Në dallim nga shumë njerëz që e vlerësojnë shumë aftësinë sipërmarrëse të Chiara Ferragni dhe Fedez, unë nuk kam asnjë mendim pozitiv për ta. Dhe këtu nuk është fjala për të kuptuar nëse me reklamimin e vezëve të Pashkëve apo panetoneve ata kanë mashtruar apo jo konsumatorët, sepse me këtë çështje do të merren organet kompetente.
Shumë më e rëndësishme – dhe shqetësuese – është përpjekja për të kuptuar dinamikat sociale të aktivizuara prej tyre, të cilat i kanë dhënë mundësinë të bëhen ata që janë, pra të përdorin zhargonin e njohur si influencues (ndikues), duke arritur të mbledhin dhjetëra miliona ndjekës pas vetes dhe për rrjedhojë të bëhen shumë të pasur.
Edhe nga një analizë e përciptë e gjërave që thonë dhe bëjnë, duhet thënë se këta njerëz janë shumë të thjeshtë. Pra ata nuk janë të pajisur me një sfond të caktuar njerëzor dhe kulturor, që mund t’iu jepte mundësinë të merrnin një rol udhërrëfyes apo të ishin një pikë reference për shumë njerëz.
Gjithsesi, nëse kjo gjë po ndodh, jo vetëm që duhet ta kemi parasysh, por edhe të pranojmë me hidhërim faktin që ndoshta një pjesë e madhe e ndjekësve të tyre e bëjnë këtë për dy arsye:nga njëra anë, sepse nuk kanë gjetur asgjë më të mirë; dhe nga ana tjetër, sepse është shumë më e lehtë të mos mendosh sesa të mendosh.
Nga këndvështrimi i parë, panorama kulturore kombëtare (në Itali) dhe ndërkombëtare duket shumë e varfër, në kuptimin që për fat të keq nuk shohim në horizont personalitete të një rëndësie të tillë që të mund të tërheqin vëmendjen e masave kaq të mëdha.
Deri disa dekada më parë, intelektualë të kalibrit të Leonardo Sciascia, Pier Paolo Pasolini apo Albert Camus përfaqësonin figura të shquara publike në kontekstin kulturor evropian, me të cilët ishte madje e nevojshme që të merreshim.
E si mund të harrojmë polemikën e famshme të Sciascia – të cilën sot mund ta përkufizojmë si profetike – mbi profesionalizmin e agjencive anti-mafia? Apo shkëputjen e famshme të Camus nga Partia Komuniste franceze, në kërkim të një humanizmi të ri, akt që e distancoi edhe nga një mik i vjetër si Jean-Paul Sartre?
Apo skandali i bujshëm që shkaktoi Pasolini, kur shkroi gjatë “viteve të plumbit” se ishte koha t’i jepej fund vrasjes dhe nëpërkëmbjes së fëmijëve të proletarëve të jugut (karabinierët dhe policët) nga fëmijët e borgjezëve të veriut (terroristët e Brigadave të Kuqe)?
Ata ishin të gjithë intelektualë, dhe për këtë arsye tërhoqën admirimin e shumë lexuesve të pasionuar, që duke u krahasuar me mendimin e tyre kritik, panë ngritjen dhe fuqizimin e tyre, duke arritur kësisoj të nxisnin lindjen e një ndërgjegjeje autentike njerëzore dhe civile.
Megjithatë sot panorama duket dëshpëruese, dhe faleminderit Zotit që rezistojnë ende figura si Massimo Caçiari ose Alessandro Bariço që ende po rezistojnë. Por nuk ka ndonjë tjetër, dhe për këtë arsye është më e lehtë që vëmendja e shumë njerëzve të bjerë mbi këdo që ka një minimum tërheqje si Ferragni dhe Fedez.
Nga pikëpamja e dytë, është e trishtueshme që miliona përdorues të mediave sociale, e lejojnë veten të tërhiqen nga dy personalitete kaq të dobët, për të cilët nuk mund të thuhet me saktësi se çfarë pune bëjnë, përveçse duke treguar publikisht se veshin një palë rrova apo këpucë të një firme të caktuar.
Por çfarë lloj sipërmarrjeje do të ishte kjo? Një asgjë e nxjerrë hiçi. Dhe ata që tërhiqen nga ky çift ndikuesish, e bëjnë ndoshta sepse nuk u kushton asgjë, dhe se kjo është shumë më e thjeshtë, teksa të kushton më shumë dhe është e vështirë të angazhohesh për të menduar.
Por në vend të kësaj, ata flasin si ata, vishen si ata, mendojnë si ata, duke aspiruar të jenë një fotokopje e tyre. Prandaj epoka jonë shoqërohet me një fjalë të re, “ideofob”, ku shumica janë armiq të paepur të ideve dhe mendimit në çfarëdo forme që shfaqet ai.
Kjo qasje ushqen një marrëzi të shëndetshme që përshkon gjithçka, dhe që ka gjithashtu ligjet e saj themelore, të theksuara me mjeshtëri nga i ndjeri Carlo Cipolla. Sipas të parit, numri i budallenjve është shumë më i madh nga sa mund ta imagjinojmë. Për ligjin e dytë, budallallëku është po aq i përhapur kudo, pa dallim vendi, gjinie, race, kulture, feje, kushtesh ekonomike dhe sociale.
Pra, sot miliona budallenj ndjekin si fotokopje Ferragni-n dhe Fedez-in, që në fakt nuk janë budallenj. Përkundrazi janë të zgjuar deri në pikën që ia kanë dalë të pasurohen duke shfrytëzuar marrëzinë e të tjerëve. Dhe të mendosh që Sciascia na kishte paralajmëruar duke shkruar “ata që mendojnë si unë, janë pikërisht ata që nuk mendojnë si unë”.
Burimi: Opinione.it
Discussion about this post