Rrjeti i njohur britanik, BBC, ka publikuar sot një investigim që tregon se Lulzim Basha u financua përmes rusëve në mënyrë sekrete.
Në qendër të investigimit të BBC është një kompani offshore e quajtur Alpha Consulting, e cila ka ndihmuar për të krijuar disa kompani të tjera të përdorura nga rrethi i ngushtë i Vladimir Putinit.
Alpha Consulting, me qendër në Ishujt Sejshel, ka ndihmuar mes të tjerësh edhe bosin e mercenarëve të Ëagner, Yevgeny Prigozhin për të fshehur jahtin e tij.
Kompania Alpha Consulting ka krijuar partneritete me më shumë se 900 kompani britanike, duke i ndihmuar ato që të fshehin pronarët e vërtetë.
Mes tyre është edhe kompania Biniatta Trade, e cila ka paguar një lobist amerikan për llogari të Lulzim Bashës.
“Në mars të vitit 2017, firma e përfshirë, Biniatta Trade LP, pagoi një lobist në emër të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Lobisti organizoi qasje te politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh, ku zoti Basha ishte në gjendje të siguronte një mundësi fotografike me presidentin e atëhershëm, Donald Trump, i përdorur më vonë në fushatën zgjedhore shqiptare.
Raportet e vitit të kaluar sugjeruan se inteligjenca amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, slogani i së cilës ishte ‘Ta bëjmë Shqipërinë të madhe përsëri’, ishte mbështetur në mënyrë sekrete nga Rusia me 500 mijë dollarë.
Pronësia e Biniatta-s ishte fshehur përmes sekretit offshore dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara nga Alpha përfshijnë një marrëveshje të vitit 2015, kur u krijua partneriteti, i cili emëronte pronarin përfitues si një shtetas rus i quajtur Maxim Trofimets,” shkruan BBC.
“Në verën e vitit 2017, kur ligji për partneritetet skoceze ndryshoi, zoti Trofimets nuk u deklarua si ‘person i rëndësishëm kontrolli’ te Biniatta dhe një kandidat i Alpha-s deklaroi në mënyrë të rreme se firma kishte dhënë të gjithë informacionin që duhej.
Të nesërmen, i njëjti kandidat i Alpha-s, nënshkroi fshehurazi një marrëveshje të re autorizimi, duke rinovuar kontrollin e zotit Trofimets mbi Biniatta-n.
Pas raportimeve të medieve për një lidhje të mundshme me Rusinë në vitin 2018, pronarja e Alpha-s, Victoria Valkovskaya tregoi në një email se si Biniatta mund të fshehë pronësinë e saj.
Pronësia e Biniatta-s mund të strukturohet duke përdorur një fondacion në Sejshel me pesë këshilltarë të emëruar ‘në mënyrë që të mos deklarohet asnjë person kontrollues’.
Kjo do të krijonte idenë se asnjë person nuk kishte kontroll mbi 25 përqind të kompanisë, pragu sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar për kërkesën për të emëruar një person me kontroll të rëndësishëm.
Biniatta e ndoqi këtë këshillë dhe nuk u deklarua asnjë person me kontroll të rëndësishëm.
Alpha tha se kundërshton pretendimin se u përpoq të shmangte që Biniatta të bënte një deklaratë të tillë” thuhet ndër të tjera në investigimin e BBC.
Rrjeti britanik shkruan se pavarësisht këtyre lidhjeve të Lulzim Bashës me Rusinë, ai nuk i deklaroi ato në Këshillin e Europës, kur u zgjodh për të raportuar për çështjen e rindërtimit të Ukrainës.
“Në shtator të këtij viti, Këshilli i Europës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus. Ai tha se nuk kishte konflikt interesi.
BBC u përpoq të kontaktonte z. Trofimets dhe z. Basha, por ata nuk u përgjigjën,” raporton BBC.
Discussion about this post