Partia Demokratike po zhvillon sot një takim të organizuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci, për përkujtimin e 8 dhjetorit përmes veprave të tij. Anëtari i PD-së dhe ish-drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Lezhës Mark Marku, gjatë fjalës së tij ka folur rreth gjendjes aktuale të Partisë Demokratike.
Ai u shpreh se PD-ja duhet të rimarrë misionin e saj, të cilin sipas tij e ka rihumbur, duke folur rreth dëshirës së shqiptarëve për t’u larguar nga Shqipëria. Marku u shpreh se duhet kultivuar mendimi kritik për të evituar dështimet e një pas njëshme, pasi në të kundërt vendi do të shndërrohet me banorë që e mendojnë Shqipërinë si vend kalimtar për të jetuar.
“Nuk mund të kultivojmë demokraci nëse nuk e fillojmë te vetja. Është misioni i Partisë Demokratike. Duhet ta rimarrë misionin se e ka humbur. Kështu do kem unë interes të vij te PD, do kenë të rinjtë që janë këtu. Në qoftë se PD rimerr misionin e vet të lirisë, nuk është asnjëherë vonë për të kërkuar falje dhe as për të ngritur kauza lirie. PD duhet t’i lërë budallaqet e Partisë së Punës që mendon se dikush vjen si Zoti. Liria dhe demokracia kurrë nuk fitohen. Lufta për liri është demokracia dhe drejtësia. Nëse nuk kultivojmë aftësinë e të menduarit kritik do shkojmë nga dështimi në dështim dhe do ta bëjmë Shqipërinë një vend me banorë nuk mendojnë të jetojnë këtu. Nuk mund të ndërtosh plane afatgjata në një vend ku 95% e njerëzve e mendojnë vendin e tyre si vend kalimi. Të gjithë nuk mendojnë të kenë fëmijët këtu. Të gjithë kanë ikur nga zonat e Shqipërisë. Vijnë në Tiranë dhe të mendojnë si të ikin diku tjetër”, u shpreh Marku.
Marku nënvizoi në fjalën e tij se nuk duhet lavdëruar individi por fenomeni, referuar lëvizjes studentore të 8 dhjetori, pasi sipas tij Azem Hajdari është I vetmi që është vrarë në emër të kësaj nisme. Gjithashtu, ai bëri një paralelizëm të kësaj ideologjie duke kujtuar një histori të babait të tij.
“Sot Partia Demokratike po vuan pasojat. Për mua PD është pasion nuk është interes. Megjithëse po themi, përfshirja në jetën politike është një lloj sakrifice është gjëja që ka lindur në valën e Lëvizjes së Dhjetorit. PD i përkujton shumë heronjtë e Dhjetorit. Përveç Azem Hajdarit askush nuk është vrarë prej nesh. Nuk duhet të ishin futur në arkivin e historisë. Unë mendoj të largojmë frymën komuniste, mënyrën e të menduarit komunist. Im atë dikur më thoshte “U nisa nga Mirdita dhe do prisnin Hrushovin. Ai nuk erdhi dhe u kthyem në Mirditë”. Unë ju thoja budallenj ishit ju që shkuat. Pse duhet të shkonit. Unë po të ngjallet Shakespeare nuk e prish një kafe me një mik për të shkuar për ta parë. Unë individin nuk e adhuroj. Kjo kultura e adhurimit të individit ka dëmtuar të djathtën në Shqipëri, PD dhe shoqërinë shqiptare”, tha Marku.
Mark Marku nuk harroi të komentonte ndasinë e krijuar në PD, nga krijimi i dy fronteve brenda partisë, ndaj ironizoi Berishën duke thënë se Basha u bë i keq vetëm pas shtatorit.
“Basha është i mirë dhe i keq po aq sa ne, unë mendoj se thelbi nuk është ky. Ne nuk kemi naj problem me komunistat por me komunizmin brenda nesh. Ta largojmë nga vetja dhe nga shoqëria.”, u shpreh Marku.
Mark Marku ka mbajtur vazhdimisht qëndrim kritik ndaj ndryshimeve dhe humbjeve të PD-së, ku gjatë fjalës së tij në Këshillin Kombëtar të PD-së, pas humbjes se zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, theksoi se kjo forcë politike ndodhet në një pikë kritike.
“PD është në pikën më kritike të saj, pavarësisht këtij rezultati më të avancuar seç kemi qenë më përpara. Pse? Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje është shndërruar në një regjim politik me rrezikshmëri të lartë për fatin e demokracisë shqiptare. Shoqëria shqiptare ka pritshmëri tjetër nga ajo që po bëjmë ne sot, nga PD dhe lidershipi i saj”, tha Marku.
Discussion about this post