Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili po gjykohet lidhur me tragjedinë e Gërdecit, depozitoi në Gjykatën e Posaçme një dokument të Policisë Ushtarake për shkeljet që janë gjetur në repartin ushtarak të Gërdecit.
Dokumenti konfidencial mban datën 13 qershor 2007, 10 muaj para se të ndodhte tragjedia. Ai është pjesë e punës periodike të Policisë Ushtarake në raportimin e veprimtarive kriminale në radhët e Forcave të Armatosura.
Raporti që i ka mbërritur Fatmir Mediut, në atë kohë ministër i Mbrojtjes është për muajin maj 2007. Në të thuhet se më 28 prill 2007, Policia Ushtarake ka konstatuar një subjekt privat duke kryer punime brenda territorit të repartit të Gërdecit.
Mediu sqaroi se kjo është e vetmja shkresë që ka marrë për Gërdecin gjatë kohës që ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe menjëherë pas kësaj ka kërkuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ndjekje administrative dhe penale për personelin e FA që lejuan kompaninë private të ndërtojë brenda repartit.
Ndërkohë, në përfundim të seancës së kësaj të enjtjeje, avokati i Fatmir Mediut deklaroi se deklaratat e dëshmitarëve në këtë proces kanë provuar se ish-ministri i Mbrojtjes nuk ka përgjegjësi mbi tragjedinë e 15 marsit 2008.
“Dokumenti zyrtar/Si u kërkua penalizimi i shkelësve të ligjit në Gërdec.
Edhe sot u provua se skam bërë asgjë tjetër vetëm detyrën si Ministër i Mbrojtjes, në zbatim të detyrave ligjore dhe detyrimeve ndërkombëtare nga NATO dhe BE.
🔹Po sot në seancën gjyqësore për çështjen e Gërdecit prezantova të vetmin dokument ekzistues, ku i vihet në dukje një paligjshmëri në Gërdec. Dokumenti tregon qartë dhe pa asnjë ekuivok se kam reaguar menjëherë, pavarësisht se sinjalizimi vinte si një raportim rutinë nga Policia Ushtarake, që sinjaloznte për një ndërtim të paligjshëm në Gerdec.
Reagimi im, siç tregohet në dokument, ka qenë i menjëhershëm dhe në respekt të plotë të ligjit. Për ata që nuk e lexojnë dot, shënimi me shkrim është i imi dhe ua drejtoj porosinë si strukturave civile dhe atyre ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes. Në shënim kam shkruar në atë kohë: “Të bëhet një urdhër për komandantët, bazuar në rastet e mësipërme për ndëshkim administrativ dhe penal të personave përgjegjës”.
Dokumenti provon se pretendimi i SPAK-ut për shpërdorim detyre nga ana ime për çështjen e Gërdecit nuk qendron dot në këmbë. Me bindjen se jo vetëm nuk kam shpërdoruar detyrën, por në të vetmin rast, kur më është përcjellë një shqetësim për Gërdecin, kam kërkuar ndjekje penale për kundravajtësit, ju ftoj të konsultoni dokumentat që paraqita sot në procesin farsë kundër meje”, shprehet Mediu.
Discussion about this post