Një rast skandaloz trajtoi emisioni “Fiks Fare” ku një mjek në orarin e punës shfaqet në gjendje të dehur.
Rasti ka ndodhur në Librazhd dhe mjeku i familjes Balluk Troka në orarin e punës është i dehur. Mjeku gjithashtu është pjesë e KMCAP Librazhd, ku merret me komisionimin e personave të paaftë për punë e invalidëve.
Gazetarët e Fiksit, të interesuar për një rast të cilit i është hequr kempi, e gjejnë mjekun në krye të detyrës në orën 14:00 të dehur, aq sa nuk arrin dot as të flasë e t’i shqiptojë fjalët siç duhet. Kjo duket qartë në intervistën që Fiksi pati me mjekun ku ai nuk kuptohet apo përgjysmon fjalët gjatë bisedës.
Në Fiks Fare u ankua Anxhela Kurti, nënë e 4 fëmijëve. Ajo tregoi gjendjen e keqe ekonomike në të cilën jeton familja e saj. I shoqi, Taulant Kurti, vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe prej një viti i është hequr kempi. Familja e saj që së shpejti pritet të shtohet edhe me fëmijën e 5-të, jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike me një shumë prej 10 mijë lekësh. Jetojnë me qira, fatmirësisht bonusi i qirasë i paguhet nga bashkia. Anxhela thotë se i shoqi vuan nga depresioni dhe ka bërë edhe ndërhyrje në kokë. Prej shumë vitesh ka qenë përfitues i kempit, por prej një viti atij i është ndërprerë. KMCAP Librazhd ia ka ndërprerë kempin, Taulanti e ka ankimuar këtë vendim dhe dosja ka kaluar në Kempin Epror në Tiranë, nga i cili ende nuk ka marrë një përgjigje.
KMCAP Librazhd nuk e ka shpallur përfitues pasi sipas Anxhelës i kanë thënë se diagnoza që ka Taulanti nuk e përfiton. Ndërkohë që diagnoza e Taulant Kurtit nuk ka ndryshuar, është e njëjta me atë që ka përfituar kemp para 1 viti.
Gjendja e familjes pas heqjes së kempit është përkeqësuar sa më ato pak të ardhura që kanë paguajnë drita e ujë, e me pas për t’u ushqyer që është pjesa më e madhe e muajit, i ndihmojnë komshinjtë dhe ato pak ndihma që u jep shërbimi social i bashkisë. Plus Anxhela nuk mund të punësohet vetë, pasi ka 4 fëmijë për t’u kujdesur. Gjithashtu është në pritje të fëmijës së 5-të dhe duhet të kujdeset dhe për bashkëshortin, i cili shpesh herë humb vetëdijen. Frigoriferi i familjes Kurti është bosh, ashtu si edhe dollapët pa ushqime, dhe kjo sipas Anxhelës është tabloja e përditshme e familjes së saj.
Fiksi u interesua tek Shërbimi Social në Bashkinë Librazhd, të cilët e njihnin gjendjen e familjes Kurti, por që sipas ligjit i ishte dhënë dhe ndihma ekonomike. Gjithashtu ata kishin ndihmuar me pako me ushqime kur kanë patur mundësi. Por në praninë e Fiksit punonjësi pohoi se rasti do t’i referohej kryetarit dhe nënkryetarit të bashkisë për një zgjidhje.
Takimi në zyrën e mjekut, i dehur në orar të punës
Fiksi u interesua edhe pranë KMCAP Librazhd për të mësuar se pse i është hequr kempi denoncuesit. Sapo hyjnë në zyrën e mjekut Balluk Troka pjesë e komisionit të KMCAP Librazhd ndjejnë erën e alkoolit. Gazetarja duke parë gjendjen e dehur të mjekut e pyet disa herë nëse është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve, por mjeku sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë që pamja, sjellja dhe e folura e tij e tradhtojnë.
Është ora 14:00 dhe mjeku i komisionimit në zyrën shtetërore kundërmon era alkool.
Rasti i Taulantit nuk i kujtohet fare, e kërkon emrin në regjistrat e tij por që nuk është i aftë të gjej gjë. Madje gjatë bisedës ai përgjysmon fjalët duke i thënë recetës-precetë dhe punonjëses sociale dëgjohet vetëm një ‘ssss’.
Në këto kushte ai thërret sekretaren për të shpjeguar gazetarët e Fiksit. Sekretarja shpjegon rastin dhe tregon se aktualisht dosja e Taulantit është në Kempin Epror dhe se nuk ka një përgjigje. Përsa i përket pyetjes së Fiksit se në lidhje me komisionet që do të vijojnë në vazhdim a është në gjendje që mjeku Troka të bëjë vlerësimin e tyre në gjendje të dehur, sekretarja ul kokën dhe del nga zyra.
E njëjta pyetje i drejtohet dhe vetë mjekut Troka, por që ai s’e pranon që është i dehur. Ai pohon se është duke punuar dhe se po plotësonte një ‘precetë’ (recetë). Pyetjes se a është i aftë të vlerësojë një individë nëse duhet ta përfitojë apo jo kempin kur është në gjendje të pirë, mjeku Troka përgjigjet se asnjëherë nuk ka qenë i pirë dhe se është i aftë “100%”. Por pamjet dhe çdo gjë tjetër janë prova që tregojnë të kundërtën, që mjeku është i dehur në orarin zyrtar të punës.
Discussion about this post