Zbardhet kërkesa e SPAK, që i refuzoi ish – kryeministrit Sali Berisha lejen për të dalë nga arresti i shtëpisë dhe për të marrë pjesë në seancat plenare.
SPAK ka sqaruar edhe arsyet pse ka refuzar kërkesen e avokateve. Sipas organit te akuzes kur nje qytetar është me masë arresti shtëpi nuk i lejohet të shkojë në punë.
“Në rast se legjislatori do të kishte për qëllim që deputetit nuk duhet në asnjë mënyrë t’i ndërpritet mundësia për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, atëherë do të kishte bërë parashikime të tjera si në Kushtetutë ashtu edhe në ligjin procedurial penal. Kjo gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndodhur në këto kushte, vlerësohet të mos pranohet kërkesa e paraqitur nga personi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Sokol Mëngjesi për lejimin e marrjes pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
Kërkesa u bë më 15 janar nga avokatët e Sali Berishës, të cilët e kanë argumentuar me faktin se Sali Berisha prezumohet i pafajshëm, se ka të drejtë të marrë pjesë në seancat plenare, por edhe detyrim karshi zgjedhësve të tij.
VENDIMI I ARSYETUAR
Neni 232 i K.Pr.Penale, paraqet diapazonin e masave të sigurimit shtrënguese, ku ndërmjet tyre edhe atë të arrestit në shtëpi. Masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar si e tillë në mënyrë më të hollësishme nga neni 237 i K.Pr.Penale, konsiston, pikërisht, në detyrimin e personit nën hetim, për të qëndruar në një vend të caktuar, konkretisht banesës së tij, moslargimit nga kjo banesë ose vendi i caktuar ku ai banon, kurohet ose mbahet me asistencë. Kur cakton këtë masë, gjykata përcakton edhe mënyrën e ekzekutimit dhe të mbikëqyrjes së saj.
Në rastin konkret, Gjykata me vendimin e sipërcituar, ka disponuar “…Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, hyrja 1, Nd 036, Njësia Administrative nr. 2 Tiranë, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të…”.
Në vijim, neni 237 i K.Pr.Penale, në pikën 4 të tij, parashikon se për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin dhe në pikën 5 sanksionon se koha e qëndrimit në arrest në shtëpi llogaritet në caktimin e dënimit. Pra, referuar ashpërsisë që mbart kjo masë, ajo gjen përputhje në disa elementë, me masën më ekstreme, që është “arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i
K.Pr.Penale.
Ndodhur në këto kushte, edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ashtu siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë.
Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij.
Lloji i masës shtrënguese, vendoset nga gjykata, duke mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret që kërkohen për caktimin e tyre apo respektimi i detyrimeve të tjera që lidhen me një masë sigurimi. Aplikimi i masës së sigurimit të arrestit në shtëpi, do të thotë se nevojat për sigurim dhe mbarëvajtje të procesit penal, nevojat për të cilat është vlerësuar të vendoset kjo masë, janë më të mëdha e më të domosdoshme, se sa ato të vërtetuara nga llojet e tjera të masave të sigurimit personal.
Ndodhur në këto kushte, nevojat që ka vlerësuar gjykata, mbi bazë të të cilave ka çmuar caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duhet të mbizotërojnë, në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetime, për të marrë pjesën në punimet e Kuvendit.
Legjislatori, nuk ka parashikuar në asnjë nga dispozitat e K.Pr.Penale apo në dispozitat e ligjit.
Nëpërmjet mbrojtësit av. Sokol Mëngjesi, nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje.
Edhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj nr. 17/5 datë 09.11.2015 është shprehur: “…Leje, e cila në vetvete për nga natyra e saj, sidomos për nga kohëzgjatja dhe vazhdueshmëria thuajse e pandërprerë sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, dhe për nga moria e veprimtarive kuvendore do të zbehte pothuajse krejtësisht qëllimin dhe objektin e vendimit për caktimin e masës së sigurimit. Në Kodin e Procedurës Penale nuk identifikohet ndonjë dispozitë ligjore që të parashikojë mundësinë e dhënies së një leje të një natyre të tillë, kurse dispozitat e parashikuara në ligjin për trajtimin e të paraburgosurve, natyra e lejeve që mund të kërkohen ka karakter rastësor dhe të përjashtimor, pra nuk parashikohet as në ligjin nr.8328, datë 16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” ndonjë dispozitë që të mbështeti pretendimin e personin nën hetim. Në këto kushte, e drejta kushtetuese për të ushtruar funksionin e deputetit, nuk mund të konsiderohet si mbizotëruese në raport me përmbushjen e interesit kushtetues që ka të bëjë me plotësimin e nevojave për mbarëvajtjen e procedimit penal lidhur me ushtrimin e ndjekjes penale dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor që synon përcaktimin e së vërtetës lidhur me akuzat e ngritura dhe çështjen e përgjegjësisë penale….”.
Në rast se legjislatori do të kishte për qëllim që deputetit nuk duhet në asnjë mënyrë t’i ndërpritet mundësia për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, atëherë do të kishte bërë parashikime të tjera si në Kushtetutë ashtu edhe në ligjin procedurial penal. Kjo gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ndodhur në këto kushte, vlerësohet të mos pranohet kërkesa e paraqitur nga personi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Sokol Mëngjesi për lejimin e marrjes pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Përsa më sipër, mbështetur në nenin 110 të K.Pr.Penale,
VENDOSËM
1- Mospranimin e kërkesës me nr. 1001 prot., datë 15.01.2024 (hyrje në prokurori), të personit nën hetim Sali Berisha, paraqitur nëpërmjet mbrojtësit të tij, av. Sokol Mengjesi.
2- Një kopje e këtij vendimi t’i dërgohet për dijeni personit nën hetim Sali Berisha dhe avokatit të tij Sokol Mëngjesi.
Discussion about this post