Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po e trajton opozitën si armikun e brendshëm. Berisha tha se vërtet Edi Rama nuk ka “sigurimin e shtetit” por ka një SKAP, policinë sekrete dhe policinë e shtetit, që i përdor kundër opozitës.
Në këtë mënyrë ish-kryeministri ka bërë një paralelizëm mes SPAK dhe Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës, që sipas tij, godiste çdokënd që regjimi e konsideronte armik të brendshëm.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që po mbahet në selinë e PD-së, Berisha tha se ne mblidhemi në një nga momentet më kritike, ndofta në momentin më kritik në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë.
Berisha tha se diktatura e Edi Ramës kontrollon votën në shkallën më të madhe që i duhet atij, me makinerinë gjigante të frikës së qytetarëve.
“Me fallangat komuniste të kuqe të patronazhistëve, me vrasësit serialë të bandave ai kontrollon dhe dikton vullnetin e shqiptarëve. Me makinerinë, me industrinë gjigante të blerjes së votës, qindra e mijëra shqiptarë shesin të drejtën e votës ose votën. Të gjitha këto kanë një synim, zhdukjen e opozitës.
Të gjitha këto Edi Rama, këto vota që i grabit, i konsideron plumba për opozitën. E njëjta gjë sot ndodh me pronën. Njerëzit nuk e kuptuan dhe PD nuk bëri detyrën e vet.
Ligji i investimeve strategjike është ligji i konfiskimit të pronave në të gjitha zonat që ato mund të kenë një vlerë turistike, nga kepi i Stillos në Velipojë, nga Çajupi në Alpe. Ku të dojë diktatori i konfiskon dhe i përdor për mafian e tij”, tha Berisha.
“Ne mblidhemi në momentet e fillimit të betejës tonë pa kthim dhe vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë, opozitës së vërtetë, pluralizmit politik si motor i ekzistencës dhe zhvillimit të një shoqërie të lirë.
Karls Marksi, idhulli i etërve mizorë të Edi Ramës, por edhe kripto idhulli i Edi Ramës ka thënë 160 vite më parë një shprehje; kuptimi i paqes është mungesa e opozitës.
Për kryefilozofin e terrorizmit, paqja ishte diktatura, dhe në këtë kontekst, i bazuar në këtë parim ç’njerëzor Enver Hoxha shndërroi luftën çlirimtare në luftë civile. Pushkatoi në vitin 1946 opozitën parlamentare dhe pastaj me mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që guxuan të kundërshtojnë politikën e tij shtypëse.
Shqiptarët pa opozitë përjetuan një diktaturë të trefishtë si asnjë vend tjetër, luftën e klasave, tiraninë e urisë dhe mjerimit, diktaturën e izolimit.
U ndala në këtë moment sepse më mirë se ne, askush nuk duhet ta dijë se çdo të thotë një komb pa opozitë. Një komb pa opozitë jeton në natën e tij më të zezë.
Por po kështu, në ato vite të paqes të Karl Marksit, interesi kombëtar u shkelmua në mënyrën më të padenjë. Të gjitha këto u realizuan sepse të gjitha pushtetet ishin përqendruar në dorën e një njeriu”, tha Berisha.
Discussion about this post