Në gusht të vitit të kaluar, 20-vjeçari Aqif Abazi, emigrant në Itali, kthehet për disa ditë pushime pranë familjes në Belsh të Elbasanit.
Mbrëmjen e dy gushtit, ai merr mjetin e vëllait të tij dhe së bashku me dy shokë dalin shëtitje në mbrëmje. Gjatë udhëtimit, përpara u del një automjet Audi, në bordin e së cilës gjendeshin dy vajza.
Aqifi kërkonte të parakalonte mjetin, por vajza në timon i bllokonte rrugën. Kjo “lojë” vijoi për disa minuta. Djaloshi nxjerr telefonin, filmon mjetin që i bllokonte rrugën dhe e publikoi menjëherë në rrjetin “Tik-Tok”, me shënimin: “Ma gjeni pak pronarin e mjetit”.
Një shaka, e cila i kushtoi shumë. Videoja u bë shkak që ai të shndërrohej në subjekt të dhunës së ashpër që pësoi në kurriz, si edhe një “gjobë” në shumën 5 mijë euro nga bashkëshorti i vajzës që gjeti në timon.
Është një histori tipike, nga ato ku “shakatë” në rrjete sociale sjellin pasoja shumë të rënda, të cilat nuk dihet se ku u del fundi.
Aktualisht, tre persona gjenden nën pranga, mes të cilëve edhe bashkëshorti i shoferes, në akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, ose siç njihet gjerësisht “gjobvënie.
“Gijotina” ka siguruar të dhënat e plota të ngjarjes, në të cilën kuptohet si si një lojë në rrugë, e ndërthurur me “shakatë” në rrjete sociale, shndërrohet në një ngjarje tejet të rëndë kriminale.
Videoja e gabuar
Djaloshi 20-vjeçar, Aqif Abazi, jeton në qytetin e Venecias Itali prej rreth 4 vitesh. Ai është kthyer në Shqipëri me datë 02.08.2022 dhe me datë 08.08.2022 ka shkuar në qytetin e Elbasanit, me automjetin tip Benz me targa AA 343 JX në pronësi të vëllait të tij. Në mjet kanë qenë kallëzuesi së bashku me dy shokët e tij shtetasit Ergent Tola dhe Filip Sallo.
Pasi bënë dy xhiro me makinë dhe kur ishin afër Bar “Living”, duke shkuar drejt kryqëzimit të Dinamos, ka vënë re që përpara ishte një makinë Audi A3 i zi, me tek derë dhe me xhama të zi me targa AA 298 UD.
Në këtë makinë ishin 2 vajza, njëra shofere dhe tjetra pasagjere në vend të parë. Audi kishte ndezur edhe bllokazhin dhe nuk e linte të parakaloja. Ato vajzat nuk i pa me vëmendje, sepse ishin dhe xhamat e zi dhe nuk dalloheshin mirë.
Aqifi tentoi disa herë të parakalonte, por ato nuk më lejonin. Ndërkohë që Audi ishte para, djali i bën një video të shkurtër disa sekonda, ku filmon vetëm targën e makinës. Shoferja kur ishte para ma bëri me dorë që ta ndiqte, por ai nuk e ndoqi, gjeti momentin e parakaloi dhe më pas mori rrugën direkt në Belsh.
Në fillim çoi shokët nëpër shtëpitë e tyre dhe më pas rreth orës 00:30 të datës 09.08.2022 ka hyrë në shtëpi. Kur ishte në shtëpi, në rrjetin social Tik Tok, në adresën e tij personale “ukn 0395”, postoi videon e shkurtër që bëri, ku dukej targa e makinës AA 298 UD dhe shkroi “Më gjeni pak pronarin e mjetit”.
Pasi postoi këtë video, fjeti gjumë. Kur u zgjua në mëngjes rreth orës 12:00, pa që në videon që kisha postuar kishin komentuar shumë persona, por komentet nuk i lexoi. Pak më vonë e telefonon shoku i tij, Ergent Tola dhe i thotë “Fshije videon që ke postuar në Tik Tok, sepse më ka shkruajtur në Instagram një adresë “big lokz” RusSsta dhe më shan e kërcënon që ti ta fshish videon”.
Ai vijon rrëfimin se:… “Unë hyra në Tik Tok për të fshirë videon dhe pashë që aty ishin bërë shumë komente nga persona të ndryshëm ku më thonin ta fshija këtë video. Unë adresën e Tik Tok e kam publik dhe mund të komentojnë edhe personat që nuk i ndjek apo që nuk më ndjekin. Një nga personat që më kishte komentuar ishte edhe shtetasi të cilin e identifikova më vonë dhe quhet Dervish Rusta.
Kërcënimi: “O bish, fshije videon”
Në Tik Tok ai kishte adresen “big.lokz” RusSsta dhe më kishte thënë “O bish fshije këtë videon”. Më pas unë e fshiva videon. Në Belsh atë ditë u ktheva rreth orës 13:30. Në adresën e Tik Tok unë kam bashkëngjitur edhe adresën time të rrjetit social Instagram “aleeking”. Për këtë arsye mund të më kontaktojnë edhe në Instagram.
Kur isha në shtëpi, hapa Instagramin dhe pashë që më kishte shkruar dhe telefonuar disa herë Dervish Rusta me adresën “Io.lokzz” dhe emrin Dervi Rusta.
Ai profilin e kishte publik kur më shkroi, kurse unë e kam profil privat. Prandaj dhe mesazhet dhe telefonatat nga personat që nuk më ndjekin, nuk më vijnë direkt, por më vijnë si kërkesa që duhet ti hap më parë.
Dervishi më kishte shkruar shumë mesazhe ku më ofendonte me fjalët nga më të ndyrat dhe në një mesazh me kishte thënë “Do vij në Belsh të të takoj dhe do të të thyej në mes, sepse ke publikuar gruan time në video”. Unë i thashë që vetëm targën kam publikuar dhe e kam fshirë videon por ai vazhdonte të më shante.
Madje kur po fliste me mua ai postoi në story-n e Instagramit të tij, foton time të cilin e kishte marrë nga profili në Instagram i Ergent Tola. Ergenti e kishte publik Instagramin dhe një natë më parë kishte postuar në story një foto ku kishte dalë me mua.
Dervishi e kishte marrë këtë foto, kishte prerë Ergentin dhe me kishte lënë vetëm mua. Dervishi e kishte postuar dhe kishte shkruar sipër fotos “Kush ma gjen këtëbossin, ku rri, ku ka lagjen unë do ti jap 200 Euro”. Unë këtë foto e pashë, sepse kishte publik profilin siç thashë më sipër. Dervishi vazhdonte më shante dhe e kishte marrë vesh që unë isha nga Belshi”.
Dhuna shtazarake
Më tej, 20-vjeçari rrëfen dhunën që pësoi.
Ai ka deklaruar se, më kërkoi takim për të pirë kafe dhe për tu sqaruar.
“Unë pranova me idenë që të sqarohesha. Rreth orës 15:00 të datës 09.08.2022 Dervishi më çoi një video me mesazh në Instagram dhe dukej që ishte në Belsh, konkretisht sipër në Qafë-Belsh dhe me tha: “E ke parasysh vetë se ku jam, hajde se po të pres”.
Unë shkova me benzin gri të vëllait. Kur arrita atje, tek lokali i shtetasit Agron Hysa, i cili ndodhet në Qafë-Belsh, pashë që jashtë lokalit ishte i parkuar Audi me targa AA 298 UD. Kur pashë Audin, afër tij unë po parkoja makinën time.
Kur isha duke e parkuar, me vrap drejt mjetit tim erdhi shtetasi Dervish Rusta. Unë e njoha sepse ishte i njëjti person që më kishte shkruar në Instagram, pasi aty i pashë dhe fotot që kishte postuar. Sapo erdhi, direkt më fiku makinën, më mori çelësat e makinës, celularin tim dhe marsupin që kisha unë, i vuri sipër makinës time.
Më pas më tërhoqi nga bluzja dhe më nxorri jashtë makinës dhe e mbylli derën e makinës time, duke e përplasur. Sapo më nxorri jashtë më qëlloi me grusht në fytyrë. Unë iu luta të mos më gjuante, sepse nuk kisha bërë gjë. Pasi më gjuajti, më grisi bluzën dhe mi mbante duart me bluzën e grisur e mi shtrëngonte.
Ai nxorri celularin e tij, e vuri te dera e Audit të tij, ndezi kamerën dhe ndërkohë mua më mbante shtrënguar nga duart. Pasi filloi nisi të filmonte, Dervishi filloi të më gjuante me grushta me shkelma dhe me tha “Unë jam pronari i atij Audit që ti kërkoje” dhe vetëm më gjuante.
Ngjitur me vendin ku ishim, jashtë lokalit ndodhet edhe një lavazh, të cilin mesa di e ka po Agron Hysa. Aty pranë lavazhit ishte edhe Agron Hysa dhe një shtetas tjetër që nuk e njihja, por mora vesh më vonë që quhej Mir Tafani.
Agron Hysën unë nuk e njihja, por më vonë mora vesh që quhej ashtu dhe që e kishte ai lokalin ku ishim. Agron Hysa i tha Dervishit “Dilni andej bëni çtë doni, jo këtu para lokalit”.
Dervishi u shty pak metra dhe vazhdonte më gjuante. Më pas ndërhyri Miri dhe i tha “Lëre lëre”. Pasi më gjuajti, Dervishi më uli në një nga tavolinat aty jashtë lokalit. Mesa kuptova, ai kishte qenë ulur më parë aty, sepse në tavolinë kishte edhe një filxhan me kafe. Ne u ulëm dhe Dervishi porositi dy ujë. Pasi Agroni solli dy shishe ujë, Dervishi më tha ujë, “qetësohu sa të vijë ai shoku im sepse ai do merret me ty, unë nuk i ndyej më duart me ty”.
“Futini plumbin, legenit”
Dervishi kishte një Iphone të zi me të cilin e regjistroi rrahjen. Pas afro 5 minutash, aty erdhi shoku i tij i cili ishte një djalë rreth 25-26 vjeç, pak më i gjatë se Dervishi, me pak bark kishte pak trup të palestruar. Ishte shumë zeshkan dhe me flokë të zeza të qethura shkurt.
Ky person ishte vesh me pantallona të shkurtra, të zeza më duket dhe një bluzë të zezë. Në qafë mbante një varëse të trashë floriri me gur të bardhë, në dorën e djathtë kishte një tatuazh të madh në komplet pjesën e parakrahut. Në gisht mbante edhe një unazë floriri, por nuk e kujtoj dot në çfarë dore të majtë apo të djathtë, kishte edhe një orë në dorë me zinxhir gri. Këtë person po ta shikoj prapë e njoh me patjetër.
Ky person sa erdhi i tha Dervishit “Ky ishte ai gangsteri o Lok”. Ky person Dervishin e thërriste me nofkën “Loku”. Dervishi i tha këtij personit “O bolo lere mos i gjuaj se e rrafa unë”.
Pasi dhe ky personi tjetër u ul në tavolinë me ne, Loku nxorri telefonin e tij dhe më thoshte “Kjo është gruaja ime, këtë kërkoje ti, hajde në Elbasan që ta q……Unë e mbaja kokën nga ana tjetër dhe nuk shikoja nga telefoni i tij.
Në momentin që unë ktheva kokën për të parë në celularin e tij. Loku filloi të më gjuante prapë. Pasi më gjuajti disa herë Loku, personi tjetër u çua në këmbë dhe më gjuajti një grusht shumë të fortë në fytyrë dhe me la gati pa ndjenja.
Më pas më futën në mes dhe filluan të më gjuanin të dy me grushta dhe shkelma. Ai pak i shëndoshi më gjuajti një shkelm të fortë tek organi gjenital dhe më la pa frymë. Ndërkohë që po me giuanin, vijon ai rrëfimin, ai zeshkani mori në dorë tavllën e duhanit dhe kur u mat të më gjuante, aty ndërhyri Mir Tafani, i cili besoj se ka qenë aty përqark.
Miri ia mori tavllën nga dora dhe nuk i lejoi të më gjumin më. Kur ato ishin duke gjuajur, Agron Hysa, i cili ndodhej në këmbë disa metra larg nesh i tha atyre “Futini plumbin – këtij dhe hidheni në ujë klyshin e kurvës”.
Personi tjetër po më tërhiqte se donte të më fuste në bagazhin e makinës dhe ai kishte një makinë Benz “Evo” ngjyrë gri me targa shqiptare por nuk ia fiksova. Por Miri i tha atij “Lëre se është i vogël, gjynaf çfarë bëni” dhe ai më la. Ata më thanë pastaj shko tek lavazhi dhe pastrohu. Unë shkova tek lavazhi dhe u pastrova nga fytyra.
Pastaj erdha tek lokali dhe i kërkova të më sillte një shishe ujë, një djali të vogël që ndodhej jashtë lokalit, duke pastruar me ujë gjakun që më doli mua nga goditjet. Ndërkohë që ai djali po më sillte ujin. Agroni u afrua dhe më pyeti “Po çpate o bir”.
Unë i thashë Agronit “Po ti pse i the atyre futini plumbin se ato pas fjalës tënde po më gjuanin më shumë”. Agroni më pyeti i kujt je ti. Unë i thashë jam djali i Sefës (se ashtu e thërrasin babain tim) dhe nipi i Çim Abazit, Agroni aty ngeli pa fjalë dhe iku.
Më pas Loku më tha “Do shkosh të ndërrohesh në shtëpi dhe do vish pas nesh në Elbasan dhe do t’i kërkosh falje gruas time”. Unë i thashë që nuk shkoj dot në shtëpi kështu. Loku më tha “Do shkosh në shtëpi e do vish në Elbasan për 1 orë. Nëse vjen vetëm nuk do të të bëjmë asgjë, do i kërkosh falje gruas time e do ikësh. Për kokën e Mirit nuk do të të bëjmë gjë”. Më kthyen çelsat e makinës, çantën dhe celularin dhe më pas ata ikën.
“Ose 5 mijë euro, ose plumbin”
Ai vijon se, unë mora benzin dhe shkova direkt siç isha me bluzë të grisur e me gjak në servisin e kushëririt tim Bledi Abazi. Ai më pyeti se çfarë kishte ndodhur dhe unë ia tregova. Më pas nga aty shkova tek dyqani i Mozës, në Belsh dhe bleva rroba. Moza më pa se si isha katandisur dhe më pyeti se çfarë më kishte ndodhur. I thashë që më rrahën dhe ajo më tha pse nuk lajmërove policinë.
Më pas ika prap tek servisi i Bledit. Loku më telefonoi sërish në instagram dhe më kërkoi të takohesha me ta. Shkova dhe i takova tek furra e bukës në Belsh, ngjitur me një dyqan lulesh që ndodhet disa metra më tutje Restorant “Benvenuto”.
Atje u ulëm në një stol, unë, Loku dhe ai djali zeshkan. Mua më ulën në mes dhe Loku më tha “Që të mbyllet ky muhabet, ti nuk do fusësh asnjë njeri por do na japesh 5.000 Euro ose do flasim ndryshe bashkë”. Unë i thashë që nuk kam nga t’i gjej 5.000 Euro. “Ose gjobën ose plumbin”. Gjej ku të duash ose do hysh të mbytesh vetë në ujë më thanë ata.
Unë më pas thashë që do shkoj të shikoj njëherë në shtëpi sa lekë mund të kem gjendje dhe do t’ju them. Ik shko në shtëpi dhe po të presim thanë ata.
Para se të ikja Loku më mori celularin, mi fshiu bisedat që kisha me të në Instagram, më fshiu dhe videon e Audit që kisha bërë dhe më pas ma ktheu celularin. Unë ika në shtëpi, i tregova prindërve çfarë kishte ndodhur dhe i kërkova babit të jepte para, sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Babai i friksuar, më dha 2.000 Euro të gjitha me prerje 50 Euro.
Aqif Abazi vijon rrëfimin e ngjarjes së dhunshme dhe mënyrën se si u përfshinë persona të tjerë.
Ai ka deklaruar në vijim se, unë e telefonova Lokun në Instagram dhe i thashë gjeta 2.000 Euro. Ai më tha të shkoja atje ku u takuam herën e fundit. Shkova aty afër furrës së bukës, që ndodhet afër dyqanit të luleve dhe ora ishte 18:30-18:45.
Kur arrita atje Loku dhe ai tjetri ishin në trotuar dhe Audi ishte i parkuar pranë tyre. I thashë që kam sjellë 2.000 Euro. Më thanë të hapja derën e makinës dhe ti lija brenda lekët,dhe unë ashtu bëra, hapa derën e makinës dhe ia lashë brenda.
Më pas Loku më tha: Ke 7 ditë kohë, të martën tjetër të kesh gjetur edhe 3.000 Euro ose do ta kesh punën keq. Unë iu luta duke i thënë që kam mamanë sëmurë dhe nuk kam ku ti gjej. Ata më thanë që “Nuk na intereson, gjej ku të duash, shit benzin po deshe, por lekët do ti gjesh” dhe më pas ikën.
“Mos fut njerëz kot”
Nga dita e martë me datë 09.08.2022 deri në datë 11.08.2022 nuk më kanë kontaktuar. Më date 12.08.2022, Loku është përpjekur të më telefonojë në Instagram disa herë, por nuk ia kam hapur.
Në Instagram më ka telefonuar edhe vëllai i Lokut që quhet Briken dhe ka adresën “brikenrustal 11” dhe emrin Rukja. Unë atij nuk ia kam hapur asnjëherë përveçse sot në orën 12:30 ku ai më telefonoi dhe tha “Unë jam vëllai i Lokut, rri në Londër”.
Ai ka deklaruar më tej se, “Mos fut njerëz kot e më kot”. Do flas unë me Lokun, shko takoje mbyll muhabetin që ke për të mbyll me atë. Mos më detyro të të gjej vëllain tënd në Itali, 300 Paund bën bileta, nuk e kam problem unë. Për një orë jam në Belsh dhe vij atje e të ngrej në ajër.
Ai këtë e tha, sepse unë që ta mbyll këtë muhabet jam interesuar edhe me njerëz të tjerë. Kam folur me një shokun tim që jeton në Venezia Itali, që quhet Alban Cangaj. Ai më lidhi me një djalë nga Elbasani që quhet Xhuljo Hoxha dhe ka numër celulari +447471262149.
Me Xhuljon kam folur në Whatsap dhe ai më ka lidhur me një djalë tjetër që quhet Elidon Bosco (Sulollari), është nga Elbasani dhe i thërrasin Elidon Lashi dhe ka numër celulari +4915776998351.
Me Elidonin kam folur në Whatsap dhe ai më ka thënë që i njeh Lokun dhe atë tjetrin, ka folur me ta dhe duhet të gjej lekët e mos ti them njeriu dhe mos të fus njerëz të tjerë në këtë muhabet. Të njëjtat gjëra më ka thënë edhe Xhuljo. Me asnjë nga këta të dy nuk jam takuar por këto dy ditë kam komunikuar në Whatsap. Me Xhuljon në fillim kam folur dje në Instagram, ai ka adresën “xhuljo.hoxha”. Më pas i kam dhënë numrin tim italian dhe kemi folur në Whatsap.
Më pas ka deklaruar më tej se, me Elidonin, më lidhi Xhuljo, i cili ia dha numrin tim Elidonit dhe më pas Elidoni më shkroi sot në Whatsap për herë të parë. Xhuljo i shkruan në Whatsap dhe i thotë gjej lekët e jepja atyre se me ato nuk tallesh.
Mjeku: Sa të paskan rrahur
Në datë 09.08.2022 “Loku” dhe ai djali tjetër me rrahën shumë. Unë kam akoma shenja poshtë syve, tek hunda. Kam një gërvishitje tek pjesa e fytit dhe mbrapa tek shpatulla e majtë. Kam shumë dhimbje trupi sidomos në pjesën e veshkave. Unë në datë 10.08.2022 rreth orës 12:00 kam shkuar në Spitalin e Belshit, sepse isha i enjtur dhe i nxirë në fytyrë dhe kisha shumë dhimbje trupi.
Atje ishte doktor Asqeriu dhe një mjek a infermier tjetër. Ata sapo me panë më thanë “Të paskan rrahur, e”. Më vizituan më prekën hundën dhe sytë. Më thanë të vendosja akull dhe më shkruajtën emrin e një ilaçi dhe më thanë shko blije në farmaci, sepse është për të ulur të enjturat. Unë shkova e bleva ilaçin tek farmacia ngjitur me spitalin. Recetën nuk e kam ruajtur.
Pas kësaj ngjarjeje, Aqif Abazi u drejtohet forcave të Policisë, duke bërë kallëzim për dhunën dhe “gjobvënien”.
Arrestimi
Pasi morën kallëzimin, shërbimet policore kanë kryer disa veprime simuluese, në bazë të të cilave u krye arrestimi në flagrancë i Dervish Rustës, Elidon Boscos (Sulollari) dhe Francesk Çengelaj, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Po ashtu, policia ushtroi kontrolle në banesat e të arrestuarve, ku gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Dervish Rrusta është gjetur një sasi lënde narkotike e shpërndarë në 74 qese plastike transparente, një radio ngjyrë e zezë me mbishkrimin “Boafeng”, si dhe disa sende të tjera.
Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë arrest me burg për tre personat. Më tej, gjykata e Apelit të Durrësit vendosi të zbusë masën për Elidon Boskon, duke e vendosur “detyrim për paraqitje”.
Por, Gjykata e Lartë, bazuar në një rekurs të Prokurorisë së Apelit, vendosi në mes të shtatorit 2023 që të rikthejë sërish në burg Sulollarin.
Discussion about this post