Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar të turizmit shëndetësor, sidomos atij dentar. Fqinjët e Italisë janë klientët kryesorë. Por, zhvillimi i shpejtë mbart dhe rreziqe. Aktorët e tregut theksojnë se duhen kontrolle mbi sektorin, për cilësinë e ofrimit të shërbimeve, mbi çmimet e një sërë problematikash që shoqërojnë këtë proces, në mënyrë që ky bum të mos kthehet në bumerang. Skemat e dikurshme forex janë kthyer në agjenci të turizmit shëndetësor, që ofrojnë ndërlidhjen me mjekët/klinikat këtu dhe fenomeni po merr përmasa të frikshme.
Nuk përbën më habi për të gjithë ne që të ecim rrugëve të Tiranës dhe të ndeshim italianë, të vetëm apo në grupe. Shumëkush mund të mendojë se jehona e turizmit vijon ende në javët e para të dhjetorit. Por, arsyet lidhen ngushtësisht me …turizmin dentar.
Ditëve të fundit ekziston një diskutim, mbështetur edhe nga kronika italiane mbi cilësinë e shërbimeve në Shqipëri, në lidhje me ndërhyrjet e ndryshme estetike ose dentare, të cilat janë tërheqëse për shkak të çmimit të lirë.
Përtej këtij diskutimi, klinika të shumta në vend vazhdojnë të operojnë, në një treg të lirë, por të parregulluar me një ligj të posaçëm. Bashkimi i ofertës turistike dhe kapacitetit të rritur të shërbimeve shëndetësore e ka shndërruar Shqipërinë vitet e fundit në një destinacion të pëlqyer, për ata që janë në kërkim të një përvoje të pazakontë të turizmit shëndetësor. Por jo vetëm për përvojën.
Çmimi duket se ka qenë arsyeja kryesore e ofertës tërheqëse të vendit tonë. Aktualisht, ka investime në infrastrukturën e shëndetit që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend. Partneritetet ndërkombëtare dhe certifikimet e arritura kanë bërë një ndryshim pozitiv në imazhin e turizmit shëndetësor shqiptar.
Bashkëpunimet me qendra prestigjioze shëndetësore dhe përfitimi i certifikimeve të njohura ndërkombëtare kanë krijuar një mjedis besimi për vizitorët. Kjo ka ndihmuar në tërheqjen e një audience më të gjerë ndërkombëtare, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të pëlqyer për ata që kërkojnë shërbime shëndetësore.
Ndërsa industria e turizmit shëndetësor po zhvillohet, është e rëndësishme të adresojmë sfidat dhe të shohim përpara. Ka gjithmonë edhe një anë tjetër të medaljes për t’u parë. Siguria e shëndetit dhe ruajtja e mjedisit natyror janë sfida të cilat kërkojnë angazhim të përbashkët dhe strategji afatgjata. Por jo vetëm kaq.
Aktorët e tregut gjithashtu theksojnë se duhen kontrolle mbi sektorin, për cilësinë e ofrimit të shërbimeve, mbi çmimet e një sërë problematikash që shoqërojnë këtë proces, në mënyrë që ky bum të mos kthehet në bumerang. Sipas tyre, sfida kryesore është siguria e shëndetit.
Një tjetër problematikë, sipas komunikimeve me disa aktorë tregu, është nevoja për trajnime të vazhdueshme për personelin shëndetësor. Për të ruajtur cilësinë dhe standardet e larta të shërbimeve, personeli duhet të jetë i trajnuar dhe i përgatitur për të ofruar trajtime dhe këshilla të specializuara. Investimet në zhvillimin e kapaciteteve profesionale janë të domosdoshme për të siguruar një përvojë cilësore për vizitorët.
Një aspekt tjetër i problematikave të tregut është menaxhimi i turizmit në mënyrë të qëndrueshme. Një rritje e shpejtë e numrit të vizitorëve mund të ketë ndikime negative në mjedisin natyror, duke kërcënuar ekosistemet lokale dhe trashëgiminë kulturore.
Ekspertët, në këtë rast, deklarojnë se është e rëndësishme të hartohen politika dhe strategji që nxisin turizmin e qëndrueshëm, duke përfshirë praktika të orientuara nga eko-turizmi dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Konkurrenca me vende të tjera turistike dhe nevoja për të ruajtur një imazh pozitiv janë sfida të tjera që mund të ndikojnë në zhvillimin e turizmit shëndetësor në Shqipëri. Për të përballuar këto sfida, një strategji e mirëpërcaktuar e marketingut dhe promovimit është e nevojshme, duke përfshirë përdorimin e mediave sociale dhe promovimin e përvojave unike të ofruara nga destinacioni.
“Nëse Shqipëria do të arrijë të mbajë një balancë të qëndrueshme midis zhvillimit të turizmit shëndetësor dhe mbrojtjes së mjedisit dhe kulturës, ka të gjitha mundësitë të bëhet një lider në këtë sektor në rajon.
Por rruga për të arritur atje, është e gjatë dhe nuk mund të bëhet vetëm nga një ose disa aktorë seriozë të tregut.
Përvoja e turizmit shëndetësor në Shqipëri mund të jetë një histori e suksesi, nëse do të ketë strukturim, mbështetje e mbikëqyrje të tregut nga autoritetet, duke ndikuar në rritjen e ekonomisë, zhvillimin e sektorit shëndetësor dhe promovimin e pasurisë kulturore dhe natyrore të vendit.
Në këtë rrugë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë dhe implementimi i praktikave të qëndrueshme do të jenë kyç për suksesin e industrisë së turizmit shëndetësor në Shqipëri”, – deklaroi Gent Dulja, drejtuesi i një agjencie ndërmjetësimi, “Medical Tourism Albania”.
Rritja e tregut
Nga informacionet e marra në treg, bëhet e ditur se pas 2010-s, u vu re një bum kërkesash për shërbime të ndryshme mjekësore në vendin tonë, kryesisht nga italianët, ku kryesonte shërbimi dentar dhe më pas, ai estetik.
Në pesë vitet e fundit, Shqipëria u bë tërheqëse edhe për kurat e fertilitetit, që dukshëm ishin më ekonomike se sa në Europë, ndonëse Turqia, Serbia dhe Bullgaria, ishin zhvilluar më herët në këtë drejtim. Gjithashtu edhe kirurgjitë estetike ishin të kërkuara.
Kujtojmë, se në vitin 2016, fjalia më e kërkuar në Google nga shqiptarët ishte “Sa kushton një operacion i hundës”, gjetje e cila e bëri të njohur vendin e vogël ballkanik në studimin e autorëve amerikanë.
Dr. Panajot Papa, thotë për “Monitor” se nuk e bën vetëm çmimi shndërrimin e një vendi si pikë e rëndësishme e turizmit shëndetësor, por edhe afërsia kulturore, gjuha, të qenët një vend i sigurt për të udhëtuar dhe stafi mjekësor profesional dhe i besueshëm.
Të gjitha këto elemente janë përmirësuar vitet e fundit dhe kjo e vendosi Shqipërinë, sipas tij, në një hartë kryesisht rajonale, për shërbime mjekësore.
E teksa 2019-a pati “shpërthimin” më të madh të kërkesave të huaja për shërbime, tashmë të strukturuara, duke qenë se spitalet private, klinikat estetike, si dhe disa agjenci të ndërmjetësimit për turizëm mjekësor bënë përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim, 2020 përmbysi situatën.
Pandemia e COVID-19 tkurri në mënyrë të thellë ekonominë botërore dhe bëri që dy e treta e botës, gati 3 miliardë njerëz të izoloheshin në shtëpi për gati dy muaj. Por viti 2021 nisi të sillte rimëkëmbjen, e shoqëruar gjithashtu edhe nga rihapja dhe lulëzimi i turizmit.
Dritan Gremi, sipërmarrës, thotë se formula e tërheqjes për tregun e shërbimeve shëndetësore në vend nuk është e duhura. Sipas tij, nuk mundet që të tërheqim klientë të mirë vetëm duke “reklamuar” vendin si destinacion i lirë.
Çfarë parapëlqehet?
Oriela Cano, drejtoreshë e Marketingut dhe PR në Spitalin Amerikan dhe Hygeia, thotë për “Monitor” se, trajtimet më të zakonshme janë kirurgji kozmetike, kirurgji dentare dhe ortopedike. Ajo shton se, kërkesat për kirurgji kardiovaskulare, operacione laparoskopike dhe trajtime për fertilitetin dhe obezitetin janë në rritje.
Duke marrë në konsideratë situatën e pandemisë, znj. Cano shton se, turizmi shëndetësor pati rënie në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, por sipas saj, disa shërbime si turizëm dentar dhe estetik nuk kanë qenë shumë të kufizuara. Madje, edhe gjatë këtij viti, ka filluar të rritet ndjeshëm numri i vizitorëve për shërbimet që duan të marrin, sidomos ata afër rajonit.
Sa u përket klientëve, ajo shton se, përzgjedhja për shërbime shëndetësore, ka qenë jo vetëm nga pacientë me kombësi të huaj, të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe nga një numër i konsiderueshëm personash, që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe kanë zgjedhur dhe u janë drejtuar spitaleve të tyre për të marrë trajtim shëndetësor.
“Ndonëse ka një profil të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria është tërheqëse për turistët. Potenciali më i afërt i turizmit mjekësor janë fëmijët e emigrantëve, të cilët mbajnë kontaktet me vendin e tyre të origjinës dhe e vizitojnë shpesh, por jo vetëm, pasi pacientë të huaj kanë zgjedhur Spitalin Hygeia, për shkak të ekselencës së mjekëve dhe infrastrukturës spitalore” – thotë znj. Cano.
Ajo shton, se nga viti në vit, numri rritet, duke përmendur pacientët që vijnë për kirurgji plastike si për standardet, mjekët por edhe për çmimet. “Turizmi dentar, është shumë i zhvilluar, kemi pacientë nga shumë shtete të Europës që vijnë për shkak të çmimit, kohës së shkurtër dhe cilësisë së shërbimit.
“Fertilizimi IN VITRO, IVF është shumë i kërkuar nga pacientët shqiptarë që jetojnë jashtë, por dhe pacientë të huaj na zgjedhin, pasi cilësia e shërbimit është po aq e mirë sa ajo që ofrohet në klinikat më të mira perëndimore. Çmimet për një ndërhyrje të tillë janë disi më lirë krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në vendin tonë, nuk duhet të presësh në radhë e të vësh emrin në listë për një kohë të gjatë” – thotë ajo.
Fekondimi In Vitro (ku Klinika e Fertilitetit Hygeia shquhet për rezultatet e larta të arritura me një përqindje suksesi ndër më të lartat në rajon dhe më gjerë, 65% sukses në çiftet e trajtuara)
Burimet nga klinika Keit thanë se gjysma e klientëve janë shqiptarë dhe gjysma tjetër, të huaj. Disa nga procedurat kirurgjikale që zakonisht kanë një kërkesë të lartë dhe zgjidhen nga pacientët janë:
-Lipoaspiracioni (liposuksioni), një procedurë e zakonshme për heqjen e yndyrës së tepërt nga zona e trupit si abdomeni, beli, gjinjtë dhe kofshët.
-Rinoplastika, një ndërhyrje për ndryshimin e formës së hundës për të përmirësuar pamjen e fytyrës.
-Face Lift, një ndërhyrje për të zbutur rrudhat dhe për të kthyer një pamje më të re të fytyrës.-
-Rritja e gjoksit, në këtë kategori përfshihen ndryshimet e madhësisë së gjoksit përmes implanteve ose transferimit të yndyrës së trupit.
-Abdominoplastika, një procedurë për të hequr qelizat e tepërta të lëkurës dhe yndyrën nga zona e barkut.
-Transplantimi i flokëve, për persona me humbje të dukshme të flokëve, transplantimi i flokëve është një opsion, ku kërkesat janë kryesisht nga të huaj.
Forex-et kthehen në agjenci të turizmit shëndetësor
Megjithëse nuk ka hapa të rëndësishëm të mbështetjes së qeverisë qendrore për të nxitur udhëtimin mjekësor në Shqipëri (vetëm një plan i mbetur në letër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit i nisur në 2016), sektori privat i kujdesit shëndetësor nisi të marrë “masa” vite më parë.
Para rreth 7 viteve filluan të themelohen agjencitë e para të nxitjes dhe ndërmjetësimit të turizmit shëndetësor në Shqipëri, të cilat patën një mbyllje të detyruar vitin e shkuar.
Krahas kësaj, problematike mbeten: informaliteti dhe rritja e çmimeve fiktive për turistët e huaj, imazhi i Shqipërisë tek europianët dhe konkurrenca e fortë e aktorëve rajonalë, të cilët e kanë shtruar shumë më herët këtë rrugë si Kroacia, Bullgaria, Serbia etj.
Klinika të ndryshme në Tiranë që operojnë ndër vite në këtë sektor përflasin se skemat e dikurshme forex janë kthyer në agjenci të turizmit shëndetësor, që ofrojnë ndërlidhjen me mjekët/klinikat këtu.
Sipas sipërmarrësit Dritan Gremi, sot ky fenomen ka marrë përmasa të frikshme.
“Bëhet fjalë për agjenci ndërmjetësimi, që kanë lindur dhe janë shtuar si kërpudhat dhe në pjesën më të madhe të rasteve operojnë në mënyrë të paligjshme ose në kufirin e ligjshmërisë dhe estetikës profesionale e njerëzore. Problemi tjetër i madh lidhet me mënyrën se si trajtohen këto shërbime nga këto agjenci.
Nuk mund të shiten shërbimet shëndetësore, sikur të ishin tenxhere me presion apo dyshekë. Ky fenomen dëmton rëndë jo vetëm markën ‘Medical Tourism in Albania’, por dhe na etiketon si një vend të botës së tretë. Sigurisht që edhe në këtë rast, vakumi i një ligji për turizmin shëndetësor, e si rrjedhojë gjendja kaotike e gjithë sistemit, janë shkaktarë kryesorë të këtij fenomeni që e përsëris, na dëmton rëndë të gjithëve.
Deri tani, thirrjet që kam bërë kanë rënë në vesh të shurdhët, pak nga neglizhenca e organeve kompetente dhe shumë më tepër besoj nga paaftësia e tyre për të zhvilluar sisteme dhe mekanizma parandalues dhe kontrollues.
Shpresoj shumë që kjo situatë të ndryshojë në muajt në vijim, por që kjo të ndodhë duhen ndryshime rrënjësore në nivele drejtuese të organeve kompetente dhe administratës publike.
Ka ardhur koha që në krye të tyre të zgjidhen profesionistë të cilët kanë aftësi krijuese, vendimmarrëse dhe zbatuese, për ta ndryshuar dhe për ta përfshirë këtë sistem në shina” -pohon z. Gremi.
Mundësi e artë
Çmimet ende të lira të trajtimeve e ndërhyrjeve estetike, si dhe shërbimeve dentare, po tërheqin gjithnjë e më shumë të huaj.
Kërkesa e lartë po nxit bizneset e këtij segmenti, duke bërë që për herë të parë të ketë hyrje në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve.
“Sombrero” (Klinika Keit) është më e madhja në vend për mjekësinë e specializuar estetike me më se dyfishim të të ardhurave, në 900 milionë lekë. Edhe fitimet u trefishuan në 432 milionë lekë, me një normë prej 48%.
Shqipëria është një destinacion tërheqës për shërbime estetike për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë çmimet e lira dhe cilësinë e shërbimit.
“Çmimet për shërbimet estetike në Shqipëri janë zakonisht më të ulëta në krahasim me vendet e tjera. Kjo bën që shërbimet të jenë më të arritshme për klientët dhe tërheq një numër të madh të pacientëve nga jashtë vendit.
Kemi kirurgë dhe ekspertë të fushës estetike, të kualifikuar, që janë trajnuar në shkolla të njohura dhe kanë përvojë të pasur në fushën kirurgjikale estetike dhe bashkëpunohet kryesisht me profesionistë italianë.
Raporti i kombësisë në pacientët tanë është 50% të huaj, 50% shqiptarë. Nëse do të bëjmë një ndarje sipas gjinisë, do të thosha që emëruesi i përbashkët për të dyja gjinitë është rinoplastika, ndërsa diferenca qëndron te transplanti i flokëve për djemtë dhe zmadhimi i gjoksit + laseri për epilim për vajzat”, pohon Skerdilajd Faria, drejtues i Klinikës Keit.
Shifra
INSTAT raporton se pas rënies së numrit të të huajve që erdhën në Shqipëri për arsye mjekësore në 2018, viti 2019 pati një rritje të kërkesës me rreth 58%.
Situata duket në rritje edhe për vitet pas pandemisë. Në 2021 shifrat tregojnë se ky sektor nisi të rimëkëmbet me vizitat, ndërsa 2022 pa një lulëzim të pesë viteve të fundit.
Ndërsa nga shifrat e 10-mujorit të këtij viti, raportohet të jenë 824 persona. Aktorët e tregut pohojnë një numër shumë të lartë të raportuar në klinikat e tyre, si dhe këshillojnë që të ngrihen struktura të posaçme nga shteti për të monitoruar hyrjet e të huajve për këtë qëllim, pasi ndikon në imazhin e vendit./MONITOR
Discussion about this post