Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat se ai kontrollon SPAK apo se Prokuroria Speciale vepron me urdhër të tij. Rama nuk ka kursyer ironinë në drejtim të ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetësve të tij, të cilët e quajnë SPAK-un, SKAP.
“Thonë që s’ka drejtësi, por ka një SKAP që po e kap”, tha Rama, ndërsa u shpreh se çfarë kemi parë në periudhën e fundit është vetëm fillimi i fundit.
“Tani është edhe SPAK. Çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash të profilit të larta është vetëm fillimi i fundit. Që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë. Do të jetë shumë e afërt koha kur të gjitha këto vatra do shuhen. Të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri se një pjesë ja kanë mbathur do përfundojnë aty ka kanë filluar të shkojnë.
Këtë luftë që e kemi filluar do ta fitojë shteti dhe do ta fitojë pa kthim. Nuk ka vend demokratik pa krim, zhdukja finale përfundimtare e krimit nuk është arritur në asnjë vend, por një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar do mbyllet pa kthim. Nëse për krimin e organizuar përdoret shprehja bota e nëndheshme, ata do kenë bishtat e tyre, por jo mbi dhe, por nën dhe. Mbi toka e Shqipërisë do jetë e qytetarëve.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit, nuk dua të përsëris gjera që i keni dëgjuar me qindra herë. Dua të them pak gjera. Sipas meje këtu ka dy pozicione të dallueshme në mexhlisin e debatit publik. Njëri është drejtësinë e re e solli Amerika, tjetri pozicion është s’ka drejtësi të re por ka një skap që po na kap se e ka kapur Edi Rama. Të dyja këto janë të pavërteta”, tha ai.
Rama tha se kur ka qenë në opozitë i ka propozuar qeverisjes Berisha në 2008 një pakt kombëtar për drejtësinë.
Kryeministri tha se reforma në drejtësi u arrit vetëm falë Partisë Socialiste.
“E kemi shkruar në program dhe kam qenë i bindur që do e realizonim, edhe pse më thonin si do e bëjmë kur ne nuk do të kemi 94 vota për ndryshime Kushtetuese apo miratimin e ligjeve të veçanta. Dhe po ua them se jo amerikanët, por të gjithë forcat e NATO-s të mblidheshin nuk do të mund të bënin reformën në drejtësi”, tha Rama.
Ai tha se në Shqipëri nuk do të ketë ndonjë forcë tjetër qeverisëse përveç Partisë Socialiste, të cilën e quajti një kapacitet shtetformues.
“Ne mund ta kemi gjuajtur topin jashtë, por huq nuk kemi dalë asnjëherë. Doni tua them sa herë kanë dalë huq të tjerët dhe sa herë të tjera do të dalin huq? Edhe kur dalin huq thonë ne e bëmë golin, por na e hoqën ata të tjerët”, tha Rama.
Ai u shpreh se reforma nuk do të mund të bëhej pa mbështetjen e aleatëve strategjikë, por ne udhëhoqëm reformën.
“Sado të ishim të zot ne, nuk do të mund të sillnim në Kuvend ata kreshnikët që do t’i hapnin luftë Amerikës, dhe të miratonin reformën. E mbani mend, dorën e mbanin lart dhe kokën e kishin poshtë”, tha Rama.
Ai tha se një Kryeministër që do të kapë drejtësinë e bën këtë që mos ti kapin të tijët, jo që ti kapin ata që duhen kapur. “Kjo nuk quhet kapje e drejtësisë”, tha Rama, duke shtuar se kjo reform në drejtësi, është e pakthyeshme.
Rama tha se e rëndësishme është që ne të forcojmë kapacitetet e kontrollit brenda ekzekutivit, në mënyrë që të kapim në kohë ato që I kanë duart e gjata, e kam fjalën këtu për korrupsionin.
Discussion about this post