Kryebashkiaku Ermal Dredha mban të fshehtë rritjen e çmimit të ujit për vlonjatët, duke e lënë për në ditët e fundit para Vitit të Ri. Për procedurat po kujdeset kryetari i komisionit në Entin Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani dhe administratorja e Ujësjellësit të Vlorës, Elona Hodaj. Pra, kjo është “dhurata” që do të marrin vlonjatët duke pritur Vitin e Ri 2024.
Dhe e gjithë kjo po bëhet përmes një procesi të fshehtë dhe abuzues. Këtë gjë do ta tregojnë dokumentet më poshtë. Së pari, ia nisim nga hapi që ka ndërmarrë UK Vlorë për të rritur tarifat e shërbimit të ujit për konsumatorët. Më datë 10 nëntor 2023, Enti Rregullator i sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura ka dhënë një vendim lidhur me “Fillimin e procedurës për shqyrtimin e aplikimit për ndryshimin e nivelit tarifor të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A”.
Në dokumentin e Entit thuhet se Komisioni Kontrollor Kombëtar konstaton që “ Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë sh.a. me shkresën nr. 2257 prot. datë 29.09.2023, me lëndë “Kërkesë për nivel të ri tarife për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura” ka paraqitur kërkesën pranë Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për rishikimin e nivelit tarifor për shërbimet ujësjellës kanalizime”.
Pra kërkesa e firmosur nga Hodaj, drejtoresha e Ermal Dredhës, është bërë që në muajin shtator, më pas në datë 06.10.2023 është dorëzuar dokumentacioni për aplikimin e planit.
Dhe pasi u shqyrtuan të gjithë dokumentet e UK Vlorë, Komisioni Kontrollor me në krye Ndriçim Shanin vendosi të pranojnë kërkesën e institucionit për ndryshim tarifash. “KKRR vendosi :Fillimin e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë sh.a për miratimin e ndryshimit të nivelit tarifor për shërbimet ujësjellës kanalizime”, thuhet në dokument.
Nga dokumenti duket qartë se Ermal Dredha nuk ka dashur ta kalojë këtë vendim në Këshillin Bashkiak, pasi aty do të delte “sekreti”. Në shkelje të rregullores, Enti e ka miratuar hapjen e procedurës, megjithëse nuk ka vendim të Këshillit Bashkiak Vlorë.
AK i kërkon Bashkisë Vlorë të publikojë tarifat e reja
“Sekreti” i Dredhës nuk do të mbahej gjatë, sepse kjo tarifë kërkon mendim edhe tek Autoriteti i Konkurrencës. Në këtë institucion konstatohet se tarifa nuk mund të ndryshohet pa bërë dëgjesë publike. Ndërkohë, në këto vendime të dy institucionet kontrolluese janë kujdesur ta fshehin tabelën me tarifat e reja për qytetarët dhe biznesin në Vlorë. Qoftë në aplikimin në ERRU të Ujësjellës-Kanalizime Vlorë, po ashtu në vendimin e AK, nuk përcaktohet se sa do të jetë ndryshimi i tarifave, cilat grupe do të preken.
Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se veprimet janë bërë në fshehtësi dhe në mungesë të plotë të transparencës. Deri më tani as ERRU dhe as UK Vlorë nuk kanë publikuar detaje në faqet e tyre zyrtare në lidhje me tarifat e reja. Prandaj, Autoriteti i Konkurrencës i kërkon që të merren masa menjëherë, pasi kemi të bëjmë me një rast diskriminimi dhe shkelje ligjore. Autoriteti i Konkurrencës i kërkon Ermal Dredhës t’i bëjë publike tarifat e reja.
“Miratimi i ndryshimit të tarifave, të marra në shqyrtim nga KKRR (Komisioni Kombëtar Rregullator), të jetë i publikuar në faqen zyrtare elektronike të ERRU. Të bëhen transparente në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë, UK Vlorë SHA seancat e zhvilluara të dëgjesës publike më palët e interesit për propozimin e ndryshimit të tarifave”, thuhet në vendimin e datës 26 dhjetor 2023 të AK.\
Kjo është rritja e dytë e tarifave të ujit në Vlorë brenda 4 vjetëve. Në 28 tetor 2019, Bashkia e Vlorës e ngriti në 45 lekë/m3 tarifën e ujit për familjet dhe 100 lekë/m3 për biznesin. Sipas burimeve nga ERRU, tarifat e reja për Vlorën pritet të barazohen me ato të kryeqytetit, pra të ketë një rritje afro 30%.
Nga muaji shtator dhe deri më tani këto detaje të rëndësishme nuk janë bërë publike, nuk është bërë dëgjesë, por me siguri tarifat e reja do t’u shkojnë si peshqesh qytetarëve vlonjat në Vitin e Ri.
Pas Vlorës, rritje e tarifave në Fier, Lezhë dhe Durrës
Nuk është vetëm Ermal Dredha që kërkon rritje të tarifave të ujit. Aplikime që pritet të mbyllen brenda këtyre ditëve të fundit të dhjetorit janë bërë edhe nga Armando Subashi i Fierit, Eimiriana Sako e Durrësit dhe nga Pjerin Ndreu i Lezhës, përmes drejtorëve përkatës.
Ndërmarrjet e ujësjellësve të këtyre bashkive kanë aplikime që janë në statusin “Në proces”. Në vendimin e marrë për Fierin, Shani ka vetëm një shqetësim, që ky ujësjellës të paguajë kuotën e caktuar për ERRU. “Në rast mos shlyerjes së detyrimit të pagesës rregullatore sipas akt marrëveshjes së nënshkruar”, thekson vendimi.
Ndërkohë edhe Pjerin Ndreu e ka mbajtur të fshehtë për qytetarët këtë aplikim për rritje të tarifës. ERRU i kërkon që ta miratojë në këshillin bashkiak këtë rritje, që të ndërmarrë miratimin.
“Në rast mosdorëzimi të mendimit të pushteteve vendore Lezhë, Mirditë dhe Kurbin deri më datë 04.12.2023, aplikimi i shoqërisë rajonale UK Lezhë sh.a për nivel të ri tarifor për shërbimet ujësjellës kanalizime refuzohet. Komisioni Kombëtar Rregullator nuk do të miratojë kërkesën e shoqërisë për nivel të ri tarifor”, citojmë vendimin.
Në rastin e Durrësit, gjërat kanë ecur përpara dhe rritja e tarifës nuk vihet në diskutim. Emiriana Sako ka dërguar mendim të Këshillit Bashkiak Durrës, që me sa duket janë dakord t’i vendosin qytetarëve çmime të rritura për furnizimin me ujë.
“Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a. me shkresën nr. 5194/2 prot, datë 05.10.2023, me lëndë “Kërkesë për bashkëpunim”, dhe me shkresë Nr. 5731, datë 07.11.2023 me lëndë “Dërgim informacioni në lidhje me mendimet e
Këshillave Bashkiak” ka dërguar dokumentacionet plotësuese”, konstaton ERRU.
Por ka një pikë të aplikimit, që e detyron drejtorin e Ujësjellësit rajonal të Durrësit, Spartak Kovaçi dhe kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si aksionarja kryesore e shoqërisë, që ta diskutojnë publikisht këtë rritje të tarifave. “Proces Verbali i Seancave Dëgjimore me Publikun sipas formatit të përcaktuar nga ERRU” duhet dorëzuar bashkë me aplikimin. Deri në këtë moment, nga verifikimi që bëmë, nuk del të jetë kryer asnjë njoftim zyrtar për dëgjesë publike me qytetarët dhe as të jetë zhvilluar ndonjë mbledhje për këtë qëllim.
Falimentim dhe borxhe
Dy muaj më parë u shpall zyrtarisht falimentimi i i Ujësjellësit të Durrësit. Por keqadministrimi dhe korrupsioni i ka çuar në borxhe faliment shoqëritë e ujësjellësve në mbarë vendin. Prandaj, kjo rritje e tarifave të ujit që po ndodh në Vlorë, duket se do të ndiqet më pas edhe në bashki të tjera. Kështu mendojnë kryetarët e bashkive dhe politikanët në Tiranë t’i zëvendësojnë paratë që janë vjedhur dhe shpërdoruar nga UK-të nëpër tendera korruptivë. Deri në fund të vitit 2022, 45 shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve nuk arritën dot të mbulonin kostot e për pasojë, detyrimet e prapambetura ndaj OSHEE-së vijuan të rriten, duke kapur vlerën e 14 miliardë lekëve.
Për të dalë nga kjo situatë, Enti Rregullator i Ujit paralajmëroi se konsumatorët mund të përballen me një rritje të tarifës së ujit, e ardhur si kërkesë nga shoqëritë. “Kryesisht janë shoqëritë e vogla që kanë kosto të mëdha dhe me tarifën që kanë aktualisht nuk mbulohen. Ajo që është e pritshme janë aplikime dhe propozime për të rishikuar tarifën. Për ato shoqëri që kanë vërtet tarifa të vogla, janë tarifa nën vlerën që duhet për të mbuluar shpenzimet e kompanisë, ka të tilla dhe janë diferenca 2-3 fish”, tha Ndriçim Shani më 29 korrik 2023.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post