Nga Andi Bushati
Dokumentat e reja, të botuara nga shqyrtimi që Zëri i Amerikës i bëri dosjes McGonigal, përforcojnë edhe më shumë bindjen e një skandali të financuar me para në dorë nga Tirana, për të shkatëruar opozitën vendase. Në zbulimet e panjohura më parë, citohet një agjent i FBI-së, që i shpreh dyshime shefave të tij, se ç’vlerë ka të hetojë këtë çështje, kur insitucioni nuk ka kapacitete për t’u marrë me hetime më të rëndësishme që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së. Pra, sipas tij, kjo është një dosje e sitisur dhe e padobishme, e hapur gjoja për të hetuar parregullsitë, në deklarimin e financimeve të amerikanit Nik Muzin, nga Lulzim Basha, i cili sipas dyshimeve paskësh marrë para ruse.
Tezën se mbrapa këtij makinacioni ka diçka të errët e mbështesin edhe dy fakte të tjera. Së pari, vetë ish agjenti tashmë i dënuar me 30 muaj burg, Charles McGonigal, pranoi para gjykatës se ai ka ndikuar për ta çuar përpara këtë dosje. Së dyti, ashtu sikurse theksojnë prokurorët amerikanë, kjo flluskë sapuni u shua, sapo McGonigal doli në pension dhe dosja u mbyll.
E thënë kështu, historia duket shumë e thjeshtë: ajo e një qeverie që me para të zeza blen një zyrtar të SHBA-së, për ta përdorur për nevojat e saj. Nuk ka rëndësi se ky është agjenti më i rëndësishëm i FBI-së, i koruptuar ndonjëherë. Nuk ka rëndësi as se, kjo bëhet nga vendi më i varfër anëtar i NATO-s. Këto janë krejt të papërfillshme në raport me makinerinë manipulative që kjo blerje e thjeshtë vuri në punë më pas.
Për ta kuptuar atë më mirë i’a vlen ti rikthehemi edhe njëherë, shkurtimisht kronikës. Ajo na tregon se, në gusht 2017, McGonigal i kërkoi borxh, shqiptaro-amerikanit Agron Neza. Ai bëri gjënë që dinte të bënte më mirë për ti gjetur paratë. E solli agjentin e FBI-së që në shtator të takohej, në kryeministri, me Edi Ramën. Menjëherë pas kësaj ish agjenti mori të paktën 225 mijë USD. Tashmë i paguar ai u kthye në nëntor të Shqipëri. Menjëherë pas kësaj filloi dhënia e marerialeve me burim nga kryeministria, për “paratë ruse” të Bashës dhe PD. Ashtu sikurse pohon vetë, McGonigal ndikoi në hapjen e hetimit, përmes materialve që i servireshin nga Neza dhe këshilltari informal i kryeministrit, Dorian Duçka. Kulmi i kulmeve, ky i fundit i paguante edhe dëshmitarët që dëshmojnë për FBI-në lidhur me këtë ngjarje dhe kjo gjë i mbahej e fshehtë institucionit. Në shkurt 2018, qëllimi u arrit dhe FBI hapi hetimin zyrtar kundrejt lobistit të Bashës.
Pra, deri këtu, kemi thjeshtë fabulën e një ish zyrtari amerikan të korruptuar nga qeveria e një vendi partner.
Sa do e rëndë dhe e pisët që të duket, kjo përbën vetëm majën e ajsbergut. Sepse nga ky pazar banal u prodhua një mostruozitet monumental, që krijoi një realitet paralel krejtësisht të gënjeshtërt.
Pa kaluar as katër pesë javë nga hapja e çështjes përmes trysminit të McGonigal, në një revistë amerikane, “Mother Jones”, të padëgjuar deri më atëhere në Shqipëri, rodhën të dhënat për një artikull që akuzonte opozitën tonë se financohej me para ruse. Detajet e këtij shkrimi i përdori edhe prestigjozia New York Times që e rimori këtë temë.
Kaq u desh që gazetat dhe televizionet e financuara me paratë e inceneratorëve, të shndëronin në kryetemë rrezikun që po i kanosej sigurisë kombëtare, nga financimet e Kremlinit. Politikanët në pushtet, nuk e hiqnin nga goja këtë rrefren, sa herë shfaqeshin përpara kamerave.
Për të kuptuar atmosferën që mbretëronte në vend është mirë që të shikohet një deklaratë, sa debile po aq dhe qesharake, e Elisa Spiropali, nga selia e PS, të cilën e postoi edhe Edi Rama në Facebokun e tij (shih videon poshtë). Në këtë dallëdi spiropalizuese, Elisa fliste për një situatë të rëndë, të errët për vendin, ku forca armiqësore po ndikonin politikën dhe parlamentin.
Por, manipulimi nuk përfundoi tek fjalët. Në lojë hyri prokuroria e Tiranës, që hapi dosjen e financimeve ruse. Më tej shkoi edhe ish ambasadorja Yuri Kim, që gjatë një takim me dyer të mbylluara, e përdori në mënyrë evazive këtë pandehmë, për të mbajtur gjallë fabulën e një opozite që nxinte realitetin dhe i bënte keq vendit, si pasojë e pagesave që i vinin nga Rusia.
Pra si konkluzion, kjo nuk është thjeshtë historia banale e blerjes së një agjenti, sado i rëndësishëm që të ketë qenë ai, por pasqyra se si ky akt korruptiv, vuri në lëvizje përmes lobimit, media ndërkombëtare dhe kombëtare, politikanë e parti lokale, drejtësinë vendase dhe diplomatët e huaj.
Dhe të gjitha këto për çfarë? Për një dosje, që pasi u kap me preshë në duar, Mcgonigal e pranoi se e kishte shpënë vetë përpara dhe që u mbyll porsa ai doli në pension. Për një çështje që siç treguan dëshmitë e fundit të Zërit të Amerikës edhe zyrtarët e FBI-së e dinin se nuk kishte asnjë vlerë.
Prandaj, nëse për SHBA-në, dosja e McGonigal është e rëndë, pasi ajo tregon se një shtet brekëgrisur arrtiti ti korruptojë agjentin më të lartë të rekrutuar ndonjëherë, për Shqipërinë ajo është disa fish e tillë. Për ne, ajo nuk dëshmon thjeshtë një blerje me para në dorë, por fabrikën oruelliane të manipulimit, që e bën këtë vend të jetojë në një realitet paralel. /Lapsi.al/
Discussion about this post