Ç’ndodh me fondet e tenderuara nga bashkitë? Kontratat shtyhen, punimet kryhen të cunguara dhe pa cilësi, humbjet e shtetit janë të mëdha! Të paktën kështu ka ndodhur tre vitet e fundit në Bashkinë Tropojë, ku kryetar është Rexhe Byberi. Themi kryetar, por ky zyrtar po mbretëron në atë zonë pa pyetur për ligje dhe shtet. Këtë e zbulon mes rreshtave një raport i publikuar së fundmi nga KLSH.
Së pari, le të shohim kontratën midis bashkimit të operatorëve ‘Florida’ Shpk, ‘4-AM’ shpk & “Vllaznimi” SHPK dhe Bashkisë Tropojë, që është firmosur më datë 18 dhjetor 2020. Objekti i saj është “Rikonstruksion i 5 segmenteve rrugore, fshati Gri, Buljan, Cerrnikë, Tropojë”. Është me afat 12 muaj nga data e dorëzimit të sheshit të ndërtimit ose me datë përfundimi datën 29 dhjetor 2021. Vlera e kontratës është 408,506,281.2 lekë (pa TVSH).
Nga korrepondenca mes firmës dalin në shesh manovrat e kompanisë për të justifikuar vonesat në kryerjen e punimeve.
Kështu, procesverbali i fillimit të punimeve është mbajtur në datën 29 dhjetor 2020. Si rrjedhojë, punimet duhet të përfundonin në datën 29.12.2021.
Pa kaluar disa ditë, me shkresën nr. 3814/7 Prot., datë 05.01.2021, mbikqyrësi punimeve, njofton Bashkinë Tropojë për pezullimin e punimeve për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Punimet ‘rifilluan’ më datë 5.04.2021. Me shkresën nr. 3814/12 Prot., datë 10.11.2021, nënshkruhet amendamenti i parë i kontratës bazë dhe zgjatet afati i ekzekutimit të punimeve edhe 3 muaj ose me datë përfundimi datën 29.05.2022. Arsyeja e zgjatjes së afatit të punimeve, është moti ekstrem me ngrica.
Kur pritej përfundimi, më 8 prill 2022, nënshkruhet amendamenti i dytë i kontratës bazë dhe zgjatet afati i ekzekutimit të punimeve edhe 3 muaj ose me datë përfundimi datën 29.07.2022. Arsyeja e zgjatjes së afatit të punimeve, është përsëri moti ekstrem me ngrica. Kishte ngrirë Tropoja në prill?!
Më 21 korrik 2022, Kryetari i Bashkisë Tropojë ‘lan duart’ i kërkon sipërmarrësit, informacion për ecurinë, cilësinë dhe përfundimin e punimeve.
Më 25 korrik 2022, mbikqyrësi punimeve, njofton Bashkinë Tropojë për pezullimin e punimeve për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Më 29 korrik 2022, nënshkruhet amendamenti i tretë i kontratës bazë dhe zgjatet afati i ekzekutimit të punimeve deri në daten 29.10.2022. Arsyeja e zgjatjes së afatit të punimeve, është mungesa e furnizimit me lëndë të parë (binder/asfaltobeton).
Këtu zhvillohet një komedi: Më 1 gusht 2022, Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhe Byberi kërkon nga sipërmarrësi, ‘përfundimin urgjent’ të punimeve. Tek kjo kërkesë, Bashkia Tropojë, cilëson se punimet duhej të përfundonin në datën 29 korrik 2022. Kjo datë, është ajo e përfundimit sipas shtesës së dytë. Pra Kryetari i Bashkisë Tropojë, me këtë kërkesë, nuk ka në konsideratë që është nënshkruar nga zv.kryetari Abedin Kërrnaja, një amendament i tretë me datë 29.07.2022. Si rezultat, amendamenti i tretë, është i pavlefshëm!
Pas shumë shtyrjesh më 9 mars 2023, është mbajtur akti i kolaudimit të rrugëve.
Sipas konstatimit të KLSH, shtyrja e afatit më 29 korrik 2022, nuk duhej të merrej në konsideratë nga Bashkia Tropojë pasi ofertuesi ose kontraktori nuk ka paraqitur paraprakisht ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me operatorë të tjerë furnizues të lëndës së parë, as në kriteret e kualifikimit që operatori ekonomik ofertues, nuk kërkohet të dorëzojë marrëveshje bashkëpunimi me prodhues të lëndës së parë binder/asfaltobeton.
Së dyti, një shkelje tjetër është se kontrata bazë dhe amendamentet e saj, janë nënshkruar nga nënkryetari Kërrnaja i cili nuk ka atributet e Kryetarit aktual në detyrë të Bashkisë Tropojë, pasi vetëm Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Tropojë përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretë.
Më tej raporti thekson se duhej që Bashkia Tropojë të kalkulonte penalitetin që i duhej mbajtur kompanive për 90 ditë vonesa në ekzekutimin e punimeve.
Vlera e punimeve të kryera me 3 muaj vonesë (90 ditë), është 54,489,120.5 lekë dhe si rezultat, vlera e penalitetit me efekte negative për Bashkinë Tropojë, është: 54,489,120.5(lekë) * 90(ditë vonesë) * 1/1000 = 4,904,020.845 lekë. Këto vonesa kanë ardhur si pasojë e amendamenteve të pavlefshme të konceptuara dhe miratuara nga Bashkia Tropojë pa përjashtuar këtu përgjegjësinë e kompanive në nënshkrimin e tyre.
Punime të pakryera në rrugë
Nga auditimi i zërave të preventivit dhe zërave të situacionit përfundimtar të punimeve sipas kontratës së lidhur, u konstatua se nuk është nuk është zëri zëri “An. 3.226/1 Shtresë asfaltobetoni”. Ky zë nuk është ofertuar dhe nuk është faturuar. Mos ekzekutimi i këtij zëri, pra i tapetit mbi binder, e bën investimin të jetë më shumë i ekspozuar
ndaj fenomeneve natyrore. Binderi në vetvete, ka tendecën që të ngurtësohet me kalimin e kohës prandaj rolin e amortizuesit ose të materialit më të përshtatshëm ndaj kushteve atmosferike si në dimër dhe në verë, e kryen tapeti ose shtresa e asfaltit e cila hidhet mbi shtresën e binderit. Kjo shtresë, jo vetëm që mbron nga shkatërrimi ndaj kushteve natyrore të shtresës së binderit, por mbi të gjitha, garanton sigurinë në lëvizjen e mjeteve rrugore për arsye të mbajtjes nivelin e duhur të forcave të fërkimit midis sipërfaqeve të gomave të mjeteve dhe shtresës së asfaltit. ‘Në këto kushte që është kryer investimi, shtresa e binderit dhe vijëzimet mbi të, janë të destinuara të shkatërrohen me kalimin e kohës, nëse nuk merren masa për hedhjen
e asfaltit mbi binder’-raporton KLSH. Vlera e binderit dhe ajo e vijëzimeve mbi binder, mund të sjellin dëm ekonomik në të ardhmen pasi për hedhjen e asfaltit duhet një frezim i binderit në rastin më të mirë ose shtresë e re binderi në rastin më të keq. Si rezultat, në gjykimin e grupit të auditimit, vlera në total prej 129,181,200 lekë.
Ndërtimi i ujësjellësit
Dy nga kompanitë që zvarritën punimet e ndërtimit të rrugëve në Tropojë, në të njëjtën kohë kanë fituar edhe punimeve në ujësjellësin e fshatit Dragobi. Ato janë ‘Florida’ Shpk me pronar Zeqir Bushgjokajn dhe Lulzim Rrahmanajn me bazë në Kukës, si dhe ‘4 AM’ shpk me pronar Ardit Metaliaj me bazë në Tiranë. KJo e fundit është e njohur për koncesionin e mirëmbajtjes së Tunelit të krrabës të cilin e marrë me mbështetjen e ministres Balluku dhe drejtorit të ARRSH, Evis Berberi.
Kjo kontratë ishte me afat 6 muaj nga dita e dorëzimit të sheshit të ndërtimit. Me shkresën nr. 5098/9 Prot., datë 23.03.2021, mbikqyrësi i punimeve kërkon nga Bashkia Tropojë, miratimin për shtyrjen e afatit të ekzekutimit të punimeve pas ndërprerjes së tyre për arsye të rishikimit të projektit dhe ngricave. Pas kësaj u shty ekzekutimi i punimeve edhe 3 muaj të tjerë ose në total 9 muaj.
Vlera e plotë e kontratës është 68,269,460.11 lekë me TVSH. Nga auditimi në terren i zërave të punimeve, u konstatuan diferenca në vlerë punimesh. Konkretisht në lagjen Metaliaj dhe Sokolaj, u konstatua mungesa e një pajisjeje dhe një valvule sigurie. Në total, vlera e faturuar më tepër në situacionin përfundimtar, është 60.000 lekë.
Vjedhje me punime të pakryera
Diferenca në vlera rezultuan edhe nga auditimi i kontratës me objekt “Rikualifikim urban “Lagja Partizani” Blloku1&2, Bajram Curri” me vlerë 53,717,333 lekë (pa TVSH) ose 64,460,799 lekë me TVSH. Afati i realizimit të kontratës ishte 6 muaj, por punimet u vonuan 100 ditë. ‘Nga auditimi i situacionit përfundimtar, projektit dhe preventivit bazë, preventivit të rishikuar, si dhe nga verifikimi në terren lidhur me volumet e punës të fatuaruara si dhe atyre të kryera në fakt, rezultuan diferenca në volume apo punime jo të kryera në përputhje me projektin e hartuar nga projektuesi e të miratuar nga Autoriteti Kontraktor, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore në vlerën 186,810 lekë pa tvsh’- raporton KLSH.
Kryebashkiaku kallëzohet në SPAK
Mësohet se Rexhe Byberi, në shtator 2023, është kallëzuar nga 300 banorë të cilët e akuzojnë për shpërdorim detyre.
Sipas banorëve të zonës, krybashkiaku i Tropojës ka favorizuar kushurinjtë e tij në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interest. Duke u dhënë një gurore afër Fierzës.
“Ne kallëzuesit jemi banorë të Bashkisë Tropojë, ku po bëjmë rreth 3 vjet që sorollatemi nga kryetari i bashkisë Rexhe Byberi duke mos gjetur zgjidhje. Kryetari i bashkisë Tropojë Rexhe Byberi është i përfshirë në aktivitete kriminale , dhe për këtë arsye jemi duke bërë këtë kallzim ku e akuzojmë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penale dhe për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, shkruhet në kallëzim
Këtë aktivitet kriminal ky kryetar bashkie e ushtron me djemtë e xhaxhait të tij ku një prej tyre është dhe i kallzuari prej nesh Avni Byberi, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.”, thuhet në denoncimin e banorëve.
Meqenëse SPAK do të kryejë hetime për kallëzimin e banorëve, atëherë le të verifikojë edhe shpërdorimin e parave nga kryetari i Tropojës përmes tenderëve të mësipërm. Apo radhën e ka zëvendësi i tij, që është propozuar nga KLSH për ulje në detyrë?
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post