Pas akuzave të ngritura nga SPAK, Rama dhe Manastirliu e morën në mbrojtje koncesionin e sterilizimit me argumentin se kishte ulur ditët e qëndrimit të pacientëve në spital sipas një studimi – që ISHP thotë se nuk vlerëson zbatimin e kontratës në fjalë.
Vetëm pak ditë pas arrestimeve të SPAK për kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja në atë kohë e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shfaqën në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë për ta quajtur atë ‘një sukses’.
Në korridorin e spitalit ishin ekspozuar disa mjete të vjetra dhe të ndryshkura kirurgjikale, ndërsa kamerat kujdeseshin të fiksonin kontrastin me aparaturat e reja të sterilizimit.
“…vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimi në total që është bërë për këtë proces,” tha Rama nga spitali “Shefqet Ndroqi”.
I njëjti mesazh u përforcua edhe nga Manastirliu, e cila iu referua një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, për efikasitetin e investimeve në shërbimet kirurgjikale.
“ISHP këtë vit ka bërë një studim mbi efikasitetin dhe eficensën e gjithë investimeve në shërbimet kirurgjikale dhe ka shqyrtuar një nga investimet më të mëdha që është shërbimi i integruar i instrumenteve dhe sterilizimit dhe çfarë ka nxjerr është kjo: Ky investim ka reduktuar me 20 për qind përdorimin e antibiotikëve, e dyta ka ulur ditët e qëndrimit, dhe nga 2014 deri tani është ulur me 2.3 ditë qëndrimi…,” tha Manastirliu.
Por ndryshe nga mesazhet e Ramës dhe Manastirliut, ISHP i tha BIRN se nuk kishte kryer një vlerësim mbi zbatimin e kontratës së sterilizimit.
ISHP tha se kishte kryer studimin me titull “Vlerësimi i ecurisë së infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor postkirurgjikal, pas ndërhyrjeve efektive në sistemin shëndetësor”, por nuk e vuri atë në dispozicion të BIRN.
“Ky studim i kryer nuk ka qenë posaçërisht për të vlerësuar zbatimin e kontratës së cilës ju i referoheni,” tha drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini në një përgjigje për BIRN.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.
Sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, koncesioni është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit të studimit të fizibilitetit. Ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen prej dy muajsh në qeli për këtë kontratë, ndërsa hetime po kryhen edhe për ish-ministrat Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani.
Ndërsa koncesioni i sterilizimit u bë pis nga akuzat e ngritura nga SPAK, zyrtarët më të lartë të qeverisë e devijuan debatin publik te përfitimi që kishte pasur sektori shëndetësor – veçanërisht me uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital.
Për të verifikuar këto pretendime, BIRN i kërkoi ISHP-së studimin në fjalë dhe mori dhjetra faqe monitorimesh në spitale të ndryshme të vendit ndër vite për nivelin e infeksioneve spitalore, por asnjë studim krahasues për ndikimin e investimeve dhe aq më pak të kontratës koncesionare të sterilizimit.
Ndërsa të dhënat mbi reduktimin e infeksioneve të plagëve operatore kanë dalë sipas ISHP-së nga monitorimet rutinë dhe nuk kanë lidhje “me vlerësimin apo një studim të mirëfilltë”.
Sipas ISHP-së, ulja e infeksioneve spitalore ndodh për shkak të disa faktorëve ndikues si; infrastruktura spitalore, sterilizimi dhe dezinfektimi i mjeteve kirurgjikale, kushtet e punës, mjetet mbrojtëse personale, pajisja me aparatura mjekësore, mjekimi adekuat, sistemi i aspirimit, etj..
Në përgjigjen e Tominit pranohet se studimet krahasuese për vitet 2013-2023 tregojnë se ndotja mikrobike është ulur, -“pasi janë ndërmarrë një sërë hapash për parandalimin”.
Por, ky institucion nuk qe në gjendje të jepte një përgjigje se sa ka ndikuar faktori “sterilizim” në përmirësimin e situatës.
Kryeministri Rama nuk iu përgjigj kërkesës për koment se në çfarë të dhënash e kishte bazuar qëndrimin e tij, ndërsa Manastirliu, e cila mban detyrën e ministres së Arsimit dhe Sportit që nga shtatori, mohoi që t’i jetë referuar një studimi të posaçëm të ISHP-së në fjalën e saj.
“U jam referuar një serie treguesish, që janë pjesë e disa raporteve vlerësuese apo hulumtimeve të kryera në seri kohore si dhe të dhëna të institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve vendas dhe të huaj dhe jam bazuar në këto referenca,” tha ajo nëpërmjet një zëdhënëseje për BIRN.
Studimi i fundit i ISHP-së, që nxjerr përfundime për nivelin e ndikimit të sterilizimit në përhapjen e infeksioneve spitalore i përket periudhës 2010-2013, ku setet kirurgjikale dhe reanimuese kanë rreth 23 për qind të peshës për infeksionet. /BIRN/
Discussion about this post