Nëse ministri Blendi Klosi, drejtori Edison Konomi, drejtorja Arta Dollani, ministrja Mirela Kumbaro, do të kryenin detyrat e tyre, raporti i vdekjeve nga ajri i ndotur (rreth 4000 në vit) do të ishte një shifër më e vogël! Zbulohet se Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit kanë mashtruar Agjencinë Europiane të Mjedisit mbi të dhënat për cilësinë e ajrit, duke i furnizuar me të dhëna jo reale. Në Shqipëri njerëzit vdesin nga ajri i helmuar prej ndotjes së gazrave dhe grimcave të pluhurit, ndërsa stacionet e monitorimit, sipas KLSH, nuk funksionojnë.
Ministri u Turizmit, Blendi Klosi dhe më pas Mirela Kumbaro me qetësi të plotë mësojnë për vdekjen e të paktën 4 mijë vetave çdo vit, për shkak të ajrit të ndotur dhe këto të dhëna nuk ua vrasin ndërgjegjen.
Bazuar në të dhënat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë, për periudhën 2016-2020, Agjencia Europiane e Mjedisit në vitin 2022 ka botuar një raport ku paraqitet një vlerësim mbi përqindjen e popullsisë së ekspozuar nga ndotja e ajrit, ku përfshihet edhe Shqipëria për treguesit PM2.5, NO2 dhe O3
Nga ky vlerësim rezulton se numri i vdekjeve të parakohshme të ekspozuar ndaj PM2.5 është 3646, ndaj NO2 është 325 dhe ndaj Ozonit është 31. Tabela më poshtë ka të dhënat e BE.
Dy zyrtarët që firmosën raportet e monitorimit
Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), në varësi të Ministrisë së Turizmit është autoriteti kompetent për vlerësimin e cilësisë së ajrit dhe sigurimin e saktësisë së matjeve. Kjo detyrë buron nga Ligji nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”,
Në fakt kjo agjenci është thjesht një zyrë në funksion të dokumenteve për leje ndërtimi. Meqenëse lidhet me licencat, sigurisht që njerëzit aty i emëron kryeministri Rama. Më 17 dhjetor 2021 u shkarkua drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Edison Konomi. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë drejtuar nga Kryeministri, Edi Rama. Në vend të Konomit u emërua Arta Dollani që vazhdon të mbajë postin.
Këta dy zyrtarë firmosin të dhëna të pasakta në raportet e tyre duke mos bërë matjet e duhura të cilësisë së ajrit. Po për vete a thithin ajrin e Tiranës këta burokratë? Shpesh në raportet e tyre, sipas auditimit të KLSH-së, Konomi dhe Dollani nuk e përmendin kryeqytetin, nuk i bëjnë matjet në Tiranë! Ç’është kjo? Me sa duket për të ruajtur imazhin e Lali Erit në Bashkinë e Tiranës, janë fshehur të dhënat ose nuk janë kryer matjet për kryeqytetin. Për këta nuk ka rëndësi jeta e njerëzve, por vetëm votat.
Sot, AKM deklaron se kryen monitorimin e cilësisë së ajrit urban në 6 qytete kryesore të vendit tonë me anë të 7 stacioneve automatike (ku 1 nga stacionet është stacion automatik “Mobile”). Ato janë Tirana Mobile; Tirana Instituti i Higjenës; Stacioni i Korçës – Urban rezidencial; Stacioni i Durrësit – Urban trafik; Stacioni i Elbasanit – Urban trafik; Stacioni i Shkodrës – Urban background; Stacioni i Fierit – Urban trafik.
A janë të besueshme të dhënat?
Të dhënat mbi këto matje janë paraqitur për periudha të ndryshme në Raportet e Gjendjes së Mjedisit (RMGJ) të publikuara në faqen zyrtare të AKM-së.
Monitorimi i cilësisë së ajrit kërkon të dhëna të sakta e të besueshme. Për këtë qëllim, stacionet duhet t’i nënshtrohen mirëmbajtjes me qëllim kalibrimin e aparaturave, ndërrimin e filtrave në mënyrë periodike etj.
Një ndër kriteret kryesorë që ndikon drejtpërsëdrejti në saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të cilësisë së ajrit është edhe mbulimi kohor, i cili duhet të jetë 90%. Pra, stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit që të garantojnë të dhëna të sakta e të besueshme duhet të punojnë (dhe të mbulohen me shërbimin e mirëmbajtjes, kalibrimit, ndërrimit të filtrave etj,) minimalisht 90 % të vitit. Nga kontrolli rezulton që stacionet janë jashtë funksionit.
Nga ndotja e ajrit vijnë sëmundjet dhe vdekjet
Grupi i auditimit ka shqyrtuar me kujdes të dhënat e cilësisë së ajrit të publikuara në RGJM (përgatitur nga AKM) të viteve 2019, 2020 dhe 2021. Ndotësit kryesorë që kontribuojnë në cilësinë e ajrit të cilët maten e monitorohen nga AKM dhe që gjenerohen kryesisht nga transporti rrugor dhe ndërtimet janë: Lëndët grimcore apo pluhurat (PM, PM10 dhe PM2.5); Oksidet e azotit (NOx); SO2 (Dioksid Squfuri); CO (monoksidi i karbonit).
Transporti rrugor krijon grimcat primare nga shkarkimet që vijnë nga motori i automjeteve, konsumi i rrotave dhe frenave, si dhe lëshime të tjera. Këto mund të shkaktojnë dhe përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, goditje në zemër dhe aritmi sistemin nervor qendror, sistemin prodhues dhe mund të shkaktojnë kancer.
Të gjitha proceset e djegies në ajër prodhojnë okside azoti (NOx). Dyoksidi i azotit (NO₂ ) dhe monoksidi i azotit (NO) të dy së bashku referohen si (NOx). NO2 është i lidhur me efekte të padëshiruara në shëndet duke dëmtuar mëlçinë, mushkëritë, shpretkën. Ka për origjinë djegien e karburanteve që përmbajnë squfur, si qymyri dhe vajra të rëndë nga rafineritë. SO2 është një ndotës që shkakton probleme serioze në shëndetin e popullatës si përkeqësimin e astmës si dhe redukton funksionin e mushkërive dhe irriton aparatin respirator.
CO (monoksidi i karbonit) formohet nga djegia jo e plotë e karburanteve që përmbajnë karbon. Burimi më i madh është transporti rrugor, të cilat së bashku me djegien nga sektori shtëpiak dhe industrial konsiderohen si kontribues kryesorë. Monoksidi i karbonit (CO) është një ndotës që në nivele të larta mund të shkaktojë probleme në zemër dhe të dëmtojë sistemin nervor.
Raportet e viteve 2019-2021 nuk përmbajnë të dhëna të plota mbi nivelin e cilësisë së ajrit
Në mënyrë të përmbledhur, bazuar në RGJM (2019, 2020, 2021) paraqiten të dhënat e cilësisë së ajrit për ndotësit e sipërpërmendur. Në tabelën numër 12 citohen normat e BE-së dhe standardet e OBSH për disa prej ndotësve kryesorë të ajrit. Përqendrimi i një ndotësi ajri shprehet në mikrogramë (një e milionta e një grami) për metër kub ajër ose µg/m3.
Nga ajo që shikojmë në tabelën nr. 13 më sipër kuptohet që “asnjë prej ndotësve të monitoruar për vitin 2019 nuk është sipër normave”. Me të dhënat e Konomit dhe të Klosit ia paskemi kaluar BE-së në cilësinë e ajrit! Megjithatë, duke analizuar me kujdes procesin e monitorimit të kryer nga AKM, audituesi vëren disa mangësi si për shembull në mbulimin kohor, mungesën e të dhënave për disa ndotës në qytete të caktuara, apo edhe saktësinë e të dhënave si rezultat i mos mirëmbajtjes
dhe mos kalibrimit të stacioneve të monitorimit të cilësisë së ajrit.
Këta zyrtarë i bëjnë raportet me 7 stacione dhe me pajisje të prishura. Programet Kombëtare të Monitorimit të Mjedisit për vitet 2019, 2020 dhe 2021, theksojnë se rrjeti i propozuar për
monitorimin e cilësisë së ajrit parashikon matjen e cilësisë së ajrit në 121 pika me anë të stacioneve automatike ose semi-automatike. Ajo që konstatohet në RGJM e 2019 për shembull është se monitorimi i cilësisë së ajrit është bërë vetëm në stacionet automatike dhe vetëm për periudha shumë më të vogla se sa parashikohet në plan.
Në Tiranë nuk bëhen matjet e cilësisë së ajrit
Për vitin 2020, në qytetet Berat, Kukës dhe Gjirokastër janë kryer matje të cilat jepen në tabelën më poshtë.
Vlera mesatare në qytetin e Beratit është mbi normën e lejuar nga BE (25ug/m3). Qytetet e tjera nuk e tejkalojnë normën e BE-së, ndërsa standardin e OBSH-së (10 ug/m3) e tejkalojnë të tre qytetet e monitoruara. Krahas qyteteve të mësipërme, me anë të stacioneve automatike të vendosura në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë është kryer monitorimi i cilësisë së ajrit për periudhën 15.09.2020-31.12.2020. Nga të dhënat e publikuar në RGJM evidentohet se ka tejkalim të normës
të përcaktuar për PM10 në qytetet e Elbasanit dhe të Durrësit. Gjithashtu, evidentohet se mungojnë të dhëna për rezultatet e matjeve në këto stacione për pluhurat. Rezultatet e monitorimit
lidhur me oksidin e azotit janë paraqitur në RGJM për qytetet Durrës, Elbasan, Tiranë dhe Shkodër. Të dhënat nga monitorimi janë përfituar nga matjet në stacionet automatike fikse të monitorimit në Durrës, Elbasan dhe Shkodër. Në Tiranë janë paraqitur vetëm të dhënat nga monitorimi me stacionin
automatik mobile e jo të stacionit fiks automatik. Pse kështu? Kryeqyteti nuk ka nevojë për matje të cilësisë së ajrit? SO2 është një element që matet nga të gjitha stacionet fikse/mobile automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit, por në RGJM janë paraqitur vetëm të dhënat për Durrësin dhe Elbasanin e jo për qytetet e tjera. Raportimi në RGJM për CO (monoksidin e karbonit) është kryer për vlerat e regjistruara në qytetet e Korçës, Durrësit, Shkodrës. Vlera më e lartë 8 orarëshe për këtë element është regjistruar vetëm në qytetin e Korçës në muajin dhjetor.
Monitorimi e cilësisë së ajrit urban, për vitin 2021, është kryer në qytetet kryesore të vendit: Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Berat, Lezhë dhe Vlorë, për treguesit kryesorë të ndotjes së ajrit.
Në RGJM e këtij viti nuk janë paraqitur të dhëna për monitorimin e cilësisë së ajrit në qytetin e Tiranës, si dhe nuk është kryer monitorim për grimcat e pluhurit. Hija dhe ndikimi politik i kryebashkiakut Erion Veliajt bie mbi këto të dhëna të dyshimta për kryeqytetin. Dihet se si po ndikon ndërtimi i qiellgërvishtësave në kryeqytet.
Nga tabela më sipër shihet qartë se për qytetet ku janë të instaluara stacione fikse automatike të monitorimit nuk janë matur të gjithë elementët që ato kanë kapacitetin të matin. Më konkretisht, stacionet fikse automatike në Durrës, Shkodër, Korçë dhe Fier gjenerojnë të dhëna për PM10, PM2.5, NOx, SO2, O3, CO si dhe benzenin. Monitorimi i vlerave të PM10 është kryer me aparaturën TECORA për tre qytete (Vlorë, Berat dhe Lezhë) të instaluar pranë bashkive të këtyre qyteteve për periudhën prill – dhjetor 2021. Rezultatet e këtij monitorimi evidentojnë se ka tejkalim të normës mesatare mujore vetëm për stacionin pranë bashkisë Lezhë në muajin qershor 2021. Për sa i përket tejkalimit të normës ditore të PM10 (50 μg/m³), numri i ditëve që tejkalojnë këtë normë është: 21 ditë në stacionin e Vlorës (nga 35 ditë në vit që është norma e BE); 5 ditë në stacionin e Lezhës; 4 ditë në stacionin e Beratit.
Stacionet nuk mirëmbahen
Për të pasur të dhëna të sakta dhe përfaqësuese stacionet e monitorimit kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme dhe periodike. Në Projektbuxhetin e AKM-së drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për periudhën 2019- 2021, në relacionet shpjeguese është programuar kryerja e një shërbimi kapital duke zëvendësuar një pjesë të aparaturave dhe pajisjeve të tyre bazë, për të cilën janë kërkuar një fond prej 10 milionë
lekë (të reja). Gjithashtu për të zgjeruar rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit urban është parashtruar nevoja dhe kërkesa e rritjes së numrit të stacioneve automatike të vlerësimit të cilësisë së ajrit në disa qytete kryesore të vendit dhe është propozuar blerja dhe instalimi i 6 stacioneve të reja monitorimi (2 në qytetin e Tiranës, 2 në qytetin e Fierit, 1 në qytetin e Lezhës dhe 1 në qytetin e Beratit. Ky investim është vlerësuar rreth 90 milionë lekë (të reja).
Në fakt, edhe ato stacione që janë në punë nuk përdoren për të bërë matjet e të gjithë treguesve.
Histori tenderash
Në Projektbuxhetin e AKM-së drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për periudhën 2020- 2022, në relacionet shpjeguese është kërkuar sërish një fond prej 10 milionë lekë të reja. Në relacionin e përgatitur nga AKM për vitet 2020-2022 vihet re se në rubrikën ”shpenzime operative” fondi financiar i nevojshëm për shpenzime operative është 46,570,000 lekë dhe një peshë relativisht të madhe e zë shërbimi në pajisjet e monitorimit të instaluara në stacionet e monitorimit të mjedisit me një fond të vlerësuar prej 10 milionë lekë (të reja).
Nga auditimi u konstatua se në relacionet e buxhetit të periudhës 2019-2022, nuk ka detajim me një preventiv të studiuar me kosto dhe skedulim shpenzimesh dhe investimesh, sa i përket gjendjes teknike dhe fizike të stacioneve të monitorimit të ajrit dhe nevojës imediate për shërbimet e mirëmbajtjes periodike të tyre, por këto relacione shpjegojnë në vija të përgjithshme kërkesat për alokim fondesh.
Për vitin 2019, nga shqyrtimi i dokumenteve dhe përgjigjet zyrtare të AKM-së, grupi i auditimit ka zbuluar se mirëmbajtja e stacioneve nuk është realizuar. Në regjistrat e prokurimeve të AKM-së nuk ka as parashikim dhe as realizim për këtë zë, pavarësisht se është parashikuar dhe kërkuar një fond prej 10 milionë lekë të reja për investim dhe shtim të stacioneve të monitorimit të ajrit.
Për vitin 2020 bie në sy shkresa nr. 1071, datë 05.03.2020 “Informacion mbi gjendjen e pajisjeve të monitorimit të cilësisë së ajrit”, AKM i është drejtuar ministrit Klosi.
Duke bërë një kronologji të shkresave informuese që nga viti 2019 disa pajisje dhe aparatura të stacioneve të Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Korçës, Shkodrës, Tiranës nuk kanë qenë në gjendje pune. Për vitin 2020 mirëmbajtja e stacioneve është realizuar për periudhën 14 shtator 2020 – 31 dhjetor 2020, pra për 109 ditë kalendarike me vlerë 3,231,077 lekë me TVSH. Sipas AKM, arsyet për mirëmbajtje të pjesshme dhe me vonesë të stacioneve të monitorimit ka qenë COVID-19. Ndërsa ministri Klosi, siç u bë i famshëm nëpër media, ishte i zënë me lokalet për të ndaluar muzikën, sepse kishte zbuluar që valët muzikore përhapin COVID -19.
Kompania fituese e procedurës “Shërbimi i mirëmbajtjes së stacioneve të monitorimit” me procesverbalin nr.4536, datë 08.09.2020 ka dokumentuar inspektimin paraprak të gjendjes
fizike dhe teknike të stacioneve të monitorimit dhe e ka vënë në dijeni AKM-në se “disa nga pajisjet që duhen mirëmbajtur kanë gabime (errore) të cilat lidhen me defekte të rënda dhe pas riparimit të tyre defektet mund të shfaqin edhe probleme të tjera që lidhen me saktësinë e matjeve të cilat nuk është e mundur të konstatohen në këtë fazë. Për riparimin e pajisjeve me gabime të rënda nevojitet servis i specializuar dhe mund të jetë e nevojshme të dërgohen jashtë vendit pranë kompanive prodhuese/serviseve të autorizuara jashtë vendit”.
Për vitin 2021 mirëmbajtja e stacioneve është realizuar për periudhën 1 qershor 2021- 31 dhjetor 2021 pra për 214 ditë kalendarike, që nuk mbulon 12 muaj shërbim mirëmbajtje. Janë shpenzuar 7,525,812 lekë pa TVSH. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion grupi i auditimit konstaton se shpallja e fituesit është bërë në Maj 2021. Është koha kur në krye të Ministrisë së Turizmit u emërua Mirela Kumbaro. Situata e monitorimit të cilësisë së ajrit përkeqësohet më shumë.
Për vitin 2022 nga përgjigjet zyrtare të AKM-së dhe nga shqyrtimi i dokumenteve nga grupi i auditimit është konstatuar se mirëmbajtja e stacioneve nuk është realizuar. Stacionet kanë
pasur problem dhe për këtë arsye agjencia ka kërkuar që të realizohet një inspektim për të marrë një pasqyrë të plotë të gjendjes së stacioneve dhe e ka realizuar këtë me “procedurë blerje të vogël”.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka zhvilluar tenderin për rregullimin dhe vendosjen në gjendje pune të stacioneve të monitorimit të cilësisë së ajrit në fund të vitit 2022, (rreth 250 ditë kalendarike pas realizimit të inspektimit të gjendjes fizike nga AKM). E gjithë kjo situatë ka bërë që për vitin 2022 mos të jenë kryer matje të cilësisë së ajrit dhe për rrjedhojë mos të ketë të dhëna të cilësisë së tij.
Në këtë histori tenderash për monitorimin e cilësisë së ajrit mund të përmendim edhe Institutin e Shëndetit Publik që harxhon mesatarisht 50 milionë lekë në vit për mirëmbajtjen e pajisjeve të stacioneve të saj, pa llogaritur shoqëritë dhe institucione të tjera publike që përpijnë taksat tona gjoja për monitorim të ajrit dhe të klimës.
Nga të dhënat e mësipërme, del se Raportet e Gjendjes së Mjedisit të paktën për ajrin janë të pasakta dhe me këto kanë furnizuar institucionet e tjera, përfshirë Bashkimin Evropian.
Discussion about this post