GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Botë

Negociatat sekrete që çuan në marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit

21:40 - 22/11/23
në Botë
Kohë leximi: 6 min
A A
Negociatat sekrete që çuan në marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Menjëherë pasi militantët e Hamasit morën pengje gjatë sulmit të tyre vdekjeprurës në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor, qeveria e Katarit kontaktoi Shtëpinë e Bardhë me një kërkesë: Formoni një ekip të vogël këshilltarësh për të ndihmuar në lirimin e pengjeve.

Këto përpjekje më në fund dhanë fryte me arritjen e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti për të cilën rënë dakord Izraeli, Hamasi dhe Shtetet e Bashkuara.

Përpjekja e fshehtë përfshinte angazhimin diplomatik personal nga Presidenti Joe Biden, i cili zhvilloi një sërë bisedash urgjente me Emirin e Katarit dhe Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në javët para marrëveshjes.

Ai përfshinte gjithashtu orë të tëra negociatash të vështira duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, drejtorin e CIA-s Bill Burns, këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe zëvendësin e tij Jon Finer dhe të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme Brett McGurk, mes të tjerësh.

Dy zyrtarë të përfshirë në këto negociata, në kushte anonimiteti, i dhanë agjencisë së lajmeve Reuters detaje të punës që çoi në një marrëveshje në të cilën 50 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë gjatë një pauze katër-ditore të luftimeve.

Menjëherë pas 7 tetorit, Katari – një ndërmjetës që prej kohësh është përfshirë në situata të tilla në një rajon të paqendrueshëm – i ofroi Shtëpisë së Bardhë informacione të ndjeshme në lidhje me pengjet dhe mundësitë për lirimin e tyre, thanë zyrtarët. Katari kërkoi që të krijohej një ekip i vogël, të cilin ata e quajtën “celula”, për të punuar privatisht me izraelitët.

Zoti Sullivan udhëzoi zotin McGurk dhe një zyrtar tjetër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Josh Geltzer, për të krijuar ekipin. Kjo u bë pa u thënë agjencive të tjera të SHBA-së, sepse Katari dhe Izraeli kërkuan mbajtjen e këtij informacioni tërësisht sekret, me vetëm pak njerëz në dijeni, thanë zyrtarët.

Zoti McGurk, një diplomat i sprovuar me përvojë të thellë në Lindjen e Mesme, mbante biseda të përditshme në mëngjes me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani. Ai i raportoi zoti Sullivan ndërsa Presidenti Biden u informua çdo ditë për procesin.

Presidenti Biden dëgjoi personalisht historitë e përjetuara nga viktimat e sulmit të Hamasit kur ai mbajti një takim emocional dhe të gjatë më 13 tetor me familjet e amerikanëve që mbaheshin peng ose ishin të zhdukur.

Ditë më vonë, Presidenti Biden udhëtoi në Tel Aviv për bisedimet e 18 tetorit me Kryeministrin Netanyahu. Zyrtari tha se përpjekjet për lirimin e pengjeve kishte vëmendjen qendrore gjatë diskutimeve të tij me zotin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës, si dhe ndihma humanitare për palestinezët.

Pesë ditë më vonë, më 23 tetor, puna e ekipit të Shtëpisë së Bardhë ndihmoi në lirimin e dy pengjeve amerikane, Natalie dhe Judith Raanan.

Nga zyra e Jake Sullivan-it në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, zotërinjtë McGurk, Sullivan dhe Finer vëzhguan në kohë reale udhëtimin e vështirë, shumëorësh të pengjeve jashtë Gazës.

Kthimi i dy amerikanëve dëshmoi se ishte e mundur të fitohej liria për pengjet dhe i dha besim Presidentit Biden se Katari do të mund ta bënte atë përmes ekipit të vogël që ishte krijuar, thanë zyrtarët.

Kështu filloi një proces i intensifikuar për të nxjerrë më shumë pengje. Kur ndodhi kjo, Drejtori i CIA-s, Burns filloi të fliste rregullisht me drejtorin e shërbimit të inteligjencës izraelite Mossad, David Barnea.

Presidenti Biden pa një mundësi për të siguruar lirimin e një numri të madh pengjesh dhe se një marrëveshje për të burgosurit ishte e vetmja rrugë realiste për të siguruar një pauzë në luftime, thanë zyrtarët.

Më 24 tetor, ndërsa Izraelin ishte gati për të nisur një ofensivë tokësore në Gazë, pala amerikane mori informacion se Hamasi kishte rënë dakord me parametrat e një marrëveshjeje për lirimin e grave dhe fëmijëve, që do të nënkuptonte një pauzë dhe një vonesë në ofensivën tokësore.

Zyrtarët amerikanë debatuan me izraelitët nëse ofensiva tokësore duhet të vonohet apo jo.

Izraelitët argumentuan se kushtet nuk ishin mjaft të forta për të vonuar ofensivën, pasi nuk kishte prova nëse pengjet ishin të sigurta. Hamasi pretendoi se nuk mund të përcaktonin se kush po mbahej peng ndërsa lufta vazhdonte.

Amerikanët dhe izraelitët e shihnin pozicionin e Hamasit si të pasinqertë. Zyrtari tha se plani i ofensivës tokësore të Izraelit ishte hartuar në atë formë që krijonte mundësinë për të mbështetur një pauzë nëse arrihet një marrëveshje.

Më pas Presidenti Biden u angazhua gjatë tre javëve të ardhshme në bisedime të detajuara pasi propozimet për lirimin e mundshëm të pengjeve bënin hapa para e prapa. U bënë kërkesa që Hamasi të ofronte listat e pengjeve që mbante, informacionin e tyre identifikues dhe garancitë e lirimit.

Procesi ishte i gjatë dhe i rëndë – komunikimi ishte i vështirë dhe mesazhet duhej të kalonin nga Doha ose Kajro në Gazë dhe mbrapa, thanë zyrtarët.

Zoti Biden mbajti një telefonatë të panjoftuar më parë me kryeministrin e Katarit kur nisën të merrnin formë fazat e lirimit të pengjeve, tha zyrtari.

Sipas marrëveshjes që po merrte formë, gratë dhe fëmijët pengje do të liroheshin në fazën e parë, së bashku me një lirim proporcional të të burgosurve palestinezë nga izraelitët.

Izraelitët këmbëngulën që Hamasi të sigurojë që të gjitha gratë dhe fëmijët të lirohen në këtë fazë. Pala amerikane ra dakord dhe kërkoi përmes Katarit prova të jetës ose informacione identifikuese për gratë dhe fëmijët e mbajtur nga Hamasi.

Hamasi tha se mund të garantonte lirimin e 50 pengjeve në fazën e parë, por refuzoi të ofronte një listë identifikuese. Më 9 nëntor, Drejtori i CIA-s, Burns u takua në Doha me udhëheqësin e Katarit dhe zotin Barnea, Drejtorin e Mossad-it për të shqyrtuar tekstet e marrëveshjes në zhvillim.

Pengesa kryesore në atë pikë ishte se Hamasi nuk e kishte identifikuar qartë se kë po mbante.

Tre ditë më vonë, zoti Biden telefonoi emirin e Katarit, Al Thani, dhe kërkoi të dinte emrat ose informacione të qarta identifikuese për 50 pengjet, duke përfshirë moshën, gjininë dhe kombësinë. Pa informacion, tha zyrtari, nuk kishte bazë për të ecur përpara.

Menjëherë pas thirrjes së zotit Biden, Hamasi dha detaje për 50 pengjet që tha se do të liroheshin në fazën e parë të një marrëveshjeje.

Presidenti Biden, gjatë në një telefonate të 14 nëntorit i kërkoi Kryeministrin izraelit Netanyahu të pranonte marrëveshjen – zoti Netanyahu ra dakord.

Përfaqësuesi amerikan për Lindjen e Mesme, McGurk u takua me Kryeministrin Netanyahu po atë ditë në Izrael. Duke u larguar nga takimi, Kryeministri Netanyahu kapi për krahun zotin McGurk dhe i kishte thënë “ne kemi nevojë për këtë marrëveshje” dhe i kërkoi zotit Biden të telefononte emirin e Katarit për kushtet përfundimtare, tha një nga zyrtarët për Reuters.

Bisedimet ngecën pasi komunikimet u ndërprenë në Gazë.

Kur ato rifilluan, Presidenti Biden ishte në San Francisko duke marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë Azi-Paqësor. Ai thirri emirin e Katarit dhe i tha se ky ishte shansi i fundit dhe zoti Al-Thani u zotua të ushtronte presion për të arritur marrëveshjen, thanë zyrtarët.

“Presidenti këmbënguli se marrëveshja duhej të arrihej tani. Kohë nuk kishte më”, tha një zyrtar.

Më 18 nëntor, përfaqësuesi amerikan për Lindjen e Mesme, McGurk u takua në Doha me kryeministrin e Katarit. Drejtori i CIA-s, Burns u përfshi në takim përmes telefonit pasi foli me shërbimin sekret izraelit, Mossad. Takimi identifikoi mangësitë e fundit të mbetura drejt një marrëveshjeje.

Marrëveshja tani ishte e strukturuar që gratë dhe fëmijët të liroheshin në fazën e parë, por me pritjet për lirime të ardhshme dhe me synimin për të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi te familjet e tyre.

Në Kajro të nesërmen në mëngjes, zoti McGurk u takua me shefin e inteligjencës egjiptiane Abbas Kamil. Nga udhëheqësit e Hamasit në Gazë erdhi fjala se ata kishin pranuar pothuajse të gjitha pikat e arritura të marrëveshjes një ditë më parë në Doha.

Mbeti vetëm një çështje e lidhur me numrin e pengjeve që do të liroheshin në fazën e parë dhe strukturën përfundimtare të marrëveshjes për të nxitur lirimin përtej 50 grave dhe fëmijëve të identifikuar, thanë zyrtarët.

Pasuan një sërë komunikimesh shtesë dhe më në fund marrëveshja u finalizua.

Lajme të lidhura

SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4 trafikantë
Aktualitet

SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4 trafikantë

15:30 - 05/12/25
Bie sërish “Cloudflare”/ Mijëra faqe interneti jashtë shërbimit, mes tyre dhe rrjeti social X
Botë

Bie sërish “Cloudflare”/ Mijëra faqe interneti jashtë shërbimit, mes tyre dhe rrjeti social X

11:33 - 05/12/25
Stuhia “Byron” paralizon Greqinë/ Rrugë të mbyllura, përmbytje dhe situatë alarmante
Botë

Stuhia “Byron” paralizon Greqinë/ Rrugë të mbyllura, përmbytje dhe situatë alarmante

11:29 - 05/12/25
Para
Bisedat që “fundosën” shefin e policisë, ja roli i Dedan Gjonit

Bisedat që “fundosën” shefin e policisë, ja roli i Dedan Gjonit

Discussion about this post

TË FUNDIT

Botërori 2026/ Presidenti Duka: Rruga e vështirë, por do luftojmë deri në fund
Breaking Views

Botërori 2026/ Presidenti Duka: Rruga e vështirë, por do luftojmë deri në fund

23:11 - 05/12/25

Pas përfundimit të ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria, në rast kualifikimi nga play-off-i, do të...

Lexo më shumë
Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

22:22 - 05/12/25
Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

22:01 - 05/12/25
“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

21:27 - 05/12/25
Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

20:29 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com