të jesh pro të drejtës së Izraelit për të mbrojtur qytetarët e vet nuk do të thotë të jesh kundër të drejtave të palestinezëve. Këto janë gjëra të ndara dhe shumë të qarta të cilat i ngatërron vetëm dikush që orientohet nga urrejtja fetare, racore ose etnike”.
Blushi godet edhe një paragjykim, sipas të cilit shumë shqiptarë të Kosovës i justifikojnë sulmet Hamas ndaj Izraelit.
“Edhe më e shëmtuar bëhet kjo tendencë justifikuese, kur vjen nga shqiptarë të Kosovës të cilët simpatizojnë Hamasin për shkak të fesë. Terroristët e Hamasit nuk gjykohen se janë muslimanë por se janë terroristë. Ata janë edukuar si terroristë dhe kjo shpjegon të qeshurat e tyre kur mbyllin pas hekurave fëmijë të rrëmbyer nga prindërit, apo kur i detyrojnë plakat izraelite të mbajnë kallashnikovë mbi kurriz. Ata kënaqen kur vrasin dhe urrejtja e tyre nuk ka lidhje me fenë, por me mënyrën e tyre të jetesës. Shqiptarët e Kosovës ishin objekt i një sulmi terrorist disa ditë më parë dhe prandaj gjithë bota u solidarizua me ta kur një grup terrorist serb vrau një polic dhe ndoshta do kishte vrarë edhe më shumë shqiptarë nëse nuk do ishte neutralizuar. Megjithëse serbët e këtij grupi janë të krishterë ata nuk dallojnë fare nga militantët e Hamasit që janë muslimanë. Ata janë njëlloj. Paramilitarë që vrasin për të frikësuar shtetet dhe shoqëritë. Serbët janë sjellë njëlloj si Hamas, gjatë masakrave të vitit 1999 në Kosovë. Kanë qeshur duke vrarë. Bota demokratike nuk i toleroi meqë ishin të krishterë, por i ndëshkoi se ishin terroristë. Edhe shqiptarët kanë patur një organizatë ushtarake e cila ka luftuar për clirimin e vendit të vet. Ajo ishte UCK. Por UCK nuk luftoi me civilët, nuk i sulmoi ata, nuk rrëmbeu serbë nëpër koncerte, nuk mbylli në kafaz fëmij të pafajshëm, nuk dhunoi pleq dhe nuk përdori pengje për të negociuar. Vetëm kujtimi i UCK duhet t’i bindë shqiptarët dhe sidomos kosovarët, se cdo solidarizim me Hamasin është një përdhosje e luftës së tyre të drejtë. Prandaj nuk na takon të jemi me Hamasin, këtë mostër që ka lindur në Gaza, por është ushqyer nga urrejtja e popujve të ndryshëm për njëri-tjetrin. Hamasi është aleate e gjithë armiqve tanë historikë, qofshin këto ndjenja, paragjykime, taktika apo shtete” shkruan Blushi.
Kim Mehmeti
Duke i qëndruar larg llogarive politike, një prej zërave autoritarë mes shqiptarët që banojnë në Maqedoninë e Veriut, Kim Mehmeti është më i drejtpërdrejtë. Në një shkrim gati denoncues për atë që po ndodh në Gaza, Mehmeti fajson indiferencën e botës perëndimore që prej vitit 1967, kur Izraeli pushtoi tokat e palestinezëve dhe nisi dëbimet masive.
“Gjatë këtyre shtatë dekadave bota shtirej se nuk e shihte si zhdukeshin vendbanimet e lashta palestineze e shtoheshin ato të hebrenjve ardhacak, që më në fund, çdo gjë të përfundojë aty ku është sot: që palestinezëve t’u takojë thujase vetëm ‘burgu’ më i madh në botë – Gaza. Bota edhe sot shtiret se nuk e sheh se pas luftës kundër vrastarëve të Hamasit, fshihet një qëllim edhe më i ‘madh’ i Izraelit: që përfundimisht ta zgjidh çështjen palestineze dhe ta ndryshojë ‘fytyrën e Lindjes së Mesme’ duke e rrafshuar me tokë dhe duke e bërë Gazën të pabanueshme, me çka nuk do ketë kuptim më të flitet për shtet palestinez.
Pra edhe sot kur gjërat aq janë komplikuar sa vetëm idioti mund ta amnistojë njërën palë duke e fajësuar vetëm palën tjetër, mbetet e vërteta se budallenjtë ende besojnë se bota nuk është po ajo që ka qenë gjithmonë, pra vetëm budallenjtë nuk e dinë se atë nuk e sundon e drejta e viktimës së pambrojtur dhe të varfër, por vullneti i të fortit dhe të pasurit. Budallenjtë gjithashtu nuk e kanë kuptuar se ngjarjet e ndodhura nëpër botë ne nuk i shohim ashtu siç i sheh dhe siç i përjeton i pambrojturi dhe viktima, por ashtu siç na i pasqyrojnë mediat e të pasurit dhe të fortit” shkruan Mehmeti.
Mehmeti shkon përtej reflektimit personal, kur shigjeton qëndrimin e politikanëve në raport me Izraelin.
“Burrështetasit e ‘mendjehapurit’ tanë servilë mendojnë se borxhi jonë ndaj lobit hebre në Amerikë, pra se mirënjohja jonë ndaj Madleen Albright, Eliot Angel, Ëestly Clark… duhet të na bëjë të ndjeshëm ndaj dënesës së nënës hebreje, por të shurdhër ndaj piskamës së fëmijëve palestinez. Jo, borxhi ynë ndaj gjithë atyre që na shpëtuan nga vrastarët serb duhet të na bëjë më të ndjeshëm ndaj pafajshmërisë, më të përkushtuar ndaj paqes dhe më të devotshëm ndaj besimit se Njeri është ai që vetveten e ndjenë si pushimore ku mund të prehen të gjithë të përvuajturit dhe të pafajshmit e kësaj bote, e ku nuk ka vend për vrastarët e tyre” shkruan ai.
Fatos Lubonja
Analisti Fatos Lubonja nuk ka komplekse të përmendë faktin se ne jemi një vend me shumicë muslimane, kur vjen puna në qëndrimin e shqiptarëve për konfliktin Palestinë-Izrael. Projektimi i flamurit të Izraelit në universitetin e Tiranës i duket servilizëm, ndërsa kujton se disa vite më parë, Shqipëria nuk e pranoi zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem.
“Pashë atë flamurin izraelit që ishte vënë në qendër të Tiranës, nën stilin e Edi Ramës që më shumë ngjan si servilizëm sesa si solidaritet. Ne jemi një vend me shumicë myslimane, që kemi raporte edhe me Turqinë, që janë më të kujdesshëm ndaj kësaj çështjeje. Nëse ju kujtohet kur ishte çështja e zhvendosjes së ambasadës në Jerusalem, Shqipëria nuk pranoi duke qëndruar në aleancë me Erdoganin në atë kohë. Patjetër që duhet të ketë solidaritet dhe akti duhet dënuar, por nuk zgjidhen kështu problemet, me një servilizëm që të tjetër nuk e bëjnë”, shprehet Lubonja në një intervistë në Neës 24.
Për Lubonjën, shpjegimi për qëndrimin e qeverisë është i thjeshtë: Rama mban gjithnjë anën e më të fortit.
“Rama ka kujdes që të solidarizohet më shumë me ata që e mbështesin për të qëndruar në pushtet, me perëndimin, me të fuqishmit sesa solidaritet me të dobëtit dhe ata që kërcënohen. Këtu është edhe diferenca. Ai e bën këtë akt për t’u dukur tek perëndimorët: po mban Shqipëria një qëndrim të tillë. Nuk shprehu solidaritet me Kurtin sepse siç dihet që kur ndodhi ajo çështja e futjes së krerëve të komunave dhe perëndimi arriti derisa të sanksionojë Kurtin, Rama ishte në solidaritet me ata dhe jo me Kosovën. Ai bën llogaritë për pushtetin sepse shqiptarët i ka nën këmbë pasi i ka blerë të gjithë dhe se më duhet mbështetja e perëndimit që të jem i sigurt fare. Edhe shqiptarët presin nga Perëndimi që t’i shpëtojnë ndaj ai e di dhe rregullon politikat e tij me Perëndimin. Kështu ai manipulon ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët”, thotë Lubonja.
Arlind Qori
Arlin Qori nuk i ka lënë pas krahëve idetë që e shtynë shumë vite më parë të dalë në protestë në rrugët e Tiranës në mbështetje të Palestinës. “Populli i Palestinës ka të drejtën të ndërtojë një shtet të pavarur në trojet e veta të njohura ndërkombëtarisht, në paqe dhe siguri reciproke me shtetin e Izraelit” shkruan ai, ndërsa rreshton një sëri sentencash për ta gjykuar në parim konflikin.
“Të mbash të pushtuar një popull është krim. Të kërkosh zhdukjen e një shteti të njohur ndërkombëtarisht është krim.
Të vrasësh qëllimisht civilë është krim. Të mos e çash kokën për vrasjen e civilëve në arritjen e objektivave politikë, është krim.
Të marrësh peng fëmijë e pleq është krim. Të ushtrosh spastrim etnik është krim.
Të kërcënosh vrasjen e pengjeve është krim. Të ndërtosh një regjim aparteidi është krim.
Të konsiderosh çdo civil si ushtar pushtues është krim. Të mbash një popull të tërë të izoluar në një rrip toke është krim.
Të mbash në panik njerëzit se mos u bie raketa mbi supermarket është krim. T’u zaptosh njerëzve shtëpinë është krim. Të vrasësh fëmijën e zaptuesit është krim”, shkruan Qori.
Besnik Mustafaj
Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm, aktualisht në rolin e një analisti ose opinionisti, shprehet se Izraeli nuk ka pësuar kurrë dëme të tilla nga përplasjet në rajon, gjë që sipas tij e ka kthyer situatën në kohën e terrorizmit.
“Arabia ka financuar pandërprerë Palestinën përgjatë viteve. Ka një ndikim të madh në gjithë botën arabe, por edhe më gjerë deri në marrëdhëniet me SHBA. Shqipëria duhet që menjëherë të shpallë organizatë terroriste Hamasin.
Një disfatë të tillë Izraeli nuk e ka pasur asnjëherë në pëprlasjet e tija rajonale. As në luftën para50 vitesh. Ky konflikt e ktheu situatën në pikën zero, në kohën e terrorizmit. Banorët në Rripin e Gazës janë shumë të izoluar gjeografikisht. Ndikimet do jenë më të pakëta nëse konflikti mbetet aty”, shprehet Mustafaj
Discussion about this post