Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është duke hetuar çështjet që ndërlidhen me kufizimin e komunikimeve për të akuzuarit pranë Gjykatës Speciale në Hagë. Në një përgjigje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, mbrojtja e Thaçit tha se do të dorëzojë vërejtjet relevante pas përfundimit të të gjitha hetimeve.
Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, do të rikthejë në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit të dëshmitarëve”.
Më 23 nëntor, trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke ndaluar çdo vizitë nga njerëz jo të privilegjuar. Aktualisht, vizitat lejohen vetëm për ekipin e mbrojtjes.
Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorisë që t’i kufizojë vizitat për shkak të “përpjekjeve për të penguar procesin gjyqësor”.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, tha kryeprokurorja e specializuar, Kimberly Ëest, në parashtrimin drejtuar trupit gjykues.
“Regjistrimet tregojnë se Thaçi ka abuzuar vazhdimisht me vizita jo të privilegjuara, ka dhënë udhëzime se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe i ka udhëzuar vizitorët të kontaktojnë me dëshmitarët në emër të tij”, shtohet në parashtrimin e prokurorisë.
West kërkoi pezullim të komunikimeve jo të privilegjuara, përfshirë vizitat [personalisht apo me zoom], telefonatat, komunikimet me shkrim, si dhe kërkoi monitorim aktiv të të gjitha komunikimeve që mund t’i bëjnë të akuzuarit.
Sipas prokurorisë, tre të akuzuarit kanë zbuluar identitetin e disa dëshmitarëve të mbrojtur gjatë vizitave që kanë pasur në qendrën e paraburgimit.
Në dokumentin e prokurorisë thuhet në disa raste, të akuzuarit u kanë thënë vizitorëve që t’i udhëzojnë dëshmitarët e mundshëm se çfarë të thonë kur të dëshmojnë në sallën e gjyqit.
Çfarë tha Gjykata?
Gjykata Speciale, apo Dhomat e Specializuara, ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke ndaluar çdo vizitë nga njerëz jo të privilegjuar.
Sipas vendimit të trupit gjykues, informacioni i vendosur para panelit sugjeron se ekziston rrezik real që informacionet konfidenciale të zbulohen nga individë që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato.
“Zbulimi i paligjshëm i një informacioni të tillë mund të ndikojë negativisht në mbrojtjen efektive të viktimave dhe dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave”, tha trupi gjykues në vendimin e përkohshëm.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjatë një takimi të mërkurën me shoqërinë civile dhe mediat në Prishtinë, tha se ky vendim nuk është marrë “pa arsye”.
“Gjykatësit janë duke i marrë shumë seriozisht përgjegjësitë e tyre. Unë nuk jam këtu që t’i mbroj ata, por, më duhet të them se nëse do të isha në vendin e tyre, do të veproja njësoj”, tha Trendafilova.
Ajo bëri të ditur se vendimi përfundimtar lidhur me kërkesën urgjente të ZPS-së për kufizim të komunikimit, do të merret pasi të dëgjohen të gjitha palët.
Sipas saj, vendimi i përkohshëm për kufizim të komunikimeve nuk përfshinë avokatët dhe disa nga familjarët tyre.
“Gjyqtarët do të vendosin se kush nga familjarët e afërt mund t’i vizitojë”, tha Trendafilova duke shtuar se “takimet e tyre [akuzuarve] me avokatët e tyre nuk mund të limitohen apo monitorohen”.
Selia e Gjykatës Speciale u vendos në Hagë në mënyrë specifike për shkak të drojës nga frikësimi i dëshmitarëve, “marrë parasysh që bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për shkak se të dyshuarit e mundshëm, nga pjesë të caktuara të shoqërisë së Kosovës mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, kishte deklaruar Qeveria e Holandës qysh në vitin 2016, kur mori vendimin e saj për ta vendosur këtë gjykatë në këtë shtet.
“Prokuroria do të përfitojë nga përgjimi i bisedave”
Nevenka Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, vlerëson se ekipet mbrojtëse të të tre të akuzuarve duhet t’i përgjigjen parashtresës dhe “të reagojnë ndaj të gjitha fakteve relevante dhe kërkesave të prokurorit”.
“Në parashtresën e ZPS-së është kërkuar gjithashtu që të pandehurit të ndahen nga njëri-tjetri në mënyrë që të mos ndajnë me njëri-tjetrin vizitorët dhe të mos diskutojnë mes tyre për dëshmitarët dhe provat. Ajo që kërkon ZPS-ja mund të kundërshtohet me alternativa nga avokatët mbrojtës, për shembull një minimizim më i mirë i vizitorëve – moslejimi i askujt që figuron në listën si dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së të vizitojë; të shtohet në formularin për vizitorët nëse një vizitor do të kundërshtonte regjistrimin e vizitës së tij”, thotë Tromp.
Gjykata Speciale e shqetësuar me “trysninë në rritje” në Kosovë
Sipas saj, ZPS-ja do të përfitojë nga zbulimi i bisedave në qendrën e paraburgimit duke rikthyer kështu në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit”.
“ZPS-ja ka shumë për të përfituar me zbulimin e numrit të përzgjedhur të bisedave të përgjuara: justifikon për botën e jashtme pse ZPS-ja refuzoi lirimin e përkohshëm të të pandehurit derisa pritej fillimi i gjykimit; rikthen diskutimin për narrativën se të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit dhe kërcënimit të dëshmitarëve; të përgatisë terrenin për çdo lirim të mundshëm – duke e justifikuar me vështirësinë për të gjetur dhe mbajtur dëshmitarët”.
“ZPS-ja ka, gjithashtu, një arsye legjitime për të mbrojtur integritetin e procesit ligjor dhe dëshmitarët që ndërhyjnë në të dyja palët duhet të sigurohen se pjesëmarrja e tyre në proces potencialisht nuk do të rrezikojë sigurinë e tyre apo të familjes së tyre. Do të jetë shumë interesante të lexohet se si ekipet e Mbrojtjes do t’i përgjigjen parashtrimit të ZPS-së”, thotë Tromp.
Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, thekson rëndësinë që palët të kenë parasysh respektimin e konfidencialitetit të procedurave.
“Është e një rëndësie të madhe që avokatët e mbrojtjes të shpjegojnë dhe mbrojnë linjat e tyre nga çdo shkelje aksidentale e konfidencialitetit në të ardhmen. Është krejt e pamundur të kuptohet përse u lejuan fare dëshmitarët e Mbrojtjes apo të Prokurorisë të vizitonin të pandehurit në qendrën e paraburgimit. Kjo situatë është dashur të parandalohet institucionalisht – nga sekretaria që koordinon vizitat, por edhe nga avokatët mbrojtës të cilët duhet t’i këshillojnë të pandehurit për çështjet që kanë të bëjnë me vizitorët”, thotë Tromp.
Më shumë se dy vjet në paraburgim
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi si dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka filluar në prill të këtij viti dhe deri tani kanë dëshmuar 37 dëshmitarë të prokurorisë, ndërsa në total, ZPS-ja ka paralajmëruar mbi 300 dëshmitarë në këtë proces gjyqësor.
Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë ndërsa të gjithë i kanë mohuar akuzat.
Gjykata në Hagë u krijua pas një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante akuza për trafikim organesh.
Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.
Në aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së nuk përfshihen akuzat për trafikim organesh.
Përveç gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet procesi kundër Pjetër Shalës, i akuzuar për krime të pretenduara të luftës.
Për krime të luftës deri tani Gjykata Speciale ka shpallur një aktgjykim të shkallës së parë kundër Salih Mustafës, i dënuar me 26 vjet burgim. Lidhur me këtë vendim, Apeli do të vendosë në mesin e dhjetorit të këtij viti.
Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për çka deri tani janë shpallur dy vendime fajësie.
Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit. ZPS-ja ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Operacionet, për të cilët nuk është dhënë detaje, janë autorizuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Gjithashtu gjatë këtij viti, Specialja ka intervistuar disa persona në Prishtinë, të cilëve u kishte konfiskuar telefonat, në mesin e tyre edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili kishte punuar si këshilltar i Thaçit.
Gjykata Speciale është kundërshtuar nga organizatat e dala nga lufta në Kosovë dhe individë të tjerë me kritikën se kjo gjykatë nuk po i ndjek krimet serbe.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë 13 mijë njerëz, shumica prej tyre shqiptarë, kurse rreth një milion shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.
Fushata bombarduese e NATO-s kundër caqeve të forcave serbe, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Shteti i Kosovës ende nuk njihet nga Serbia, vend me të cilin, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është në negociata për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011./ REL
Discussion about this post