Nga Klodian Tomorri
Në vitin 2011, Instituti i Statistikave realizoi censusin e kohës. Puna në terren për mbledhjen e të dhënave u krye gjatë muajit tetor 2011, në intervalin nga 1 deri në 30 tetor, në të njejtën periudhë me vendet e tjera europiane.
Në atë kohë Shqipëria ishte më e pazhvilluar se sot, ndërsa teknologjia më e prapambetur. Të dhënat u mblodhën me letër përmes intervistimit derë më derë. INSTAT angazhoi mbi 15 mijë punonjës për Censusin nga të cilët 12 mijë e 500 ishin anketues në terren, të cilët mblodhën të dhënat derë me dërë në 740 mijë njësi ekonomike familjare.
Megjithatë, më pak se dy muaj nga përfundimi i mbledhjes së të dhënave në terrën, në 21 dhjetor 2011, INSTAT prezantoi për publikun rezultatet paraprake të censusit, të bazuara në një përllogaritje jopërfundimtare të individëve, Njësive Ekonomike Familjare, banesave dhe ndërtesave të numëruara. (Lexo këtu dhe këtu).
Censusi i radhës në Shqipëri ishte programuar në vitin 2020. Por INSTAT dhe qeveria e shtynë me 3 vjet për arsye nga më të ccuditshmet. Gjithsesi, puna në terren filloi në tetor 2023. Por këtë herë infrastruktura ishte shumë më e modernizuar se 12 vjet më parë. Të dhënat nuk u mblodhën me letër, por në mënyrë dixhitale.
Instituti i Statistikave kontraktoi mbi 8 mijë tableta për anketuesit në terren me një kosto totale prej 1.6 milionë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Këtyre u shtohen dhe kostot e tjera operative duke e ccuar buxhetin total të shpenzuar për censusin në rreth 15 milionë euro.
Së dyti, Sistemi Informativ Gjeografik sot është shumë modern se sa 12 vjet më parë. Megjithatë, edhe pse me një buxhet më të madh, ndonëse me një infrastrukturë totalisht të dixhitalizuara, INSTAT nuk i raporton të dhënat.
Teorikisht të dhënat kryesore të Censusit, si numri i popullsisë, ai i banesave si dhe disa treguesë të tjerë duhet të ishin gati për raportim që në momentin e përfundimit të mbledhjes së dhënave në terren. Kjo pasi ndryshe nga 12 vjet më parë, INSTAT-it nuk i është dashur të skanojë mbi 2 milionë pyetësorë.
Shtyrja e publikimit të rezultateve të Censusit për në qershor të këtij viti nga ana metodologjike dhe proceduriale është e paarsyeshme. Nëse në vitin 2011, rezultatet kryesore u shpallën për më pak se 2 muaj, askush nuk mund të gjejë logjikë se pse në vitin 2023 duhen 9 muaj.
Në këtë pikë kushdo ka të drejtë të dyshojë se qeveria dhe INSTAT po fusin duart tek të dhënat. Sali Berisha, i cili këtu është në terrenin e tij të preferuar, deklaron se nga regjistrimi ka rezultuar që në Shqipëri kanë mbetur më pak se 1.5 milionë banorë, ccka do të thotë që në një dekadë popullsia rezidente e Shqipërisë është rrudhur me 47.7 për qind.
Ne nuk do ta dimë dot nëse kjo është e vërtetë. Por dimë një të vërtetë tjetër. Që tani rezultatet e Censusit janë të paragjykuara. Jo për shkak të akuzave që Doktori di t’i hedhë me shumicë, por për shkak të vetë INSTAT dhe veprimeve të tij.
Shqiptarët e dinë se qeveria e tyre nuk ka një raport shumë miqësor me të vërtetën dhe me integritetin e të dhënave dixhitale, që nga përdhunimi i TIMS-it e deri tek nxjerrja e të dhënave sensitive të qytetarëve në pazar. Ndaj që Censusi të mos shtrëmbërohet, dikush duhet të vërë nën hetim INSTAT-in. Manipulimi i statistikave zyrtare është një krim shumë i rëndë. Dhe dyshimet janë të forta. /Kapitali.al/
Discussion about this post