Drejtoria e Përgjithshme e Tatim Taksave (DPT) me drejtor Ceno Klosin harxhon 2 799 641 438 Lekë për mirëmbajtjen e sistemeve IT për tre vitet e fundit, ndërkohë që sistemi e-Taxation është në gjendje katastrofe. Jo vetëm, kaq, por të dhënat e biznesit janë sheshit, sepse në sistem kanë akses deri tek shoferët e institucionit, madje edhe shumë nga të larguarit disponojnë akoma pasuordet dhe kredencialet.
“Gjendje kritike”
Pra, me paratë e taksapaguesve harxhohen shuma kolosale dhe nuk ofrohet shërbimi për biznesin dhe qytetarët. Nga auditimi i KLSH që është kryer në shtator 2023, u konstatua se “pajisjet fizike të sistemit e-Taxation janë në një situatë tejet kritike”. Ky është një sistem shumë i rëndësishëm për DPT, nisur nga veprimet operacionale që kryhen aty si nga ana e biznesit, administratës tatimore ashtu dhe nga institucionet e tjera me të cilat janë ndërtuar ndërveprime me të dhënat.
Ky konkluzion bazohet në të dhënat mbi hapësirën e lirë në servera dhe në storage, e cila paraqitet rreth masës 90 %, pra pothuajse në ezaurim.
Ndërkohë vazhdojnë të harxhohen para për mirëmbajtjen, lir duhet investuar në rritjen e vëllimit të serverëve. Në fund të këtij viti u hap procedura për mirëmbajtjen e sistemit e-Taxation. “Ne vlerësojmë se ndërprerja nuk do të mund të sigurohet, për arsye se sistemet informatike nuk mund të jenë funksional nëse pajisjet janë në ezaurim të hapësirës së tyre dhe funksionojnë në limitet e ciklit jetësor dhe me sisteme operimi jashtë suportit teknik që do të thotë i pasigurt. Mundësia për ndërprerjes dhe pamundësia për ta venë në funksion në një kohë të shkurtër sistemin e-Taxation është shumë e lartë”, konstaton KLSH.
“Hapësira fizike e zënë për serverët dhe pajisjet storage me përfundimin e auditimit në terren ishte në masën 90%, pothuajse në ezaurim”, vazhdon më tej raporti i auditimit.
Konkretisht, “Hapësira hardware për kapacitetin e serverave (Përmirësim i sistemit e-Taxation)”, përllogaritet në vlerën 403,480,724 lekë pa TVSH dhe përfshihen: Vlera e implementimit: 294,233,924 lekë; Vlera e mirëmbajtjes: 109,246,800 lekë.
DPT me shkresën nr.2478/1 prot, datë 24.02.2023 ka sqaruar në mënyrë të detajuar se fondet në dispozicion janë ato të planifikuara për përmirësimin e pajisjeve fizike ku hostohet ky sistem, ndërsa fondet e tjera nuk janë miratuar nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë në buxhetin e DPT-s, pasi nuk janë informuar mbi detajimin dhe domosdoshmërinë e këtij investimi.
Vlen të thuhet se në zhvillimet e teknologjisë së informacionit në DPT, me shkresën nr.1380/12 prot, datë 07.12.2022, ka konfirmuar marrjen në dorëzim të aseteve mbi sistemet informatike të transferuara nga DPT ku bën pjesë dhe E-taxation, që do të thotë se mirëmbajtja e sistemit duhet të ishte planifikuar për vitin 2023.
Ndërsa, DPT disponon fonde në vlerën 120,000,000 lekë, të planifikuara në vitin 2022, për rritjen e kapacitetit hardware ku ndodhet sistemi e-Taxation, të cilat nuk janë realizuar. DPT rrezikon të kalojë në kolaps megjithëse shtimi i kapacitetit Hardware është buxhetuar nga DPT në vitin 2022, por nuk është realizuar.
Arsyeja është se Drejtori i Tatimeve kërkon të ndajë mirëmbajtjen, pra të bëjë tender më vete dhe tjetër prokurim për serverat e rinj.
Në këto kushte, rinovimi i sistemit e-Taxation është në nivel diskutimi dhe akoma nuk është arritur në një vendimmarrje. Drejtori dhe ministrja presin që të bllokohet fare sistemi dhe pastaj të kujtohen të bëjnë investimin e duhur.
Marrëveshjet e nivelit të shërbimit
Fondi mirëmbajtjes së sistemeve të Tatimeve është një burim korrupsioni që ushqen drejtorin dhe bizneset që marrin paratë dhe nuk bëjnë asnjë lloj pune.
Më poshtë është tabela e fondeve të shpenzuara në tre vitet e fundit për mirëmbajtjen e sistemit që është në krizë.
Në total janë shpenzuar afro 28 miliardë lekë për tre vjet për mirëmbajtjen, pa llogaritur tenderin e këtij fundviti.
Tatimet nuk përgjigjen në telefon?!
Ndërkohë që kërkohet të jetë në funksion sistemi dixhital, Drejtoria e Tatimeve Tiranë nuk ka një telefon ku ta kontaktojnë bizneset. Grupi i auditimit kontaktoi Qendrat e Shërbimit për Tatimpaguesit e Drejtorive Rajonale Tatimore. Procesi i testimit të zhvilluar kishte për qëllim disponueshmërinë dhe mënyrën e raportimit të problematikave që raportohen nga subjektet lokale. Nga testimi i kontakteve rezultoi se dy numra telefoni nuk ekzistojnë, saktësisht Qendra e Shërbimit për Tatimpaguesit e DRT Tiranë dhe Qendra e Shërbimit për Tatimpaguesit e DRT Kukës, ndërsa dy numra nuk funksionojnë që i përkasin Qendrës së Shërbimit për Tatimpaguesit e DRT Elbasan dhe Qendrës së Shërbimit për Tatimpaguesit e DRT Lezhë.
Të dhënat e biznesit në rrezik
Auditimi i procedurave të krijimit dhe mbylljes së përdoruesve nxori në dritë se Tatimet janë kthyer në një han me shtatë porta, ku të dhënat mund t’i marrë kush të dojë. Kërkesat për krijimin e një përdoruesi të ri kalon disa faza vendimmarrëse duke filluar nga drejtoritë përkatëse të cilat përcjellin kërkesat në drejtorinë e Burimeve Njerëzore në DPT. “Krijimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i përdoruesve të sistemeve të Fiskalizimit, e-Taxation, AEOI dhe Llogarive Bankare realizohet nga Sektori i Rrjetit dhe Infrastrukturës, strukturë e drejtorisë TIK Sistemi i Fiskalizimit aksesohet me “single sign on” nga 1,553 përdorues të ndarë në aktiv dhe jo aktiv. Përdorues aktiv janë 1,328 të ndarë sipas roleve përkatëse në sistem”. Pra mijëra vetë kanë akses në të dhënat e tatimpaguesve.
Nga auditimi mbi përdoruesit e sistemit të Fiskalizimit, u konstatua se:
Me emërtimin “Shofer” janë aktiv 26 përdorues të cilët nuk kanë asnjë rol të miratuar; Me emërtimin “Pastrues” janë aktiv 19 përdorues të cilët nuk kane asnjë rol të miratuar; Me emërtimin “Korrier” janë aktiv 4 përdorues të cilët, po ashtu nuk kanë asnjë rol të miratuar; Me status aktiv janë 55 përdorues të cilët nuk identifikohen se çfarë procesesh mbulojnë në sistem.
KLSH gjatë auditimit kërkoi listën e punonjësve të larguar nga DPT për periudhën Janar 2021 deri në Mars 2023, u kryen verifikime dhe rezulton se ka punonjës me rol te miratuar në sistem që janë me status aktiv.
Sistemi e-Taxation aksesohet me user name dhe password nga 2,240 usera të ndarë në aktiv dhe jo aktiv, ku përdorues aktiv janë 1,553, të ndarë sipas roleve përkatëse. Nga auditimi me zgjedhje i 20 përdoruesve të sistemit e-Taxation, ku 10 përdorues janë punonjës të KLSH-s, ndërsa 10 përdorues ish punonjës të DPT-s, u konstatua se: Në 2 raste kërkesa për mbylljen e përdoruesve, është bërë afërsisht 2 muaj më vonë se ndërprerja e marrëdhënieve të punës me DPT; 10 përdorues të cilët kanë ushtruar auditime të jashtme në periudha të caktuara në DPT rezultojnë me status aktiv megjithëse ushtrimi i detyrës ka përfunduar; Në 2 raste nuk është bërë kërkesë për mbyllje të përdoruesve; 6 punonjës të cilët kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me rol të miratuar janë përdorues aktiv.
Pra, megjithëse janë larguar nga Tatimet, ata vazhdojnë të jenë përdorues të të dhënave të bizneseve.
Në DPT rezulton se, hapja e këtyre përdoruesve mbetet pothuajse e pa monitoruar, pasi vetë institucioni nuk kryen kontrolle që lidhen me këtë veprim, duke rritur riskun e keq menaxhimit të përdoruesve të paautorizuar, e për pasojë humbjen e konfidencialitetit të të dhënave apo keqpërdorimin e të dhënave për sistemin e Fiskalizimit, si dhe atë të e-Taxation.
De për t’i vënë vulën, Ceno Klosi nuk plotëson me staf strukturën e IT. Nga auditimi pranë DPT u konstatua se nga
një strukturë e miratuar me 44 punonjës, aktualisht janë 19 pozicione vakante ose afërsisht 43% e vendeve. Në Sektorin e Operacioneve, Sektorin e Rrjetit dhe Infrastrukturës, Sektorin e sigurisë së të dhënave, si dhe në Sektorin e zhvillimit dhe mirëmbajtjes së Programeve, rezultoi se janë strukturat me vende vakante me të larta.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post