Komisioni konstatoi pamundësi të prokurores së Durrësit, Teuta Rrudha për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti, por ajo e kundërshtoi këtë gjetje dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Prokurorja e Durrësit, Teuta Rrudha u përball të martën më 17 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës për pasurinë duke kundërshtuar bilancet negative të konstatuara, si dhe për gjetjet në kriterin profesional. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokuroren Rrudha po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Teuta Rrudha e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Në vitin 2004 ajo u transferua në Durrës, ku dhe e ushtron funksionin aktualisht.
Komisioni konstaton pamundësi financiare të prokurores Rrudha për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti me sipërfaqe 130 m2 të deklaruar në vitin 2009 se është blerë kundrejt çmimit 71 mijë e 500 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar një kredi në masën 4.5 milionë lekë, një hua 10 mijë euro dhe po 10 mijë euro dhuratë nga vëllai i subjektit, me burim nga shitja e një prone të familjes së origjinës.
Hamitaj vërejti se nga hetimi është konstatuar se për këtë apartament ka pasur edhe një tjetër kontratë të vitit 2008, ku është shënuar se është likujduar kësti i parë në shumën 15 mijë euro.
Subjekti ka deklaruar se ka shlyer 15 mijë euro dhe 4.5 milionë lekë nga çmimi i apartamentit. Sipas saj, ka qenë një detyrim në shumën 1.6 milion lekë, pasi është përcaktuar në kontratë që të shlyhet pas regjistrimin fillestar të pasurisë, gjë që nuk ka ndodhur ende.
Por, sipas Hamitajt, nga mandatet e administruara ka rezutuar se për apartamentin janë paguar rreth 35 mijë euro dhe 4.5 milionë lekë, që në total kapin shifrën rreth 9.6 milionë lekë. “Për rrjedhojë nuk duhej të kishte mbetur detyrim ndaj shoqërisë”, tha Hamitaj.
KPK ka konsideruar si shpenzim në vitin 2008 shumën 15 mijë euro të përcaktuar sit ë shlyer për këstin e parë në kontratën e atij viti. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 1.7 milion lekë për pagesën në vitin 2008.
Nga analiza financiare e kryer për likujdimin e kësteve të kësaj pasurie, ka rezultuar një bilanc negativ total në shumën rreth 3 milionë lekë.
Prokurorja Rrudha këmbënguli gjatë seancës dëgjimore se nuk kishte kryer pagesë në 2008-ën, ashtu si përcaktohej në kontratën e atij viti. Ajo shpjegoi se ajo kontratë ishte imponuar nga kushtet e bankës për të marrë kredi.
Ajo solli si argument se në kontratën e sipërmarjes të lidhur në vitin 2009 për të njëjtin apartament, ishte shënuar pagesa e këstit të parë 15 mijë euro në 2009-ën. “Nëse do ishte paguar 15 mijë euro në vitin 2008 dhe 15 mijë euro të tjera në vitin 2009, atëherë në kontratën dytë do të ishte shënuar se ishin paguar gjithsej 30 mijë euro”, theksoi Rrudha duke pretenduar se kontrata e 2009-ës e suprimonte atë të vitit të mëparshëm.
Po ashtu, subjekti solli si argument faktin se kishte deklaruar më në vitin 2011 pranë ILDKPKI detyrimin e mbetur në shumën 1.6 milionë lekë.
E pyetur nga Sprenger për një mandat pagese të vitit 2008, subjekti tha se nuk kishte pasur dijeni më parë për këtë rrethanë dhe se e kishte mësuar gjatë hetimit administrativ. Ajo tha se nuk dinte se kush mund ta kishte vendosur atë mandat pagese mes dokumenteve.
Rrudha u shpreh se nëse do të kryhej përllogaritja mes vlerës së partamentit dhe pagesave të kryera, ato do të dilnin të njëjta.
“Në vitin 2008 nuk është bërë asnjë pagesë dhe shënimi është bërë në mirëbesim me shoqërinë. Nuk kam asnjë pamundësi financiare në vitin 2008 pasi nuk kam bërë asnjë pagesë”, këmbënguli subjekti.
Sipas saj, pamundësia për apartamenti rezulton vetëm në masën 227 mijë lekë, por që bazuar në parimin objektivitetit dhe proporcionalitetit, është e pamjaftueshme për të sjellë penalizim.
Komisioni nuk ka gjetur probleme domethënëse në dy pasuri të trashëguara nga subjkti dhe bashkëshorti i saj. Konkretisht nuk ka pasur paqartësi për burimin e krijimit të pjesës takuese të prokurores Rrudha në një truall me sipërfaqe 790 m2 në Divjakë dhe një trualli tjetër 292 m2 në Fier të bashkëshortit, pasuri të trashëguara nga familjet respektive. Sipas Hamitajt, subjekti nuk ka kryer deklarim për pjesën e saj takuese në truallin në Divjakë, si dhe nuk është deklaruar turalli në Fier deri në vitin 2013 kur është nënshkruar një kontratë investimi me një shoqëri ndërtuese.
KPK nuk ka gjetur problem as në lejen e një automjeti në vitin 2015 për çmimin 4500 euro, me burim të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Fier.
Hamitaj tha se nga analiza financiare paraprake për të ardhurat, investimet dhe shpenzimet për gjithë periudhën e rivlerësimit ka rezultuar bilanc negativ në shumën rreth 2.3 milionë lekë.
Rrudha i pranoi pasaktësitë lidhur me mosdeklarimin e pasurive të trashëguara, port ha se ishte pa faj pasi nuk kishte pasur dijeni për zotërimin pjesës takuese, si dhe nuk ishte e shoqëruar me mungesë burimesh. Sipas subjektit, bazuar në këto rrethana, pasaktësitë nuk mund të sillnin pasoja.
Subjekti pretendoi se analiza financiare e familjes së saj në vite rezulton me bilanc pozitiv.
Rrudha u vlerësua pozitivisht për figurën, ndërkohë që në aspektin profesional u trajtuan më së shumti gjetjet për një pjesë të 6 denoncimeve të depozituara nga publiku, si dhe për ankesat e kryera më parë ndaj saj.
Lidhur me katër kallëzime penale për të cilët ka vendosur mosfillimin e hetimeve, subjekti shpjegoi se në tre raste nuk kishte pasur vepër penale, ndërsa në tjetrin ishte parashkruar vepra penale. Lidhur me vendimarjen e gjykatës për prishjen e vendimit të mosfillimit me argumentin se ishte parashkruar vepra penale, subjekti sqaroi se nuk kishte vijuar ankimin, por kishte regjistruar menjëherë procedimin penal dhe se po vijon hetimet. Ajo shtoi, se denoncuesi ishte ankimuar edhe pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë lidhur me këtë çështje, që ishte arkivuar.
Subjekti u pyet edhe lidhur me një shkrim në një media online ku ajo përmendjej për qëndrimin e saj për çështjen e njohur si “dosja 339”, ku rezultatet e përgjimeve lidhën funksionarë të lartë të Partisë Socialiste me një grup të dyshuar për trafik narkotikësh, të përfshirë në fushatë elektorale dhe blerje e frikësim votuesish.
Rrudha u shpreh se “dosja 339” ishte e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Ajo shpjegoi në seancë se kishte regjistruar procedim penal lidhur me dy persona për armëmbajtje pa leje duke konkluduar me pushimin e akuzës për njërin prej të hetuarve dhe se për tjetrin kishte kërkuar deklarimin fajtor.
Në përfundim, prokurorja Rrudha deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK në fund të seancës u shpreh se do të njoftojë në ditët në vijim lidhur me ecurinë e procesit për prokuroren teuta Rrudha. /BIRN/
Discussion about this post