Tregtia botërore, veçanërisht ajo mes Azisë dhe Europës është tronditur nga sulmet e grupit islamik “Houthi” mbi anijet që lundrojnë në Detin e kuq drejt porteve europiane dhe kundërpëgjigjes amerikano-britanike, ku të dhënat e para flasin për një rënie të trafikut detar me 70%. Kompanitë e lundrimit kanë ndryshuar tashmë itinerarin duke zgjedhur kalimin nga kepi i Shpresës së Mirë në Afrikë duke zgjatur udhëtimin e mallrave nga 8 deri në 12 ditë, ndërkohë që çmimet e naftës u rritën të premten me 4% në bursat ndërkombëtare.
Efektet e sulmeve të grupit islamik Houthi nga Yemeni, ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detin e Kuq për në Mesdhe dhe tani edhe ndërhyrja amerikano-britanike kundër tyre, ka dhënë efeket e parë në ngadalësimin e tregtisë në rrugën Azi-Evropë, por mbi të gjitha një rritje e pashmangshme e çmimeve të mallrave të transportuara. Nafta bruto u rrit me 4% të premten dhe rreziku është që “taksa Houthi” të impaktojë një pjesën më të madhe të produkteve që vijnë me rrugë detare nga lindja, nga lëndët e para, e deri të pajisjet elektronikë apo çorapet thotë Alessandro Xhiraudo, ekonomist, ekspert në gjeopolitikë dhe lëndë të para, profesor në Grand Ekols në Paris.
Sipas institutit Kiel për ekonominë botërore, numri i kontejnerëve të transportuar me anije në Detin e Kuq ka një rënie drastike tashme me pothuajse 70%, në krahasim me trafikun e vlerësuar në këtë periudhë, pikërisht për shkak të sulmeve të grupit rebel jemenas në anijet ndërkombëtare.
Ky instituti flet për një “kolaps” të vërtetë: nga 500 mijë kontejnerë në ditë të regjistruara në nëntor, ai ka rënë në rreth 200 mijë. Kolapsi është i barabartë me një rënie prej 66% të trafikut detar që pritej në janar. Për të shmangur Detin e Kuq, përmes të cilit kalon afërsisht 12% e tregtisë botërore, ngarkesat detyrohen të zgjasin udhëtimin e tyre përmes Kepit të Shpresës së Mirë, në Afrikë. Kjo do të thotë 8 deri në 12 ditë më shumë lundrim, pra më shumë konsum energjie, kosto më të larta sigurimi, kohë më të gjata pune për ekuipazhet dhe anijet.
Tarifat e mallrave për kontejnerët pak a shumë standardë, ato 40 këmbë që përdoren për transportin nga Kina në Mesdhe, kanë shkuar nga 3 mijë dollarë për njësi disa muaj më parë në 6 mijë dollarë. Një dyfishim i vërtetë edhe pse ende larg 14 mijë dollarëve të arritur gjatë emergjencës Covid, siç thekson Instituti Kiel. Por vonesat tashmë po ndikojnë tek prodhuesit europiane. Tesla njoftoi të premten se do të mbyllë pothuajse të gjithë prodhimin në Gigafactory në Berlin-Brandenburg nga 29 janari deri më 12 shkurt për shkak të mungesës së pjesëve që vinin nga nga Kina dhe vendet e tjera aziatike.
Discussion about this post