Problemi numër një i Erion Veliajt në vitin 2024 nuk është as ngrohja në shkolla, as përfundimi i shkollave të mbushura me llaç, as largimi i plehrave, as rrugët e shqepura në lagjet e Tiranës, as punësimi i të rinjve, as reduktimi i varfërisë. Duke qenë një makineri korrupsioni që punon me kalendar tenderash, ky zyrtar nuk ka lidhje me realitetin.
Sapo ka hequr pemën e Vitit të Ri, Lali Erin e kanë pickuar mizat dhe mushkonjat! Ndonëse akoma nuk dihet se çfarë u bë me tenderët 1 milionë eurosh për dezinfektimin e 4 qarqeve, përfshirë edhe Tiranës, të cilët u shtynë si pasojë e denoncimeve për korrupsion, Lali Eri që është autonom, ka vazhduar luftën me mizat. Po e “dezinfekton” Tiranën duke filluar nga zyra e tij.
Në këtë kuadër, kryetari ka hapur një tender me objekt “Blerje preparate për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim”. Me organizimin e prokurimit po merret Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike Tiranë në varësi të drejtpërdrejtë të Veliajt.
Gara për tenderin është hapur më datë 28 dhjetor 2023 dhe pritet të mbyllet me datë 12 janar 2024.
Pra, kur supozohej që fondet janë mbyllur, Thesari i Shtetit nuk kryen veprime, për më tepër janë pushimet zyrtare, Veliaj “priste” këtë zarf me ofertën e kompanive për luftën kundër insekteve. Tenderi i futur në sistemin e prokurimeve e ka vlerën 370 milionë lekë dhe në dokument thuhet se kontrata do të zgjasë për 12 muaj.
Kujtojmë se në çdo vit Veliaj zhvillon tenderë për dezinsektim çdo fillim viti dhe përcakton se do të zgjasë për 12 muaj, por pastaj në fillimin e sezonit veror zhvillon tenderë të tjerë.
Ky prokurim synon të sigurojë higjienizues, acide, klore dhe kurthe për insekte më së shumti në ambiente të mbyllura, por edhe disa lëndë për në ambiente të hapura.
Kjo të jep idenë që Veliaj po kujdeset të dezinfektojë së pari, bashkinë dhe zonën përreth saj. Pastaj për Tiranën ç’të mbetet!
Vitin e shkuar tenderat e dezinfektimit si ato të hapura nga bashkia edhe ato të zhvilluara nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara përmbanin shkelje të rënda.
Madje, edhe zonat bregdetare mbetën pa u dezinsektuar për shkak të ngërçit që krijoi korrupsioni me këto tendera. Njësoj ndodhi edhe në vitin 2022, por atëherë pas disa anulimeve dezinfektimi u bë, edhe pse shumë vonë.
Ndërsa në vitin 2023 nuk pati fare dezinfektim, sepse të paktën deri në fund të shtatorit vazhdonin ankesat për projektin 1.2 milionë eurosh që përmblidhte dezinfektimin në 4 qarqe.
Tenderët për dezinfektime ndër vite janë hasur me ngërçe, për shkak të abuzimit me fondet, pasigurinë me solucionet që përdoren, që shpesh kanë dalë të dëmshme për shëndetin e njeriut, si dhe manovrat e korrupsionit gjatë shpalljes së fituesit.
Deri më 12 janar 2024, kryetari pret ofertat, më pas nis beteja me insektet, si ngjarja e parë e epopesë së qeverisjes së Lali Erit për këtë vit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post