Zhvlerësimi i euros ka tkurrur eksportin e bimëve medicinale në nivelin më të ulët që prej pandemisë.
Pas sektorit fason, më të prekurit nga kjo situatë janë eksportuesit e bimëve mjekësore të cilët të dorëzuar përpara ecurisë së kursit të këmbimit, ndihen me lakun në fyt prej kostove të prodhimit në rritje dhe rënies së ndjeshme të fitimeve.
Sipas të dhënave të INSTAT për 10-mujorin, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” janë ulur me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Filip Gjoka, Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike deklaron se rreth 30% e kompanive të këtij sektori tashmë janë në prag falimenti, në pamundësi reale për të mbijetuar. Zhvlerësimi i euros, sipas tij është goditja finale mbi këtë sektor i cili tashmë prej më shumë se dy vitesh po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese.
“Po hasim shumë vështirësi edhe me mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit.Kjo po sjell jo vetëm lënien e tokave djerr në zonat malore për shkak të largimit në emigracion të banorëve, por edhe mungesë të fuqisë punëtore. Zgjidhja e vetme mbetet punësimi i të huajve. Deri tani janë punësuar 10 punonjës nga India dhe pritet që për muajin tjetër të vijnë edhe 20 punonjës”, citon Gjoka i cili edhe më herët ka deklaruar për Gazetasi.al se sektori do të eksperimentojë me punonjësit indianë.
Këtë tkurrje të lartë të eksporteve prej situatës më euron, ai ia atribuon flukseve të larta hyrëse të parave informale.
“Me përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e turistëve nuk ka asnjë shpjegim apo logjikë ekonomike për rënien e vazhdueshme të Euros dhe për arritjen e saj afër nivelit prej 100 lekë. Është e qartë se rënia e monedhës europiane, por edhe e Dollarit në këto nivele po ndikohet vetëm nga prurja e parave nga jashtë nëpërmjet burimeve të nëndheshme. Në ekonomi, këto para janë të ngurtësuara në sektorin e ndërtimit në pallate dhe apartamente, pra në objekte që shihen çdo ditë nga të gjithë individët”, deklaron Gjoka.
Shumë ekspertë gjithashtu kanë artikuluar nën zë për flukset hyrëse të parave informale që më pas përdoren në sektorin e ndërtimit.
Me afrimin e sezonit të fundvitit, zhvlerësimi i valutave kundrejt lekut është i zakonshëm, ndonëse me lëvizjen e kursit gjatë këtij viti, shpjegimet ekzistuese nuk gjejnë më vend.Ekspertët e Bankës së Shqipërisë pranojnë se ky është kursi i ri i këmbimit dhe nuk do të rikthehet më në vlerat e fillimvitit. Në 8 muaj, euro është zhvlerësuar me më shumë se 20 pikë.
Megjithatë, euro e mbylli javën me një rritje të lehtë duke rifituar më shumë se 3 pikë në një javë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të premten(15 dhjetor) euro u këmbye me 104.15 pikë.
Discussion about this post